Myftinia Pukë, seminar kushtuar natës së Miraxhit

OLYMPUS DIGITAL CAMERAMe rastin e natës së madhe të “Miraxhit”, Myftinia e rrethit të Pukës zhvilloi një seminar  me temë: “Nata e madhe e Miraxhit dhe vlerat e saj.”

Në fjalën e tij të rastit Myftiu i Pukës Gëzim Kopani, bëri thirrje për forcimin e vlerave shpirtërore e shoqërore. “Në këtë natë të madhe le të punojmë të gjithë së bashku për rritjen e besimit tek i madhi Zoti pasi me besimin tek i madhi Zot njeriu mund të realizoj çdo qëllim. Me besimin tek Zoti myslimani largohet nga veprat e liga, dhe i afrohet punëve të mira. Le të punojmë të gjithë së bashku për forcimin e vlerave shpirtërore jo vetëm ato personale por edhe shoqërore, pasi të gjithëve na intereson që të kemi një shoqëri të shëndoshë dhe me vlera humane dhe kulturore”, u shpreh myftiu Kopani.

Ndërsa prof. Xhemal Meçi, anëtar i Këshillit të Myftinisë së këtij rrethi, mbajti kumtesën: “Tradita zakonore e pukjaneve për festimin e netëve të mëdha.” Në fjalën e tij prof. Meçi ndër të tjera tha se: “…Në rrethin e Pukës çdo herë janë festuar dhe kremtuar netët e mëdha. Pukjanët në mënyrë të organizuar kanë festuar natën e Mevludit, ku këndonin Kur’an dhe Mevlud. Kjo traditë ishte shumë e njohur në Pukë, Kabash, Qerret, Kryezi, etj. Pukjanët çdo herë në mënyrë madhështore kanë kremtuar edhe muajin e shenjtë të Ramazanit e për më tepër natën e Kadrit. Unë, mbaj mend topat e Kodërhanit kur binin në kohen e iftarit për të treguar se ka hyrë koha e iftarit, në fshatin tonë Meçe fëmijët ecnin nëpër rrugët e fshatit duke thënë: “Pini ujë se plasen topat.”

Në seminar u këndua pjesë nga Kur’ani Famëlartë në hapje dhe mbyllje si dhe ilahi kushtuar profetit Muhamed a.s.

Në kuadër të natës së madhe të Miraxhit  Myftinia e Pukës ka zhvilluar takime edhe në qytetin e Fush-Arrëzit si dhe në fshatin Qerret.

/Drita Islame/

 

You must be logged in to post a comment Login