Mytesim Këlliçi

Vani Fico%2c 7Myfti, Kadi në Kavajë, Tiranë e Durrës

Mytesim Këlliçi lindi në Tiranë në vitin 1866 në një familje patriotësh. I ati, Zyberi, që ishte hoxhë, duke qenë më i madhi i tre vëllezërve, e çoi për studime në Stamboll, ku kreu shkollën e mesme (medrese) dhe atë të lartën për teologji dhe drejtësi, që i kreu me rezultate të larta. Gjatë studimeve arriti të përvetësojë mirë gjuhët osmane, arabe dhe perse. Për një kohë qëndroi në Turqi edhe pas përfundimit të studimeve, ku caktohet pedagog në medresenë e lartë të Bursës dhe në atë të Izmirit. Për punë të mirë dekorohet dhe lavdërohet edhe nga Shejhul Islami.

Gjatë qëndrimit atje lidhet me atdhetarë, që luftonin për çështjen kombëtare si Dr. Ibrahim Temo dhe Mihal Grameno.

Pasi kthehet në Shqipëri, fillimisht emërohet si myfti-kadi në Kavajë dhe më vonë transferohet në Durrës me të njëjtën detyrë. Për punë të mirë lavdërohet sidomos në lidhje me mbarëvajtjen e shkollave dhe të veprimtarive me karakter kombëtar.

Më 1908, në krye të një grupi atdhetarësh durrsak si Stefan Kaçulini, Kasëm Durrësi, Agostin Serreqi, etj., kërkojnë përdorimin e gjuhës shqipe. Pas një viti, më 1909, merr pjesë në Kongresin e Dibrës me krahun e grupit atdhetar, që kërkon hapjen e shkollave shqipe dhe përdorimin e alfabetit latin për shkrimin e gjuhës shqipe. Gjithashtu shprehet për shërbesë fetare shqip ndër xhami.

Në korrik e gusht të vitit 1912, kur ishte myfti në Durrës, në krye të një grupi atdhetarësh si Abaz Çelkupa, Jahja Ballhysa, Adem Karantina, Musta Ali Brahimi etj., mbledhin ndihma në popullin durrsak dhe shkon në Krujë për në Sarisalltik, ku takohet dhe ia dorëzon ndihmat Abdi Toptanit, komandant i forcave kryengritëse. Prej andej shkon me grupin e përfaqësuesve të Shqipërisë së Mesme e të Veriut në Shkup me ftesë të Hasan Prishtinës, për miratimin e memorandumit prej 14 pikash paraqitur komisionit osman për të drejtat kombëtare. Merr pjesë në ngritjen e flamurit në Tiranë e Kavajë. Këtu i paraqitet rasti të miqësohet edhe me Isa Boletinin.

Rëndësi të veçantë Mytesimi i kushtonte bashkimit kombëtar pa dallim feje. Për këtë flet fakti se ai merr pjesë në përurimin e kishës së re orthodokse në Durrës.Gjatë Luftës së Parë Botërore internohet në Berat, ku qëndroi rreth 15 muaj së bashku me Myslym Llagamin.

Kur atdheut i kërcënohej pavarësia, populli i Tiranës e zgjedh përfaqësues bashkë me Abdi Toptanin për në Kongresin e Lushnjës. Me gjithë presionin e bërë nga qeveria e Durrësit dhe komandanti italian në qytet, ai shkon në Lushnjë dhe mbështet kongresin.

Në mbledhjen e këshillit Kombëtar më 27.3.1920, zgjidhet përkohësisht kryetar i senatit si më i moshuari i senatorëve që ishte.

Në prill 1920 nënshkruan bashkë me Ismail Ndroqin, Abdi Toptanin, Muhedin Llagamin, Abdullah Alimehmetin etj., protestën që populli i Tiranës i dërgoi konferencës së paqes në San Remo për të mos cenuar pavarësinë dhe tërësinë tokësore të Shqipërisë.

Ai ndikoi gjithashtu në shkollimin e femrës tiranase si dhe në krijimin e strehës vorfnore për jetimët së bashku me patriotët Zyber Hallulli, Rauf Fico, Luigj Shala, Xhelal Toptani, etj.

Duke qenë se aderonte në politikën e Nolit që në Kongresin e Lushnjës, Zogu më 1922 e internon në Gjirokastër ku qëndron për 14 muaj derisa u sëmur.

Vdiq në Tiranë më 28 shkurt 1924.

Me këtë rast, Hafiz Ibrahim Dalliu jep ketë njoftim në gazetën «Dajti»:

“Pardje i mbarojë nefert e kësaj jete e u varros myftiu i Tiranës Mytesim Këlliçi… shumë kohë myfti në Kavajë e në Durrës, një nga senatorët e Lushnjës, i vuajtur për çështjen kombëtare…”

Për të nderuar kujtimin e tij, qeveria e Nolit (1924), i vuri emrin një rruge në lagjen ku banonte, emër që e mban edhe sot.[1]

—————————————————————————–

[1] Dizdari, Nasuf T., gazeta “Drita Islame”, nr. 8, 1992: 3.

You must be logged in to post a comment Login