Myslimanët ndihmojnë banorët e bllokuar nga dëbora

Besimtarë dhe biznesmenë të ndryshëm i janë përgjigjur thirrjes së Komunitetit Mysliman të Shqipërisë duke kontribuar në dhurimin e artikujve ushqimorë dhe veshmbathjeve të ndryshme për familjet e izoluara nga kushtet atmosferike.

Nënkryetari i KMSH-së, z. Bujar Spahiu, i pranishëm gjatë përgatitjeve të pakove, falënderoi kontribuuesit dhe theksoi rëndësinë e zgjatjes së dorës së ndihmës.

“Ne duhet të jemi gjithmonë të gatshëm për të zgjatur dorën e ndihmës për të gjithë ata që kanë nevojë në këto ditë të vështira. Falënderoj të gjithë ata njerëz bujarë, të cilët nuk harrojnë të ndihmojnë të tjerët në rast nevojë”, tha ndër të tjera z. Spahiu.

Në ambientet e xhamisë “Dine Hoxha” ishte i pranishëm edhe myftiu i Tiranës, z. Ylli Gurra dhe imami Ahmed Kalaja.

Myftiu i Tiranës vlerësoi shpirtin dhurues të besimtarëve në mbështetje të nevojtarëve.

“Sot jemi pranë një rasti të mrekullueshëm, ku njerëz zemërbardhë bëhen shembuj solidariteti, duke kontribuar dhe i ardhur në ndihmë njerëzve në nevojë. Këto pako do të shkojnë për njerëzit e sëmurë, invalidët, të moshuarit dhe ata që marrin asistencë sociale”, tha Myftiu Gurra.

Janë 60 ton ndihma, afërsisht 800 pako, të cilat do të shpërndahen kryesisht në rrethet: Pukë, Kukës, Librazhd, Tropojë, Peshkopi, Fushë-Arrëz, Korçë e Tiranë. Ndërkohë vijon mbledhja e ndihmave edhe në xhami të tjera të vendit.

19 janar 2017

You must be logged in to post a comment Login