Ndahet nga jeta H. Hafiz Shaban Saliaj

saliaj

Sot, më 30 tetor 2014, është ndarë nga jeta H. Hafiz Shaban Saliaj, imam i dy prej xhamive të Tiranës, mësues në Medrese dhe Myfti i kryeqytetit në vitet 2005-2011. 
Hafiz Shaban Saliaj u lind në Tiranë më 05.11.1934 në një familje besimtare. Pasi mbaron arsimin bazë, vazhdon studimet në Medresenë e Tiranës në vitin 1950, ku dallohet në përvetësimin e lëndëve fetare në përgjithësi e Kur’anit në veçanti.
Në vitin 1953 merr titullin “Hafiz”. Ishte i vetmi hafiz që mori këtë titull gjatë periudhës së komunizmit. Ai nuk e ndau për asnjë moment Kur’anin, të cilin e lexonte për të mos e harruar kurrë.
Përmbysja e regjimit komunist dhe vendosja e demokracisë në vitin 1991, bëri që Hafiz Shabani të angazhohej në detyrën fetare të imamit të xhamisë së Kokonozit dhe mësuesit të Kur’anit në Medresenë e rihapur të Tiranës. Punoi me përkushtim duke ia mësuar Kur’anin qindra nxënësve, ku nga ata arriti të nxjerrë shumë hafizë.
Nga viti 2005-2011 ushtroi detyrën e Myftiut të Tiranës. Si kuadër e teolog zotëronte vetëdije të thellë fetare. Misioni i tij mbeti si protagonist i personalitetit të një teologu të ndershëm, të ditur dhe të ngritur me ndjeshmëri dhe vizion për Islamin.
Ai punoi vazhdimisht për ngritjen profesionale si teolog dhe me strategji për drejtimin e myftinisë, duke shkuar vetë në çdo zonë të rrethit të Tiranës. Deri në momentin e ndarjes nga jeta vazhdoi punën si kryevaiz me pjesëmarrjen personale në xhami të ndryshme me predikimet e tij, duke u bërë shembull edhe për të tjerët. Ai gjithashtu ishte edhe anëtar i përhershëm i Këshillit të Përgjithshëm të Komunitetit Mysliman për zonën e Tiranës.
Komuniteti Mysliman, kolegët e tij të rinj dhe të vjetër, nxënësit e tij, xhemati i qytetit të Tiranës, njohës të tij nga e gjithë Shqipëria, do ta kujtojnë Hafiz Shabanin si një besimtar të devotshëm, si mik të sinqertë, si një person që kurrë dhe askush nuk mundi ta ndajë nga udha e Zotit, si një person që askush nuk mundi ta shtyjë jashtë rrugës së besimit Islam.
Ai do të mbetet ndër breza si një shembull udhëheqës për në rrugën e drejtë.
Allahu pastë mëshirë për shpirtin e tij të pastër!

“Inna lil’lahi ue inna ilejhi raxhiun…”
(Të Allahut jemi dhe tek Ai do të kthehemi)

P.s. Falja e xhenazes do të bëhet nesër, ditën e premte, datë 31 tetor 2014, ora 13:30, në xhaminë e Et’hem Beut, Tiranë.

You must be logged in to post a comment Login