Mytevelinjtë – bejlerët që hodhën themelet e Korçës

(Dhëndri shqiptar i Sulltan Bajazitit, ishte korçari i cili nën komandën e Portës së Lartë, zhvilloi qytetin e njohur juglindor)

…Duke u nisur nga ndjenja e qytetarisë, e atdhetarisë, si edhe për t’u lënë brezave të ardhshëm elemente historike me vlera kombëtare, por edhe si e lindur dhe e rritur në një nga lagjet e dëgjuara të myslimanëve të qytetit tim mondan dhe të bukur, Korçës, kam ëndërruar dhe kam pasur dëshirë për të hedhur disa fakte historike me vlera kombëtare, me shkrim, për pinjollët e parë të familjes së Mytevelinjëve, familje 600 vjeçare.

Pinjolli i fundit i kësaj dere, i cili rron edhe sot e kësaj dite është në moshën 74-vjeçare. Ai është djali i Hysen Beut, Rustem Hysen Myteveliu (junior), me profesion ekspert në Zyrën e Urbanistikës së qytetit të Korçës. Interesimit tim për të më treguar rreth derës së Mytevelinjve, ai iu përgjigj me një ndjenjë qytetarie, respekti dhe mirënjohjeje të veçantë.

Historia e fisit së Myteveliut, ku stërnipër janë vëllezërit Frashëri

Tregimin e tij, zoti Rustem Myteveliu, e filloi me të parin e kësaj dere, rreth 600 vjet më parë, duke u bazuar edhe në pemën gjeneologjike të familjes, pra me atë të Iljaz bej Mirahorit (Myteveliu. Rustemi është brezi i 16-të dhe fëmijët e tij janë brezi i 17-të i këtij fisi të dëgjuar. Iljaz bej Mirahori lindi aty rreth vitit 1408 në Panarit të Korçës. Ai ishte biri i priftit të Panaritit dhe jetoi 104 vjet. Mësimet e para i mori në trevat e Panaritit. Gjatë kësaj periudhe Shqipëria ka qenë nën sundimin e dinastisë osmane dhe Iljazi merret nizam, si jeniçer, nga Porta e Lartë. Në Stamboll ai mori mësimet e para në gjuhën osmanishte dhe më pas, vazhdon edhe shkollën. Shkallë mbas shkalle, ai ngrihet në poste të rëndësishme, ku edhe emri nga Ilia, i kthehet në Iljaz bej. Në vitin 1457 ai ishte pjesëmarrës në luftën për çlirimin e Stambollit; më pas si komandant në luftën e Konstandinopojës dhe gradë pas grade mori titullin “Mirahor”, që do të thotë gjeneral i gjeneralëve, kryegjeneral. Rreth Iljaz bej Mirahorit ka shkruar edhe Sami Frashëri si stërnip i tij, nga dera e nënës së Frashërllinjve, Emineja.

Iljazi, shqiptari që i shërbeu Sulltan Bajazitit të Dytë

Iljaz bej Mirahori i ka shërbyer Sulltan Bajazitit të Dytë, i cili i dha gradën “LALE” dhe titullin e “Profesorit të dinastisë turke” të asaj kohe. Iljazi u martua me të bijën e Sulltan Bajazitit të Dytë dhe nga kjo martesë pati edhe tre djem: Muhamet bej, Mehmet bej dhe Sefer bej. Mehmeti, djali i dytë i Iljaz bej Mirahorit, i quajtur ndryshe edhe Ine beu, u vra në luftën për marrjen e Bagdadit, betejë në të cilën ishte komandant i ushtrisë osmane dhe u shqua për trimëri. Më pas, Iljaz bej Mirahori u zhvendos në Shqipëri, në trevën e Korçës, ku me nënshkrimin e 4 fermaneve nga ana e Sulltan Bajazitit të Dytë, i falin disa fshatra si: Panaritin, Treskën, Trebickën, Katundin, Drenovën, Boboshticën dhe Vithkuqin. Duke bërë martesë me vajzën e Sulltanit, ky i fundit bën shkëmbimin e Panaritit me Leshnjën, dhe Vithkuqit me Korçën, që në atë kohë quhej Peshkëpi. Ai jetoi gati 70 vjetët e jetës së tij në Korçë. Iljaz bej Mirahori ndërtoi xhaminë e Korçës, aty rreth vitit 1496. Më pas ai ndërtoi medresenë, shkollën afër saj, hanet dhe hodhi hapat e para të tregut, d.m.th., ndërtoi Pazarin e Korçës. Në vitin 1504 ai krijoi Imaretin, që do të thotë Vakëf ose në shqipen e sotme, Mision Bamirësie. Dy-tri herë në javë, të varfërit shkonin dhe hanin falas në Imaret.

Gjithashtu, gjithë tregtarët që shkonin e vinin për tregti nga Janina e Follorina, nëpërmjet Bilishtit, qëndronin dhe hanin në këtë Imaret, falas.

Një lagje e Stambollit mban emrin e Iliaz Mirahorit, themeluesit të Korçës. Iljaz bej Mirahori, duke ardhur nga Stambolli, ku mori një kulturë të gjerë në të gjitha fushat nga njohja e mirë e qytetit të Stambollit, qytet model i periudhës mesjetare. Vetë ky i fundit diti me mjeshtëri të shfrytëzojë territorin për zhvillimin e qytetit të Korçës, si nga ana gjeografike, ekonomike, tregtare dhe për lëvizjen e lirë të tregtarëve dhe tregtisë, veçanërisht me Janinën. Ai krijoi bazën social-kulturore të Korçës dhe hodhi themelet e këtij qyteti. Në shpirtin e karakterin e Iljaz bej Mirahorit kishte shumë bamirësi, aq sa këto nuk njihnin kufij. Për këtë arsye, atij i jepet edhe titulli “Myteveli”, që në shqip do të thotë Kujdestar, nëpunës vakfi.

Edhe sot dera dhe pasardhësit e Mirahorit të madh njihen me mbiemrin Myteveliu. Këtë titull e trashëgonte djali dhe në rast se nuk kishte trashëgimtar për ta trashëguar, për të drejtuar administratën e Imaretit, e merrte Sulltani, dhe kjo pronë nuk shitej, por mbetej, Vakëf. Martesa e tij me vajzën e Sulltan Bajazitit të Dytë ndikoi shumë në zhvillimin e rajonit të Korçës, duke e përjashtuar këtë rajon nga taksat deri edhe në përjashtimin e të rinjve nga detyrimi ushtarak, por edhe për vakëfet, nuk donte taksë.

“Filantropia” e Korçës, e para në Evropë

Pjesën më të madhe të pasurisë Iljaz bej Mirahor Myteveliu e bëri Imarete, Vakëfe. Në dokumente që kanë mbërritur deri në ditët tona, del qartë ideja e tij, për të qenë njeriu një filantrop i madh. Madje, në testamentin e tij, testament që ekziston edhe sot, dhe ruhet me shumë fanatizëm nga Rustem Myteveliu (i riu), ai është shprehur: “Pjesën më të madhe të pasurisë sime e bëra Imaret, se është pjesa me jetëgjatë dhe ndikon në zhvillimin e rajonit. Ky Imaret, Vakëf, vazhdoi për 500 vjet dhe drejtohej brez pas brezi nga dera e Mytevelinjve, pasardhësit e Mirahorit të Madh. Deri në vitin 1933, kur drejtohej nga Rustem Myteveliu (i vjetër), d.m.th., gjyshi i Rustem Hysen Myteveliut (i riu), nga i cili ka marrë edhe emrin. Format dhe rrugët për të ndihmuar të varfërit kanë ekzistuar në shekuj në Shqipëri dhe ato e kanë zanafillën e tyre që me Iljaz bej Mirahor Myteveliun, që tregon fare mirë se për bamirësi jemi të parët në rajon. Iljaz bej Mirahor Myteveliu vdiq më 1512. Varri i tij, i gruas dhe djalit të vogël, Sefer beut, ndodhen në tyrben ngjitur me xhaminë e ndërtuar prej tij në vitin 1496.

Pinjollët e ardhshëm të derës se Mirahorit të Madh, nipër, mbesa, stërnipër dhe stërmbesa, do të vazhdonin rrugën e bamirësisë të nisur nga Iljaz bej Mirahor Myteveliu. Ata do të shkëlqenin si atdhetarë dhe patriotë, por edhe si bejlerët e Korçës. Babai i Rustem Myteveliut, Hysen beu, si një atdhetar dhe patriot i ndershëm, mori pjesë në jetën social-kulturore të qytetit të Korçës, si anëtar i grupit “Lira”. Gjyshja e Rustem Myteveliut (i riu) vjen nga dera e Frashërllinjve, rilindësve tanë të shquar, Sami, Abdyl dhe Naimi. Ajo është kushërirë e parë me nënën e Frashërllinjve, Eminenë. Gjylistania, duke ardhur nga kjo derë rilindësish, ndikoi shumë në edukimin dhe formimin e tyre patriotik. Gjatë viteve të pushtimit fashist dhe nazist, kjo derë e bejlerëve të Korçës, pra, Mytevelinjtë, u vunë në shërbim të Luftës Nacional-Çlirimtare, për të cilën shkrinë, po ashtu, edhe pasurinë e tyre. Ata i kanë dhënë luftës pesë partizanë, ku midis tyre, edhe dëshmoren e Atdheut, Floresha Myteveliu, bija e Ruzhdi bej Myteveliut. Dy rrugë, shumë ngjitur me njëra-tjetrën, rrotull xhamisë së ndërtuar nga Mirahori i Madh, mbajnë emrin Iljaz bej Mirahori dhe Floresha Myteveliu. Por gjatë regjimit komunist, dera e Mytevelinjve u godit në heshtje, ku në një mënyrë apo në një tjetër, u konfiskohet pasuria, duke filluar me shtetëzimin e malit të Rungajës, prishjen e disa shtëpive, Imaretin, furrat e pjekjes së bukës dhe gatimit.

Rustem Hysen Myteveliu (i riu), me profesion ekspert në urbanistikën e qytetit të Korçës, si një nga stërnipat e Mirahorit të Madh, duke atribuar nga i pari i fisit të tij anët me të mira, shprehet kështu për qytetin e Korçës, të themeluar nga Iljaz bej Mirahor Myteveliu:

“Korça ka një truall me një pjerrësi të favorshme dhe të përshtatshme për zhvillimin dhe ndërtimin e infrastrukturës së rrjetit rrugor, të lagjeve të banimit, shpërndarjen e zonave ekonomike, industriale apo për çlodhje dhe të gjitha këto, janë të lidhura në mënyrë organike, që i japin qytetit një komoditet të mjaftueshëm dhe në përshtatje me klimën. Kodrat e qytetit formojnë një kurorë të larmishme ku mbi to ngrihet mali i Moravës, që mbron qytetin nga përmbytjet dhe erërat e forta. Duke shfrytëzuar këto elemente të pozitës gjeografike, Iljaz bej Mirahor Myteveliu i famshëm, hodhi themelet e Korçës sonë”. Duke u ndarë nga Rustem Myteveliu (i riu) me këtë histori me shumë vlera kombëtare për popullin tonë, për derën e bejlerëve Mytevelinj, si hedhës të themeleve të qytetit tim, Korçës, në shpirtin tim vlonte krenaria kombëtare, mirënjohja, respekti, nderimi për këtë derë bejlerësh patriotë dhe për Mirahorin e madh.

Duke ecur nëpër rrugët me kalldrëm të lagjes sime, të lagjes së Mirahorit të Madh, në mendjen time ishin të ngulitura 600 vitet e themelimit të qytetit të Korçës, m’u kujtuan vargjet e Mihal Gramenos: “Lumja ti moj Korçë, o lule/që le pas shoqet e tua/si trimi në ballë u sule/ta paçim përjetë hua”. Nuk do rresht së shkruari për historikun e qytetit tim, Korçës, të bukur, mondan, modern, historik, antik, të tolerancës fetare, të dijes e të kulturës, të arsimimit, të ëndrrave të mia.

Raimonda Moisiu /Drita Islame/

 

 

One Response to Mytevelinjtë – bejlerët që hodhën themelet e Korçës

  1. Selman Cevani 12/05/2012 at 08:02

    Shume shume i bukur! Cfare eshte imareti, ju lutem, a ka mundesi te na e shpjegoni me gjate?

You must be logged in to post a comment Login