Në kërkim të thesarit të fshehur

“Ne e zbritëm atë (Kur’anin) Natën e Kadrit. E ku di ti ç’është Nata e Kadrit. Nata e Kadrit është më e vlefshme se një njëmijë muaj. Atë natë zbresin engjëjt dhe shpirti (Xhibrili) me lejen e Zotit të tyre për çdo çështje. Ajo (që përcakton Zoti) është paqe deri në agim të mëngjesit.”

ramadan crescent

Nata e Kadrit

Nata e Kadrit është këshilluar nga Profeti a.s. të kërkohet në dhjetëditëshin e fundit të Ramazanit, ndërkohë që është pranuar dhe festuar në natën e 27 të këtij muaji.

Le t’i hedhim një sy porosisë së Profetit mbi ato çfarë ka thënë mbi këtë çështje.

“Disave prej jush Nata e Kadrit u është treguar në shtatë ditët e para të muajit, ndërsa disa të tjerëve u është treguar në shtatë ditët e fundit. Ju kërkojeni atë në dhjetë ditët e fundit. [1] “Ju kërkojeni atë në netët teke të dhjetë ditëve të fundit.”[2]

Një ndër rrëfimet më të zgjeruara rreth kësaj teme na e përcjell sahabi Ebu Said el Hudri. Ai tregon: “Pejgamberi bëri itikaf në dhjetë ditët e para të Ramazanit. Më pas në dhjetë ditshin e mesëm të muajit bëri itikaf nën një çadër me lëkurë dhie. Në ved të derës së çadrës ndodhej një hasër. I dërguari i Zotit a.s. e mori hasrën dhe e vendosi në një cep të çadrës. Më pas nxori kokën dhe iu drejtua njerëzve që ndodheshin në xhami. Kur populli u afrua drejt tij, ai tha: “Unë, duke kërkuar Natën e Kadrit bëra itikaf në dhjetëditëshin e parë. Më pas e vazhdova në dhjetë ditët e mesme të muajit. Më erdhi engjëlli dhe më njoftoi se Nata e Kadrit ndodhet në dhjeditëshin e fundit. Ata që kanë qenë në itikaf me mua deri tani, nëse duan, le ta vazhdojnë itikafin edhe këto dhjetë ditë të fundit.”[3]

Nga sahatet e nderuar, Ubej bin Ka’b tregon se vëllai i tij e ka rastisur Natën e Kadrit në natën e njëzet e shtatë të muajit, dhe e ka vërtetuar këtë duke u nisur nga shenjat që kishte dhënë Profeti a.s. rreth asaj nate.[4]

Ashtu siç u vërejt edhe në hadithet e transmetuara, ka më shumë gjasa që Nata e Kadrit të jetët në netët teke të dhjetë ditëve të fundit të Ramazanit. Profeti a.s., duke iu dedikuar më shumë adhurimit në këtë kohë, duke nxitur njerëzit drejt një adhurimi më të thellë si dhe duke bërë personalisht itikaf në këto dhjetë ditë, e tregon më së miri këtë.

Sipas informacioneve që bëjnë pjesë në librat fetarë, thuhet se bashkë me Natën e Kadrit janë të fshehura (mister) “Ora e pranueshme (e lutjeve) ditën e premte, namazi i mesëm brenda pesë vakteve, Ismi Adham (emri Më i Lartë) nga Emrat Hyjnorë, kënaqësia e Allahut brenda gjithë adhurimeve, kiameti në kohë dhe vdekja në jetë.” Kjo është për shkak që t’i mbajë myslimanët gjithmonë brenda një përgjegjësie para Allahut.

Kuptimi i sures Kadr

“Ne e zbritëm atë (Kur’anin) Natën e Kadrit. E ku di ti ç’është Nata e Kadrit. Nata e Kadrit është më e vlefshme se një njëmijë muaj. Atë natë zbresin engjëjt dhe shpirti (Xhibrili) me lejen e Zotit të tyre për çdo çështje. Ajo (që përcakton Zoti) është paqe deri në agim të mëngjesit.”[5]

Nata më e vlefshme se njëmijë muaj

Ashtu siç thuhet edhe në përkthimin e sures, njoftohet se është “Më e vlefshme se njëmijë muaj”. Ky përgëzim hyjnor është aq i qartë dhe i fortë sa nuk lë vend për asnjë koment tjetër. Si rrjedhojë, kjo është edhe një argument për vlerën e lartë të kësaj nate.

Ky transmetim nga Profeti a.s. është gjithashtu i rëndësishëm për sa i përket kuptimit të vlerës së Natës së Kadrit:

Profetit tonë të nderuar iu tregua mosha e njerëzve të popujve të ardhur para tij. I dërguari i Zotit e pa mjaft të shkurtër jetën e popullit të tij në krahasim me të tjerëve. Ai mendoi se populli i tij nuk mund të kryente punë të mira sa popujt e tjerë për shkak të jetës së shkurtër. Më pas Allahu i Madhëruar i dhuroi atij Natën e Kadrit, që është më e vlefshme se njëmijë muaj.[6]

Nata e zbritjes së Kur’anit

Nata e Kadrit është gjithashtu një burim që mbart vlera të pallogaritshme. Pikërisht këtë natë, Profetit tonë ka nisur t’i shpallet Kur’ani, i cili është një mrekulli e përjetshme dhënë Profetit dhe nëpërmjet tij të gjithë besimtarëve.

Zemra e njeriut ndriçohet me Kur’an kurse mendja i përforcohet me kuptimet e larta e të thella të tij. Zemra e cila nuk ka përfituar nga Kur’ani i përngjet një shtëpie të rrënuar. Atëherë le ta duam Kur’anin, ta lexojmë, ta mësojmë e t’ua mësojmë atë të tjerëve; të nxisim mësimin dhe leximin e tij. Të përpiqemi gjithashtu të mësojmë kuptimet e thela të ajeteve të Kur’anit si dhe të dëgjojmë prej atyre që e kanë kuptuar më së miri këtë libër hyjnor.

Si ta vlerësojmë këtë natë?

Profeti a.s. në një thënie të tijën ka thënë: “Ai që e kalon Natën e Kadrit me adhurim dhe duke besuar me zemër për vlerën e saj, i falen të gjitha gjynahet e mëparshme.”[7]

Le të përmendim disa punë/vepra të cilat duhen kryer nga besimtarët gjatë kësaj nate për ta vlerësuar sa më mirë atë:

-Këtë natë duhet kryer adhurim për hir të Allahut , duhet falur namaz dhe përforcuar ndjenja e adhurimit.

-Duhet lexuar sa më shumë Kur’an, të dëgjohet ai që e lexon atë si dhe të meditohet mbi ato çfarë thotë Kur’ani.

-Të dërgojmë salavate dhe selame për Profetin tonë, të shpresojmë në shefaatin e tij, të forcojmë vetëdijen e të qenit nga bashkësia e tij dhe të rinovojmë besnikërinë ndaj tij.

-Të kërkojmë falje e mëshirë nga Allahu, të analizojmë veten dhe ta bindim të kthehet në rrugën e drejtë.

-Të përmendim sa më shumë Zotin, pasi vetëm me përkujtimin e Tij gjejnë prehje e shpëtim zemrat.

-Të lutemi sa më shumë, sepse lutja është mjeti që e afron më shumë robin me Zotin e tij. Transmetohet se Profeti a.s. ka bërë këtë lutje gjatë kësaj nate: “Zoti im, Ti je falës, të pëlqen të falësh, më fal mua!”

-Të kërkojmë prej Allahut të falë të gjithë besimtarët. Të lutemi që kjo natë të bëhet shkak për forcimin e dashurisë dhe vëllazërisë, për bashkimin dhe për ruajtjen e gjithë njerëzimit nga fatkeqësitë.

——————————————————–

[1] Muslim, Sijam, 208.

[2] Muslim, Sijam, 212.

[3] Muslim, Sijam, 215.

[4] Muslim, Sijam, 220.

[5] Kadr, 1-5.

[6] Taxh, II, 135.

[7] Rijadus-Salihin, II,464.

You must be logged in to post a comment Login