Muri

muri i zi

Në fjetoren e spitalit ndodheshin tre të paralizuar. I pari që kishte ardhur aty e kishte shtratin pranë dritares, i dyti në mes të dhomës, ndërsa i treti pranë derës. I sëmuri që gjendej në mes të dhomës ishte optimist, ndaj dhe me bisedat që bënte, zbaviste të tjerët, duke u munduar t’ua pakësonte dhimbjet.

Një natë të ftohtë dimri, i sëmuri që rrinte pranë dritares, vdiq. E hoqën prej aty dhe të sëmurin e mesit të dhomës e vendosën pranë dritares, ndërsa atë që ishte pranë derës e vendosën në mes të dhomës. Në vendin e boshatisur sollën një tjetër të paralizuar.

Burri optimist i vendosur pranë dritares, nisi të tregonte ato që shikonte përjashta. Duke shpjeguar gjerë e gjatë parkun fantastik në qoshe të rrugës, pemët e mëdha të rrapit, zogjtë shumëngjyrësh dhe fushat e mbushura me lule në malet përballë, i qetësonte shokët të cilët ishin në atë gjendje pa rrugëdalje.

Më vonë, ai nisi t’u vinte emra atyre që kalonin. Dy të sëmurët e tjerë sikur i shihnin vetë njerëzit që shkonin në mëngjes në punë, fëmijët që loznin në park, shitësit dhe historitë e atyre që ktheheshin mbrëmjeve të lodhur në shtëpi.

Pas pak kohe, ambienti i zymtë i spitalit që ta rëndonte shpirtin, u largua dhe orët e mërzitshme që nuk dinin të kalonin, u mbushën me histori njëra më e bukur se tjetra.

Një ditë, burrit që ishte në mes të dhomës i erdhi në mend një ide. Nëse burri që rrinte pranë dritares do të vdiste, në vend të tij do të kalonte ai dhe do ta shikonte me sytë e tij jetën e gjallë përjashta. Ky mendim sikur ia helmoi zemrën. I shtrirë aty në krevat, gjithnjë mendonte për këtë dhe kërkonte një zgjidhje. Dhe një ditë e gjeti. I sëmuri pranë dritares kalonte kriza, sidomos gjatë natës.

Kur gjendej në këtë situatë, burri e zgjaste me vështirësi dorën për të marrë ilaçet mbi komodinë dhe, meqë në dhomë nuk kishte infermier për t’u kujdesur gjatë natës, i pinte vetë ato.

Një natë, kur të sëmurit pranë dritares iu përsërit prapë kriza, burri në mes të dhomës u ngrit me shumë vështirësi dhe i rrëzoi ilaçet e të sëmurit.

Të nesërmen në mëngjes, të sëmurin pranë dritares e gjetën të vdekur. Pasi e ngritën, vendosën në vend të tij të sëmurin që rrinte në mes të dhomës.

Kur burri u ngrit të shikonte me emocion peizazhin nga jashtë dritares, sa nuk i ra të fikët.

Disa metra larg dritares nuk kishte asgjë tjetër veç një muri të zi.

Xhynejd Suvavi

You must be logged in to post a comment Login