Muharrem Mullahi (1880-1964)

14361289_681695711983602_5293901362229783072_oNë radhën e figurave të ndritura historike të kulturës islame në Shqipëri zë vend të nderuar edhe Muharrem Mullahi, i lindur në Dibër më 1880, në gjirin e një familje të njohur me tradita fetare islame e patriotike. Pasi kreu shkollën fillore, të mesmen e më pas studimet e larta teologjike në Stamboll, erdhi në Shqipëri. Më 1914 ai filloi punën si myfti i Fierit, duke e vazhduar më pas këtë punë të nderuar fetare edhe në vende të tjera, si myfti në Ballsh, në Elbasan edhe në Korçë. Më 1930 ai filloi punën si kryemyfti i Tiranës pranë Komunitetit Mysliman, vit në të cilin, sipas Prof. Ahmed Kondos , u vendos përfundimisht në Tiranë.
Gjatë punës së tij drejtuese 50 vjeçare si myfti dhe si kryemyfti, Muharrem Mullahi është shquar si drejtues me ideale të larta islame dhe patriotike për kryerjen me përpikëri të plotë të të gjitha detyrave, sidomos në interpretimin dhe shkoqitjen e mirë të shumë problemeve fetare që kërkonin zgjidhje.
I rregullt e i kujdesshëm në veshje, në përshtatje edhe me detyrën, ai duhej të jepte shembullin personal në të gjitha fushat e jetës. Ishte gjithashtu në natyrën e detyrës së myftiut që e lidhte me shtresa shoqërore në të mirë e në raste fatkeqësish, në punë zyre, në xhami e jashtë saj, në mjedise familjare, në qytet e në fshat. I shkonin në takim në zyrën e tij për t’u këshilluar për probleme fetare, për çështje pronësie etj. E ftonin në dasma se ua nderonte sofrën, e ftonin në kuvende se ua zbukuronte “muhabetin”; e prisnin në raste dhimbjesh e fatkeqësish, se me fjalën e tij ua lehtësonte dhimbjen e ua zbuste plagët. Bisedat e tij mishëronin parimet e moralit islam.
Besimtarët myslimanë që kishin rastin të dëgjonin predikimet e tij, dilnin të mrekulluar nga porta e xhamisë. Arti i të folurit bukur është një tregues domethënës edhe për nivelin kulturor të oratorit. Bisedat e fuqishme, të argumentuara e të deklamuara me mjeshtëri, e bënin dëgjuesin të mos i frikësohet asnjë vështirësie.
Muharrem Mullahi nuk ka shumë shkrime, sepse ishte mjaft i ngarkuar me punët e detyrës. Ne po mjaftohemi vetëm me njërin, i titulluar: “Një shkurtim shqip i predikimit që mbajti Muharrem Mullahi, kryemyftiu i Tiranës në Xhaminë e Vjetër me rastin e ditës së Kurban Bajramit”, ku folësi mes të tjerash është shprehur:
“…Njerëzia ndodhej në errësirë dhe kishte humbur rrugën e Zotit… Feja, virtyti nuk kishin kurrkund gjurmë… Kur popujt ishin në një gjendje të vajtueshme, nderi i gjithë profetëve, Muhamedi a.s. filloi me shkëlqye horizontin me dritën e lajmit Hyjnor… Nuk ishte mbush akoma një dyzinë vjetësh, pasi kishte ndërruar jetë ai, kurse fjala e Zotit u përhap në një horizont shumë të gjerë, valët e saj shembën fronin madhështor të Persisë, tronditën atë të Kajzerit, u përplasën në majat e Himalajes e të Atlasit…”.
Muharrem Efendiu nuk ndiente lodhje kur shpjegonte dispozitat e Sheriatit në fushën e pasurisë. Dr. Jonuz Tafaj, noteri veteran tiranas në një bisedë me studiuesin Faik Kasollja, pati thënë: “Muharrem Efendiu e njihte shumë mirë shkencën e Faraidit (Faraidi është disiplina e Sheriatit Islam që studion dispozitat ligjore të pronës e të pasurisë dhe rregullat e ndarjes së saj ndërmjet pjesëtarëve) dhe se gjyqtarët merrnin parasysh ndarjen e pasurisë sipas deklarimeve dhe porosive të Myftiut.”
Ai është shquar si organizator kryesor i ritualeve fetare në qendër dhe në bazë, siç janë predikimet e myftinjve, vaizëve e sidomos të imamëve në ditët e premte, në ditë apo në raste të tjera të shënuara. Ai është shquar gjithashtu për ndjekjen e përditshme të detyrave në zhvillimin dhe shtrirjen e veprimtarisë islame në tërë Shqipërinë, në organizimin e propagandës dhe si propagandohet; në ligjërimet kuranore dhe thëniet profetike në shkallë kombëtare. Pikërisht për këto detyra të larta organizative drejtuese është shquar Muharrem Mullahi, si kryemyfti i Shqipërisë së asaj kohe, duke e ngritur prestigjin mysliman edhe jashtë në botën islame, sidomos te shqiptarët e Kosovës dhe të Dibrës, të Tetovës dhe Gostivarit.
Tërheqëse dhe domethënëse ishin ligjëratat që mbante Muharrem Mullahi në auditorët e gjera të xhamive të Tiranës e gjetkë. Fjala e tij është e gjithanshme për intelektualët, për rininë, për masën e gjerë të besimtarëve dhe besimtareve. Për këto veti të larta shpirtërore e kulturore ai gëzonte respekt të lartë që brezat e sotëm i ruajnë me admirim këto figura islame dhe patriotike kombëtare shqiptare.
Krahas funksionit si myfti e më pas si kryemyfti, punoi pa u lodhur edhe në përgatitjen e shumë hoxhallarëve.
Pas Luftës së Dytë Botërore, me rihapjen e Medresesë së Tiranës u mendua që të tërhiqeshin sa më shumë personalitete të kulturës islame rreth këtij institucioni, i vetmi i llojit të tij në Shqipërinë e asaj kohe.
Muharrem Mullahi e kishte lidhur jetën e tij me karrierën e misionit të shërbimeve në rrugën e Islamit në kryeqytetin e Shqipërisë. Myftiu i Tiranës është gjithnjë i pranishëm në veprimtaritë e Komunitetit e aktivitetet e Medresesë, gjë që bie menjëherë në sy kur merr në dorë fotografi të asaj kohe.
Ai është aktivizuar në komisionet e pronësive pranë Medresesë së Naltë, ndaj studentët e asaj kohe ruajnë kujtime të pashlyera.
Në vitin 1950, si anëtar i një delegacioni mysliman shqiptar që vizitoi republikat myslimane ish-sovjetike të Azisë së Mesme, la përshtypje të mira për fjalimet dhe bisedat, gjë që dëshmoi për formimin e tij me njohuri të gjera e të thella kulturore islame.
Vdiq në Tiranë më 19 gusht 1964, i rrethuar me respektin e lartë si figurë e ndritur islame shqiptare.

You must be logged in to post a comment Login