Mrekullitë e Kuranit

Kaptina e Rumit

Në kohë të Hz. Muhamedit, romakët e krishterë në një luftë që patën bërë me persianët paganë qenë mundur e për këtë triumf të paganëve persianë u gëzuan paganët e Mekës dhe i thoshin Pejgamberit, Perënditë tona e mundën Zotin tuaj e atë të krishterëve. Atëherë i Madhi Allah me versetet e para të kësaj kaptine paralajmëron se romakët e krishterë shumë shpejt në një luftë të dytë do të triumfojnë kundër persianëve paganë. Edhe ashtu ndodhi.

  1. Elif Lam Mim,
  2. Romakët u mundën.
  3. Kjo gjë pati ndodhur në një krahinë afër; porse mbas disa vitesh Romakët do ta fitojnë luftën.
  4. Në krye e në fund çdo gjë është e Zotit; triumfi që do të vijë me hirin e Perëndisë do t’i kënaqi myslimanët;
  5. Zoti i ndihmon kujt të dojë. Ai është i pushtetshëm e i mëshirshëm.
  6. Kështu është premtimi i Perëndisë, i Cili nuk e thyen premtimin; porse shumë njerëz nuk e dinë këtë gjë.
  7. Ata dinë vetëm të dukurat e jetës së dynjasë e për ata të Ahiretit janë në gjumë.
  8. A nuk mendojnë ata se Perëndia krijoi me arsye qiejt, tokën e çdo send që ndodhet midis tyre. Koha e vazhdimit të tyre është përcaktuar; porse shumë njerëz nuk besojnë se do të paraqiten para Perëndisë.
  9. A nuk kanë shëtitur nëpër tokë? A s’kanë marrë vesh ç’i gjeti popujt që patën ardhur para tyre, me gjithë se kanë qenë më të pushtetshëm se ta? Popujt e kaluar e patën zbukuruar mjaft vendin e tyre; ata patën banuar në një krahinë më të hapur se ajo e këtyre të sotmëve. Atyre iu patën ardhur profetë me mrekulli në dorë; Perëndia nuk iu bëri padrejtësi, por ata i bënë padrejtësi vetvetes.
  10. Kush u soll keq gjeti fund të keq; versetet tona i përgënjeshtruan dhe u tallën me to.
  11. Perëndia së pari krijon, pastaj ringjall; pastaj të gjithë do të kthehen tek Ai.
  12. Kur të vijë dita e Kiametit fajtorët do të heshtin.
  13. Nuk do të kenë ndihmë e përkrahje nga idhujt që kanë adhuruar, të cilët atë ditë do t’i mohojnë.
  14. Kur të fillojë Kiametit njerëzit do të largohen prej sho-shoqit.
  15. Ata që besojnë e punojnë mirë do të rrinë në Xhenet.
  16. Porse ata që mohuan dhe përgënjeshtruan versetet e Zotit e ditën e Kiametit do të mundohen.
  17. Lavdëro Zotin në mbrëmje e në mëngjes.
  18. Të gjitha lavdërimet që bëhen në qiej e në tokë i përkasin vetëm Perëndisë. Lavdëroni Zotin në darkë e në drekë.
  19. Allahu nxjerr të gjallin prej të vdekurit dhe të vdekurin prej të gjallit, e tokën e thatë e ngjall; kështu edhe ju do të ringjalli prej varreve.
  20. Nga shenjat që dëshmojnë fuqinë e Zotit është krijimi i juaj prej dheu e pastaj u bëtë njerëz të shpërndarë nëpër tokë.
  21. Një shenjë tjetër që dëshmon madhërinë e Zotit janë edhe bashkëshortet tuaja që i krijoi prej jush për të ndenjur së bashku. Midis jush e grave tuaja krijoi edhe dashuri e simpati. Kjo gjë është një mësim për atë popull që mendon.

Ata që mendohen me seriozitet e kuptojnë prej këtij verseti pozitën e ndershme që i ka dhënë gruas Kurani. Gruaja në këtë pikëpamje është një gjë që na dëshmon Zotin e plotpushtetshëm. Ajo grua fisnike që e çmon këtë vlerë të saj bëhet engjëll i familjes, burimi i lumturisë së burrit e jo shkaktare e mëkatit sikurse predikojnë disa. Edhe e kundërta e kësaj pozite është e vërtetë. Edhe burri po këtë pozitë ka për gruan e vet.

  1. Krijimi i qiejve e i tokës, ndryshimi i gjuhëve e i ngjyrave tuaja formojnë një shenjë tjetër që dëshmon pushtetin e Krijuesit. Në këto gjëra ka shenja për dijetarët.

Me këtë verset Perëndia u drejtohet dijetarëve e shkencëtarëve: Studioni krijimin e rregullimin e qiejve e të tokës, gjuhët e ngjyrat e njerëzisë.

  1. Gjumi që bëni natën ose ditën edhe pasuria që mblidhni nga mirësitë e Zotit, janë shenja që vërtetojnë madhërinë e Zotit. Edhe në këtë gjë ka mësim për ata që marrin vesh.
  2. Edhe vetëtima që më një anë ju trishton por më anë tjetër ju jep shpresë për shi edhe të rënit e shiut që i jep gjallëri tokës janë shenja që dëshmojnë Pushtetin e Zotit. Në këtë gjë ka shenja për ata që kanë mend.
  3. Edhe të qëndruarit e mrekullueshëm të qiellit e të tokës me urdhrin e Tij, është një shenjë e pushtetit hyjnor. Pastaj kur t’ju thërrasin duke qenë ju ndër tokë, me të shpejtë keni për të dalë.
  4. Gjithçka në qiej e në tokë janë të Zotit, të Cilit i binden krejt.
  5. Allahu krijoi krijesat, Ai do t’i ringjallë; ringjallja është puna më e lehtë për Perëndinë; ky pushtet i Zotit duket në një gradë shumë të lartë në qiej e në tokë; vetëm Ai është i pushtetshëm e dijetar i urtë.
  6. Perëndia ju sjell edhe shembuj që i përkasin vetes suaj; nga mirësitë që ju japim a ju jepni pjesë të barabartë edhe skllevërve, që keni me dorën tuaj, sikurse shokëve tuaj të lirë? A druheni prej skllevërve sikurse prej shokëve të lirë? Për popullin që mendon kështu i shkoqisim shenjat tona.
  7. Vetëm zullumqarët janë që pa pasur ditur i shtrohen egoizmit dhe ambicies së vet; kush mundet ta kthejë në të mbarë atë që Perëndia e ka rrëshqitur, kush mund të bëhet përkrahës i këtij.
  8. O Muhamed! Drejtoje fytyrën tënde kah feja e vërtetë që është natyra në të cilën Perëndia e krijoi njeriun; s’ka ndryshim në krijimin e Zotit; kjo fe është e qëndrueshme e nuk ndryshon, mirëpo shumica e njerëzisë nuk e dinë.
  9. Hyni nën strehën e Perëndisë, vetëm prej Tij të keni frikë, faluni e mos u bëni prej paganësh!
  10. Mos u bëni nga ato të skizmës që trajtuan parti të ndryshme, çdo grup lavdërohet se, gjoja, partia e tyre është në të drejtë!
  11. Kur pësojnë ndonjë dëm i drejtohen Perëndisë dhe i ankohen e mbasi iu mbërrin mëshira e Zotit shumë vetë i shpifin shok.
  12. Ata me këtë mënyrë mohojnë të mirën e Zotit; mirëpo do të vijë një ditë që do ta marrin vesh fajin e vet.
  13. A nuk ju kemi dhënë ndonjë dokument që dëshmon se Zoti juaj ka shoh sikur pretendojnë ata?
  14. Njerëzit kur i mëshirojmë me mirësinë tonë lumturohen kur pësojnë të ligat e mëkateve të veta dëshpërohen pa masë.
  15. A s’e dinë se Perëndia kujt të dojë i jep rrizk boll e disave ia kufizon? Kjo mënyrë veprimi është një shenjë për me marrë ibret ata që besojnë.
  16. Jepi të drejtën secilit, farefisit, të vobektëve edhe udhëtarëve; kjo është më e mirë për ata që kërkojnë hirin e Perëndisë; këta njerëz gjejnë përdëllim.
  17. Kapitali që jepni me interes e me kamatë nuk shtohet te Perëndia. Te Perëndia shtohet e shumëfishohet vetëm lëmosha e zeqati që jepni për të fituar hirin e bekimin e Zotit.
  18. Perëndia ju krijoi edhe ju ushqen, do t’ju vdesë e do t’ju ringjalli përsëri. Ndonjëri nga putat që ia shoqëroni Zotit a mundet të bëjë kësi punësh? Perëndia qoftë lavdëruar është shumë më i lartë se zotat që ia shoqëroni ju.
  19. Mjerimet e tokës e të detit që i vijnë në kokë njerëzisë janë, pse duan të shijojnë qysh në këtë botë xhezanë e të ligave që kanë punuar, abolla që të heqin dorë.
  20. Thuaju: Dilni e shëtitni nëpër botë edhe shihni si u zhdukën popujt e kaluar që kanë qenë paganë!
  21. Drejto fytyrën tënde kah feja e qëndrueshme dhe e vërtetë përpara se të mbërrijë dita, prej së cilës s’keni si shpëtoni!
  22. Atë ditë njerëzia do të ndahet në dy parti; një parti formojnë ata lëngojnë nga përgjegjësia e mohimit edhe partinë tjetër e formojnë ata që kanë përgatitur vendin e vet në Xhenet me punët e mira që kanë bërë në këtë botë.
  23. Perëndia do t’iu dhurojë mirësitë e veta atyre që besojnë dhe bëjnë punë të mira; Zoti si do mohuesit.
  24. Nga shenjat që dëshmojnë madhështinë e Perëndisë janë edhe rregullimi i erërave që na sjellin paralajmërimin gazmor të shiut për të shijuar begatinë e Perëndisë e për të udhëtuar me fuqi të Vet anijet nëpër tallazet e detit, si edhe për të fituar dhuntitë e Zotit, abolla që t’i faleni nderit.

Ata që kanë studiuar rregullimin e erërave në të gjithë anët e botës, e kuptojnë fare mirë dijen e pasosur të Krijuesit. Megjithëse e kemi vendin të ngushtë, por s’mund të rrimë pa dhanë pak shpjegime mbi këtë fenomen që Kurani e paraqet një ndër shenjat e mrekullueshme të pushtetit hyjnor. Pra, si çdo verset tjetër, ashtu edhe ky verset i lartë dëshmon se Kurani shkoqitet edhe më tepër, sa më shumë që përparon shkenca e nuk është e udhës të gjykohet edhe Kurani si anti-shkencor sikur gjykohen librat e tjerë.

Si rregullohen erërat:

Sikurse na dëfton edhe barometri, ajri atmosferik shtyp. Ajri i ngrohtë shtyp më pak se i ftohti; edhe ajri i lagësht shtyp më pak se i thati. Ndryshimi i temperaturës dhe lagështirës e bën të lëkundur fuqinë e shtypëse të ajrit, i cili shtyp herë më tepër e herë më pak se grada mesatare që është 760 milimetra.

Shtypja ajrore e lëkundur në këtë mënyrë formon dy qendra: qendrën e sipërme dhe qendrën e poshtme.

Kur forca e shtypjes ajrore është më tepër se grada mesatare që dëfton barometri, atëherë është formuar qendra e sipërme e shtypjes ajrore; e kur është më pak se grada mesatare atëherë është formuar qendra e poshtme e shtypjes ajrore.

Qendra e sipërme formohet lart në qiell dhe e mbështjell nga të gjitha anët ajrin në një qendër e prej aty e derdh poshtë si prej një sifoni deri në sipërfaqe të tokës, prej kah e shpërndan.

Qendra e poshtme formohet në sipërfaqe të tokës dhe e mbështjell ajrin nga të gjitha anët edhe e ngren përpjetë në trajtën e ujit që kërcen nga një pus artezien edhe si ngrihet lart në qiell ky ajër shpërndahet anëve.

Qendrës së poshtme të shtypjes ajrore shqip i thonë shakullore e në gjuhën e shkencës i thonë Ciklon: qendrës së sipërme i thonë Anticiklon.

Qendra kryesore e cikloneve është në Ekuator, drejt të cilit fryjnë erërat nga çdo anë; këto erëra quhen alize.

Qendra kryesore e anticikloneve është nëpër pole e erërat që fryjnë lart në qiell drejt poleve quhen kontëralize.

Këto erëra rregullojnë klimën e çdo vendi dhe fenomenet meteorike.

Këto gjëra a mund të bëhen vetiu siç  pretendojnë disa? Jo, kurrë. Prandaj i Madhi Zot në Kuran në shumë vende, e sidomos në versetin e mësipërm urdhëron e thotë se “edhe rregullimi i erërave është një shenjë që dëshmon madhështinë dhe dijen e plotë e të urtë të Krijuesit”.

  1. Çdo populli para teje i kemi dërguar apostull me mrekulli të qarta; por ata i përgënjeshtruan edhe ne morëm shpagim. Përkrahja që Ne iu dhamë besimtarëve që e merituar dhe e arsyeshme.
  2. Perëndia është Ai që dërgon erërat që përhapin retë, të cilat i grumbullon e i pjesëton si do Vetë edhe prej tyre nxjerr shiun që i gëzon ata njerëz mbi të cilët e lëshon kur do Vetë.
  3. Kurse para se të bjerë shiu këta njerëz qenë të dëshpëruar.
  4. Vështro shenjat e mëshirës së Zotit; vështro si e ngjall tokën e vdekur; nji ky Zot do t’i ngjalli të vdekurit. Ai ka pushtet për çdo gjë.
  5. Shih si blasfemojnë (bëjnë kufër) kur iu çojmë ndonjë erë të nxehtë që jua zbeh bimët.
  6. Ti s’mundesh me iu dhanë dëgjim të vdekurve, s’mundesh me iu dhanë vesh të shurdhërve, se ata kthejnë fytyrën e ikin.
  7. Ti nuk je udhëheqës që t’i ndalosh nga të rrëshqiturit në rrugë të prapë ata që kanë zemër të verbër; t’i mund të bësh të dëgjojnë fjalën e Zotit vetëm ata që besojnë versetet Tona edhe i dorëzohen plotësisht vullnetit Tonë.
  8. Perëndia është që së pari ju krijon të dobët, pastaj ju jep fuqi e mbas fuqisë ju jep përsëri ligështi e flokë të thinjur. Perëndia është një i ditur e i pushtetshëm që krijon ç’të dojë.
  9. Mëkatart kur të vijë dita e fundit do të bëjnë be se kanë ndenjur nëpër varre vetëm nga një orë; ata edhe në këtë botë kështu gënjenin.
  10. Mirëpo ata që patën pjesë në besim e në dituri do t’iu thonë fajtorëve: “Ju keni ndenjur nëpër varre deri në ditën e ringjalljes që kallëzon libri i Zotit, qe ke erdhi ajo ditë; por ju këtë gjë s’e dinit!”
  11.  Atë ditë justifikimi i zullumqarëve nuk do t’u sigurojë ndonjë dobi dhe nuk do t’u kërkohet që ta kënaqin Perëndinë.
  12. Njerëzve u kemi treguar çdo shembull në këtë Kuran; në qoftë se ti u shfaq ndonjë mrekulli, kanë për të thënë se ti je gënjeshtar.
  13. Perëndia kështu i ndryn zemrat e atyre që s’dinë gjë.
  14. Ti duro, se premtimet e Perëndisë janë të vërteta, mos të të turbullojnë ata që s’kanë besim të shëndoshë!

“Zani i Naltë”, Shtator-Tetor 1935, nr. 9-10

You must be logged in to post a comment Login