Mulla Rasim Zapodi (1867-1924)

Mulla Rasim Selman Zapodi lindi në Zapod të krahinës së Gorës më 1867 dhe vdiq në moshën 57 vjeçare, në muajin qershor të vitit 1924.

Jeta dhe veprimtaria e Mulla Rasimit janë të lidhura ngushtë me atë periudhë të lavdishme historike të rritjes së vrullshme të Lëvizjes Kombëtare, pjesëmarrës dhe veprimtar aktiv i së cilës ai u bë që në moshë të re.

Mulla Rasim Zapodi u brumos e u formua si atdhetar i flaktë e do të bëhej tribun popullor i krahinës së Gorës në luftërat e mëdha të popullit tonë për liri e pavarësi kombëtare, për përparim shoqëror dhe ide të larta demokratike.

Ndonëse në fshatin e tij ishte hapur vite më parë mejtepi turk, nga Dervish Ajeti, i cili i mësonte fëmijët e fshatit dhe fshatrave përreth, i ati, Selmani, meqenëse bënte tregti në Prizren, vendosi që ta dërgonte të birin në mejtepin turk të qytetit të Prizrenit, ku për mësues pati patriotin e shquar Ymer Sylejman Prizrenin.

Brumosja e tij me ndjenjën e atdhedashurisë vazhduan gjatë viteve të mësimit në medresenë e Prizrenit, të cilat përkojnë me krijimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në vitin 1878, si dhe luftërat që ajo zhvilloi kundër Perandorisë Osmane, në vitet 1878-1881, si dhe luftërat që lidhja bëri për ruajtjen e tërësisë tokësore të Shqipërisë kundër planeve të fuqive evropiane dhe synimeve grabitqare të shovinistëve të Serbisë, Malit të Zi, Greqisë, Bullgarisë, etj.

Mjedisi familjar në të cilin u rrit, e veçanërisht vitet e studimeve në mejtepin e medresesë së qytetit të Prizrenit, e ushqyen Mulla Rasimin me një dashuri të zjarrtë për atdheun dhe popullin e tij të shumëvuajtur.

Pasi kreu mësimet në Medresenë e Prizrenit, vijoi studimet e larta në gjuhën turko-arabe në qytetin e Kavallës, në Greqi, të cilat i mbaroi në vitin 1890, së bashku me Hoxhë Mehmetin e Shtiqnit, me të cilin nuk u ndanë kurrë gjatë gjithë viteve të jetës.

Pas përfundimit të studimeve të larta, në vitin 1890 ai nis punë si imam (hoxhë) në xhaminë e fshatit Lojme, ku hapi edhe mejtepin në gjuhën turke-arabe, ku do t’u jepte mësim nxënësve të fshatrave Lojme dhe Nimçë. Aty punoi gati 3 vjet.

Nga fshati Lojme ai do të transferohet dhe do të nisë punën në fshatin e lindjes, në Zapod, ku do të shërbejë si hoxhë i xhamisë së fshatit, si dhe do të japë mësim në gjuhët turke dhe arabe, të cilat i zotëronte shumë mirë.

Në periudhën 1897-1912, ai do të njihet e do të krijojë lidhje me patriotët e krahinës së Lumës dhe Gorës, si: Hoxhë Mehmetin, Ramadan Cikun, Islam Spahinë, Ramadan Zaskocin, Ymer Sylën, Sylë Elezin, Xhafer Bislimin, Hoxhë Hallaçin, Sulejman Laçin, Hoxhë Brutin, Kadri Shahinin, Mulla Arif Krushën, Qamil Beqën, Nail Hoxhën, Mulla Beqirin, Mulla Arifin, Xhelil Krasniqin, Mulla Harunin, Ismail Efendinë, Mulla Isufin, Azem Hajrullahun, Baftjar Kollovozin, Shahin Muharremin e deri Elez Isufin e Dibrës, etj.

Ishin këto njohje e lidhje që pati me patriotë e prijës të shquar të krahinave të Lumës e të Gorës që e shtynë Rasim Zapodin të futet në rrugën e veprimtarisë së tij patriotike, duke u bërë kështu një prijës popullor, i cili do të luftojë me armë në dorë dhe të marrë pjesë në luftimet që do të zhvilloheshin në vitet 1900-1912 kundër osmanëve dhe në vitet 1913-1923 kundër ushtrive pushtuese serbe që sulmuan Lumën dhe Gorën.

Ai do të marrë pjesë aktive si prijës popullor në luftimet e zhvilluara në vitin 1913 në Malin e Koritnikut dhe në vitin 1914 në luftën e Zhurit kundër forcave ushtarake serbe, ku do të shquhej si prijës dhe luftëtar me armë në dorë, për guximin, trimërinë dhe heroizmin e tij, që është karakterizuar në luftime dhe beteja të përgjakshme që u zhvilluan me ushtritë serbe.

Në vitet 1919-1922, Mulla Rasimi zhvillon një aktivitet të madh patriotik ku harton dhe dërgon shumë nota proteste në emër të popullit të krahinave të Gorës dhe të Opojës për ndryshimin e gjendjes së këtyre krahinave dhe kundër vendimeve antishqiptare që u morën në Konferencën e Londrës në vitin 1913 dhe në Konferencën e Parisit në vitin 1919, të cilët caktuan kufijtë politikë të Shqipërisë, duke lënë jashtë tyre krahinat e Kosovës, Gorës, Lumës dhe Dibrës, e duke ua njohur si territore të Serbisë, pavarësisht se këto krahina banoheshin nga një popullsi me shumicë shqiptare.

Gjatë viteve 1919-1923, klanet serbe, për interesat e tyre uzurpuese, deshën që ta largonin atdhetarin e shquar dhe luftëtarin për çështjen kombëtare shqiptare, Mulla Rasim Selman Zapodin, duke i premtuar atij postin e Kryetarit të Komunës së Gorës dhe të Opojës, por ai e hodhi poshtë me përbuzje të madhe atë dhe të gjitha ofertat e bëra nga paria serbe, të cilave iu përgjigj: “Unë nuk jam ai njeri që ju kërkoni të më bëni; unë as nuk shitem e as nuk blihem me kolltukun që më ofroni për kryetar të Komunës së Gorës dhe Opojës… unë jetoj me dijen dhe zanatin që kam fituar në jetë”.

Në notë protestat që ka përgatitur vetë Mulla Rasimi, të cilat ua ka dërguar organeve më të larta të Qeverisë Shqiptare dhe anëtarëve të Komisionit Ndërkombëtar për vendosjen e kufirit shqiptaro-serb gjatë viteve 1922-1923, ai kërkon me ngulm që krahina e Gorës dhe e Opojës të mbeten brenda kufirit të shtetit shqiptar.

Jo vetëm kaq, por ai bëri protesta të fuqishme edhe kundër politikës shkombëtarizuese, masakrave shfarosëse, ndjekjeve e burgimeve që i bëheshin popullsisë së krahinave të Kosovës, Hasit, Gorës, Opojës, Lumës dhe Dibrës nga forcat serbe.

Gjatë viteve 1913-1922, forcat serbe, jo vetëm që e kanë ndjekur vazhdimisht për ta kapur e ekzekutuar fizikisht Mulla Rasimin, por edhe e kanë detyruar dy herë që të bëjë jetë ilegale, së bashku me të gjithë pjesëtarët e familjes dhe banorët e fshatit, si dhe u kanë djegur e shkatërruar dy herë shtëpinë që kishin në Zapod.

Megjithatë, të gjitha këto masa represive që kanë praktikuar pushtuesit serbë, nuk kanë mundur ta largojnë Rasim Zapodin nga rruga e veprimtarisë patriotike për çështjen kombëtare shqiptare dhe veçanërisht për mbrojtjen e interesave të popullit të krahinës së Gorës në tërësi dhe të Zapodit në veçanti.

Në këtë fshat e në këtë krahinë ai lindi e u rrit me dashurinë për atdheun duke u bërë prijës popullor e duke bërë sakrifica të panumërta për popullin liridashës të Gorës e Zapodit dhe për çështjen e madhe të lirisë, pavarësisë e çlirimit kombëtar.

Pas tërheqjes së të gjitha forcave të ushtrisë serbe nga fshatrat e Gorës, që mbetën brenda kufirit politik të Shqipërisë, Mulla Rasimi, në prill të vitit 1923, kthehet në Zapod ku shtëpinë e tij, në të cilën për një kohë të gjatë kishte qëndruar komanda serbe, e gjen plotësisht të shkatërruar. Me ndihmën e fshatarëve dhe miqve të tij e rindërtoi shtëpinë dhe filloi një jetë normale së bashku me familjen dhe bashkëfshatarët e tij.

Në qershorin e vitit 1923 u bënë zgjedhjet për anëtarët e komunës së Gorës, e cila përfshinte tashmë edhe fshatra të tjerë, si Belja, Lomja, Nimça, Novoseja, Brekija, Topojani, Kollovozi e Shtreza. Në këto zgjedhje Mulla Rasimi u zgjodh Kryetar i Komunës së Gorës, detyrë të cilën ai do ta kryente deri në vitin 1924, kur për shkak të një pleviti të rëndë që kishte marrë, ai ndërron jetë.

Në varrimin e Mulla Rasim Zapodit morën pjesë banorët e fshatrave të zonës së Zapodit, siç ishin Pakishti, Kosharishti, Orçikla, Orgjosti, Belja dhe Lomja. Bashkë me ta morën pjesë edhe hoxhallarët e këtyre fshatrave Mulla Beqiri, Mulla Arifi, Mulla Isufi nga Borja, Hoxhë Mehmeti nga Shtiqni dhe Hoxhë Hallaçi nga Përbregu, të cilët së bashku me popullin e përcollën Mulla Rasimin nga kjo jetë.

Për veprimtarinë patriotike që ka zhvilluar Rasim Selman Zapodi për çështjen kombëtare shqiptare e të popullit të krahinës së Gorës dhe për pjesëmarrjen e tij si luftëtar dhe udhëheqës popullor me armë në dorë, Presidiumi i Kuvendit popullor të Shqipërisë e ka dekoruar me Medalje dhe Urdhër për veprimtari patriotike që ka zhvilluar në luftën për liri, pavarësi dhe çlirimin kombëtar të Shqipërisë.

Emri i Mulla Rasim Zapodit dhe vepra e tij patriotike janë burim i madh frymëzimi për të gjithë njerëzit, si dhe na mëson të gjithëve ta duam me gjithë shpirt Atdheun dhe kombin shqiptar.

Në Pikëllimë, po ushton zani,

Fort po thërret ky Rasim Selmani,

I jep përgjigje, edhe Topojani,

Vijnë me trimat, e këtij vatani,

Të tanë janë, me armë, taborë

Me flamur të kuq, në dorë…

Qemal Mataj

/Revista ‘Drita islame’, nëntor 2017/

You must be logged in to post a comment Login