Ndihma për familjet në nevojë

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë (Zyra e Gruas) në bashkëpunim me Medresenë e Tiranës realizuan me sukses fushatën e shpërndarjes së pakove për mbi 300 familje në nevojë.

Kjo fushatë u realizua në kuadër të Natës së Kadrit dhe afrimit të Fitër Bajramit.

Pakot që u shpërndanë ishin kontribut i besimtarëve të shumtë që u treguan të gatshëm për të krijuar një atmosferë të gëzueshme edhe për njerëzit në nevojë.

Në deklaratën për median, nënkryetari i KMSH-së, z. Gazmend Aga, falënderoi besimtarët që iu përgjigjën thirrjes së institucionit për të ndihmuar.

“Falënderimet më të sinqerta për të gjithë besimtarët që iu përgjigjën thirrjes sonë për të ndihmuar familjet në nevojë. Allahu i gëzoftë në këtë botë dhe në tjetrën. Kjo është mënyra më e bukur për të gëzuar njerëzit, për të qenë pranë tyre e për të qenë të dobishëm. Në fenë tonë, besimtari më i mirë është ai që është më i dobishëm për njerëzit.  Nata e Kadrit, është më e vlefshme se një jetë dhe shpresojmë se dhe kjo vepër sublime e bërë në këtë natë të madhe, të vlejë sa të mirat e gjithë jetës sonë. Bajram i vërtetë është ai kur gëzohemi vetë, ndërkohë që gëzojmë edhe të tjerët. Ky shembull i besimtarëve qoftë një mesazh për të gjithë shoqërinë”, tha ndër të tjera nënkryetari Aga.

Përgjegjësja e Zyrës së Gruas në KMSH u shpreh se projektet në ndihmë të familjeve në nevojë janë të vazhdueshme dhe fushata të tilla janë një buzëqeshje në fytyrën e njerëzve në nevojë.

Ndërsa drejtori i Medresesë së Tiranës, z. Ali Zaimi theksoi se përtej vlerës ushqimore që mbajnë këto pako, ajo që ka rëndësi është ndjenja e përkrahjes, e vëllazërimi, e festimit dhe e të gëzuarit së bashku.

Në ditët në vijim KMSH në bashkëpunim me emisionin Stop në Tv Klan do të shpërndajnë pako edhe për familjet në nevojë dhe gratë e dhunuara.

21 qershor 2017

You must be logged in to post a comment Login