Në përkujtim të gjenocidit në Srebrenicë

 Nga: Faik MIFTARI

Edhe sivjet, me 11 korrik 2012, do të përkujtohet për të 17 vit me rradhë, tragjedia e Srebrenicës, me akademi dhe ceremoniale të shumta për nder të mbi 8000 viktimave të rënë, me ç’rast , me 11 korrik do të varrosen edhe mbetjet mortore të 510 viktimave të gjetura dhe të identifikuara gjatë periudhës prej 11 korrikut 2011 e gjer më 11 korrik 2012.

Srebrenica, qytet në Bosnjën lindore, është i vetmi vend në Evropë në të cilin është kryer gjenocidi pas Luftës së Dytë Botërore e gjer më sot. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë me seli në Hagë e ka sjell vendimin mbi gjenocidin e kryer në Srebrenicë me datë 27 shkurt 2007.

Konventa për parandalimin dhe dënimin e gjenocidit është propozuar dhe miratuar në seancën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara me 9 dhjetor 1948. Ka mbet e shënuar në analet diplomatike deklarata e famshme e përfaqësuesit australian në atë kohë:” Gjenocidi është një akt i shëmtuar dhe barbar, ashtu që edhe  shtazët e egra janë të paaftë ta kryejnë atë”. Edhe pse në botën çfarë është në të cilin jetojmë, është vështirë të vendoset drejtësia, por se neve si qenie njerëzore dhe civilizuese që jemi duhet përpjekur dhe angazhuar vazhdimisht për të, duke pas për bazë thënien e vjetër latine:” Fiat iustitia, puruat mundu” që do të thotë.” Le të jetojë drejtësia, të paktën  po të fundosej edhe bota”.

Agresori serbomadh në dhe rreth Srebrenicës, në korrik të vitit 1995, për vetëm një javë ka pushkatuar, likuiduar dhe vrarë mbi 8000 boshnjakë të kapur, të zënë rob, apo të dorëzuar, qindra prej tyre i ka groposur për së gjalli, ka prerë dhe sakatosur, ka mbytë bile edhe fëmijë të porsalindur para syve të nënës, ka dhunuar gra dhe vajza boshnjake, dhe se ka depërtuar me forcë mbi 30.000 gra dhe fëmijë që ishin të strehuar gjatë katër viteve të luftës,  në Tuzëll, që me një fjalë të përmbledhur lirisht, ka realizuar skenat e “ Ferrit të Dantes”.

Në Beograd me 15 korrik 1995, kohë gjatë së cilës forcat militare dhe paramilitare serbe ishin duke kryer gjenocidin mbi myslimanët boshnjak, tek Slobodan Millosheviçi, lider serbomadh, i cili vdiq në burgun e Shveningenit në Hagë, mbahej një takim sekret, në të cilin kanë marrë pjesë, Karl Bildti (përfaqësues i Bashkimit Evropian për Bosnjën në atë kohë), Torvald Stoltenbergu (përfaqësues i Kombeve të Bashkuara për Bosnjën), Jasushi Akashi ( përfaqësues special i sekretarit gjeneral të Kombeve të Bashkuara), Rupert Smith ( komandant i forcave paqeruajtëse të UNPROF-orit të Kombeve të Bashkuara në Bosnjë), si dhe me kërkesë të Karl Bildtit mysafiri special, gjenerali gjakatar serb Ratko Mlladiçi, i cili ka qenë realizues dhe zbatues të urdhërit politik të liderit serb Radovan Karaxhiç, për kryerjen e  gjenocidit në Srebrenicë.

Gjenocidi në Srebrenicë i kryer ndaj boshnjakëve mysliman, në një zonë sigurie të vënë në mbrojtje nga Kombet e Bashkuara, është bërë para syve të opinionit botëror, me asistimin dhe pacifizmin e treguar jashtë çdo logjike  njerëzore, të forcave të Kombeve të Bashkuara (batalionit holandez), i cili ka pas për detyrë të bëjë mbrojtjen e zonës së sigurisë së Srebrenicës, po për fat të keq i tradhtoi dhe i la në mëshirë të çetnikëve serb, me urdhër të liderëve politik dhe ushtarak shtetëror botëror, si dhe ndalimin e sulmeve ajrore mbi caqet serbe, të cilët do të parandalonin dhe pamundësonin gjenocidin e kryer në Srebrenicë, para syve të mbarë opinionit botëror.

Gjenocidi ndaj hebrenjve është kryer gjatë Luftës së Dytë Botërore, ndërsa gjenocidi ndaj boshnjakëve në Bosnjë e Hercegovinë, është kryer 50 vite pas procesit të mbajtur të Nurnbergut, për dënimin e të dyshuarve nazist për gjenocid dhe krim të luftës, kur është dhënë deklarata famoze:” Kurrë më!”. Por kjo “ Kurrë më” ndodhi në Srebrenicë, 50 vite pas,  dhe pikërisht nën dijen e Kombeve të Bashkuara.

Për të kuptuar më mirë shkakun e gjenocidit të kryer në Srebrenicë, do të citoj shkrimtarin boshnjak Alija Isakoviç në ” Antologjinë e së keqes” i cili përveç tjerash thotë:” Për të kuptuar këtë së pari duhet lexuar të gjitha veprat shkencore të Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve (SANU), edhe veprat  shkencore nga fizika, astronomia, arti, muzika… Të gjitha! …”

Njëherit do të citoj edhe thënien e sociologut amerikan Keith Dooubt i cili thotë:” Askush prej nesh, askush prej atyre, nuk është i pafajshëm, bile moralisht i pafajshëm për gjenocidin e kryer në Srebrenicë, dhe se të dy aktet, ai i luftës dhe ai i paqes, dëshmojnë se Serbët dhe Bota janë më shumë të ngjashëm se që mendojmë, dhe njëkohësisht Bota dhe Serbët, nuk janë të ndryshëm”.

Nuk çudit tani fakti, se kryetari i porsazgjedhur serb Tomislav Nikolliç, pas zgjedhjes deklaron:” Se nuk ka pas gjenocid në Srebrenicë”, kur të njëjtën gjë e deklaron edhe gjenerali francez Morillon duke thënë:” Se në Srebrenicë nuk pas gjenocid, dhe se serbët nuk kanë se çfarë të turpërohen”.

Këtu nuk mund e  të mos e citoj edhe publicisten e njohur boshnjake Fahira Fejziç, e cila në një analizë të shkëlqyer, bërë dy librave të botuara kohë më parë, përveç tjerash shkruan: “ Në rast se ky gjenocid i kryer në Srebrenicë është vetëm një në vargun e gjenocideve të ardhshme që planifikohen, për të zgjidhur definitivisht të ashtuquajtur ”Çështjen Lindore” të pjesës së dikurshme evropiane të Perandorisë Osmane, gjegjësisht të Ballkanit të sotshëm, që ajo që nuk është kryer gjatë shekullit XX, definitivisht të kryhet gjatë shekullit XXI. Në këtë konkluzion kam ardhur duke marrë për bazë dy libra të lexuara të dy autorëve të ndryshëm, të dy periudhave të ndryshme kohore.

Është fjala për librin e autorit amerikan Justin Mc Carthy”Death and exile, the ethnic cleansing of Othoman Muslims, 1821-1922, Darwin, 2004, USA., në të cilin në mënyrë precize flet për procesin e përhershëm të spastrimit etnik të myslimanëve otoman (osman), me të cilin term i quan autori myslimanët të cilët kanë jetuar dhe vazhdimisht janë zhdukur nga hapësirat e dikurshme të Perandorisë Osmane evropiane, duke u nisur nga Bosnja, Sanxhaku (Serbi e Mali i Zi), Kosovë, Maqedoni, Shqipëri, Bullgari, Greqi, Rumani etj. Autori amerikan cek se ky trend humbës njëshekullor i territoreve dhe spastrimeve nga myslimanët po zgjerohet në mënyrë tendencioze për të përfunduar gjatë shekullit XXI. Shekull, në të cilin edhe Evropa Jugore do të duhet të pastrohet nga jo të krishterët, kësaj here nga myslimanët, gjë që në një mënyrë janë vërtetuar me ngjarjet e ndodhura para,gjatë dhe pas Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore, si dhe në agresionin serbomadh të kryer gjatë viteve 90 të shekullit XX, veçanërisht në Bosnjë dhe në Kosovë, që ka rezultuar me vrasjen dhe dëbimin të një numri shumë të madh të myslimanëve të Ballkanit.

Libri i dytë  është i autorit boshnjak Fikret Karçiç me titull:

“Muslimanët e Ballkanit,Çështja Lindore në shekullin XX”, Tuzlla, 2004, BeH.

Evropa është hapësirë krishtere, në veri-perëndim katolike-protestante, në juglindje ortodokse, dhe nuk toleron bashkëjetesën  multifetare në hapësirat e veta. Evropa katolike-protestante punën e vet të spastrimit të hebrenjve e ka kryer gjatë Luftës së Dytë Botërore, ndërsa Evropa ortodokse ka pas dash të kryej spastrimin e myslimanëve gjer në fund të shekullit XX. Pasi që spastrimi i duhur nuk është kryer si duhet, njëherit kjo punë duhet përfunduar, me thënien” sa më parë aç më mirë”. Kjo nuk është çudi, se në një të ardhme të afërt do të mund të përsëritej para syve të botës, spastrimi i myslimanëve, e sidomos para syve të Evropës me prezencën e kamerave  televizive, dhe të mos i pengojë fare të fuqishmit e botës, sikurse kanë bërë gjer tani”.

Këtë brengë në mënyrë më të qartë e ka ilustruar publicisti i njohur kroat Željko Milićević në analizën  e tij me titull” Sot djalli e ka vrarë dhe djeg Perëndeshën e drejtësisë” pas verdiktit të dhënë të Gjyqit Ndërkombëtar të Drejtësisë me 27 shkurt 2007 me ç’rast Serbinë e liroi nga akuza për gjenocid në Bosnjë e Hercegovinë, i cili analizën e tij e përfundon me fjalët: “Unë, si i krishterë që jam, pas kësaj mendoj se posedimi i armatimit nuklear dhe gatishmëria që në çdo kohë të përdoret vetëm për qëllimet mbrojtëse, është i vetmi garant i mbrojtjes së vazhdueshme dhe i ekzistimit të boshnjakëve në veçanti dhe myslimanëve në përgjithësi në Ballkan”.

Do të  përmbylli këtë përkujtim të gjenocidit të Srebrenicës , me një rrëfim të tmerrshëm  të boshnjakes Xhemile Zekiçit, dëshmitare e gjallë e gjenocidit të kryer në Srebrenicë:

“Qëndroja në mes popullit të dëshpëruar  e të grumbulluar në Potoqare të Srebrenicës, kur çfarë të shoh, gruaja e re, është  shtrënguar, djersët i rridhnin në ballë, ngërç në fytyrë të saj. Iu afrova dhe e pyeta çfarë ka, ajo më tha, po lind, po bijë i thash, mbahu me një dorë për mua, e me tjetrën për vjehrrën,…Ashtu u bë, u shtrëngua gruaja e re në ne…, u ndie vaji i foshnjës djalë. E mora foshnjën dhe po dua t’ia lidhi kërthizën, kur çetniku serb doli para meje duke më thënë: lëshoje këtë foshnje në tokë. Unë e lëshova dalëngadalë në dimitë e mia, foshnja e bukur me flokë të gjata, sikur të ishte larë, tani,…çetniku serb iu afrua, dhe këmbën e tij e nguli në fytin e njomë të foshnjës së porsalindur,…zorrët e njoma iu shkapërderdhën në të gjitha anët…”

           

You must be logged in to post a comment Login