Shejh Shuajb Arnauti

14853084_1803156003239278_7547877876889867734_oShejh Shuajb Arnauti është ndër dijetarët më të njohur myslimanë bashkëkohorë, i dalluar veçanërisht në fushën e hadithit. Ai bën pjesë në mesin e dijetarëve me origjinë shqiptare, të cilët do duhej të na bënin krenarë si komb, por që, fatkeqësisht, nuk e kanë marrë ende vendin e merituar.

Familja e Shuajb Arnautit u shpërngul nga Shkodra për shkak të presionit dhe të orientimeve politike që kishte regjimi i kohës. Meqë Muharremi, i ati, njihej si njeri fetar, ishte shënjestër e këtyre presioneve dhe kjo ishte arsyeja e largimit të tij nga Shqipëria për në Siri. Shuajbi lindi në Damask në vitin 1928, dy vjet pas shpërnguljes së familjes së tij. Ai u rrit dhe u edukua në gjirin familjar me frymën e edukatës islame.

Që në moshë të re kishte mësuar bazat e fesë islame dhe shumë pjesë nga Kur’ani përmendsh. Dëshira për të kuptuar dhe për t’u thelluar sa më shumë në fjalën e Allahut, e shtyu që të mësonte gjuhën arabe. Ndaj, për vite me radhë, frekuentoi xhami dhe shkolla të Damaskut, duke marrë mësime të avancuara ndër dijetarët e kohës.

Falë zellit dhe vullnetit të tij, për një periudhë afërsisht 8 vjeçare, Shuajbi kishte arritur të përfitonte shumë nga dijetarët më të njohur të kohës, ndër ta edhe dijetarët me origjinë shqiptare Sulejman Gavoçi dhe Nuh El-Albani.

Më vonë, ai i kushtohet njohjes dhe studimit të jurisprudencës islame, e veçanërisht shkollës juridike hanefi. Krahas jurisprudencës studioi edhe tefsir, terminologji të hadithit, bazat e fesë, etikës etj.

Gjatë mësimeve rreth jurisprudencës islame, Shuajbi kishte vënë re se dijetarët e kohës hasnin shumë vështirësi në dallimin e haditheve të sakta prej atyre të dobëta, apo të trilluara. Kjo besohet se ishte arsyeja pse ai u orientua drejt shkencës së hadithit dhe filloi të merrej me kategorizimin e saj.

Në vitin 1958 ai punësohet pranë bibliotekës islame në Damask, ku i besohet drejtimi i sektorit për studimin e hadithit, të cilin e udhëhoqi për afro 20 vite.

Në vitin 1982, Shejh Shuajbi vendoset në Aman të Jordanisë, ku fillon punën si përgjegjës për verifikimin e haditheve në qendrën e njërës prej shtëpive botuese më të mëdha të vendit.

Gjatë veprimtarisë së tij ai ka nxjerrë mbi 240 vëllime, të cilat lidhen kryesisht me hadithin, por njëherësh ka edituar edhe shumë prej veprave klasike të trashëgimisë islame.

Me gjithë këtë aktivitet të pasur kulturor, ai meriton titullin “Dijetari i shekullit”, si një nga studiuesit më të famshëm të fushës së tij.

Ai shpresonte që botimet e tij t’u shërbenin studiuesve e dashamirësve të librit.

Vizita e tij e fundit në Shqipëri ishte në vitin 2011, ku mbajti një mori ligjëratash në xhami dhe institucione të ndryshme. Shejhu e fliste mirë shqipen dhe ishte krenar për origjinën e tij. Këtë e vërtetojnë më së miri këto fjalë: “Gjaku më lëviz ndryshe kur them se jam shqiptar, vetë emri dhe llagapi im dëshmon se jam shqiptar.”

Ëndrra e tij më e madhe ishte që t’i shihte shqiptarët të bashkuar në një shtet dhe të përkushtuar ndaj Islamit.

Ai i kaloi ditët e fundit në Aman të Jordanisë, ku drejtonte punën kërkimore dhe bibliotekën e shtëpisë botuese “Muesesetu El-Risaleh”.

Shuajb Arnauti ndërroi jetë në moshën 88 vjeçare. Përveç trishtimit të familjarëve dhe të afërmve, ai la pas breza të tërë studentësh e kërkuesish të zellshëm, miq e bashkëpunëtorë të shumtë, që e kujtojnë me respekt, si edhe një tufë veprash me vlera të rralla.

Çdo njeri e ka borxh vdekjen. Lum ai që ikën i lumtur nga kjo botë. E Hoxha ynë iku i lumtur, se la pas fjalën, shembullin dhe veprën e mirë.

You must be logged in to post a comment Login