Morali dhe etika në shoqëri

Emisioni “Me syrin e zemrës”, që transmetohet çdo mbrëmje në Ora News, ka vijuar më 2 gusht 2012 me temën “Morali dhe Etika”. Të ftuarit për këtë emision ishin Gazmend Aga, nënkryetari i KMSH-së dhe sociologu i njohur Gëzim Tushi.

Z. Aga foli mbi atë se çfarë është morali dhe etika në Islam, ku theksoi se morali i mirë, sjellja  mirë etike, qëndron në themel të fesë islame. “Një njeri nuk mund të jetë i mirë dhe i moralshëm vetëm në familje nëse nuk është edhe në shoqëri. Një person i sjellshëm, i respektueshëm dhe i dashur në familje, i tillë duhet të jetë edhe jashtë, në shoqëri, me të tjerët, përndryshe do të ishte hipokrit.”, theksoi z. Aga.

Ai shtoi se shembulli i një morali të mirë ishte vetë profeti Muhamed, paqja qoftë mbi të, me sjelljen e tij, me fëmijët, me gratë, me shokët, me të gjithë.

Nga ana e tij sociologu Tushi, nënvizoi rolin që ka feja në rregullimin e sjelljes dhe të moralit të njeriut në një shoqëri të caktuar. “Feja është një instrument shumë i rëndësishëm, që ndikon drejtpërdrejt në moralin e njeriut, një sjelljen etike të tij, rrjedhimisht dhe në përmirësimin e shoqërisë”

Shoqëria shqiptare në këtë tranzicion, dashur padashur po përdor edhe paranë si masë vlerësuese. Duke sjellë një aforizëm, shkrimtari Honore de Balzak thotë se “paraja merr vlerë kur ndjenja s’është më”. Kjo mund të shoqërohet edhe me një egocentrizëm, me një dëshirë për të qenë në qendër të vëmendjes së shoqërisë, etj.

Rritja e frikshme e përdoruesve të drogës në Shqipëri, përhapja e alkoolizmit dhe prostitucionit, po shoqërohen me mungesën e besimit tek morali publik dhe privat. Të gjitha këto dukuri amorale të jetës duket se e kanë vendosur shoqërinë tonë përballë një krize të qartë të moralit social dhe individual.

Pyetjes se ku po vemi? Çfarë duhet të bëjmë? Të ftuarit iu përgjigjën se mënyra më e mirë për të eliminuar këto vese është njohja e të rinjve me parimet morale dhe etike të fesë, ku u theksua roli që institucionet fetare duhet të kenë në këtë aspekt. Pasi feja është një rregullator i përkryer i individit dhe shoqërisë.

Morali ka qenë dhe vazhdon të jetë objekt diskutimi ndërmjet filozofëve, sociologëve, apo edhe njerëzve të thjeshtë kur në bisedat e tyre diskutojnë rreth shoqërisë. Fetë hyjnore në përgjithësi, sidomos Islami në veçanti, i kanë kushtuar një rëndësi të veçantë çështjes së moralit. Në bazë të gjithçkaje ato kanë përsosjen e moralit si treguesi kryesor i përmirësimit të përhershëm të njeriut.

 

Emisioni “Me syrin e zemrës” transmetohet çdo ditë (Live) në RTV Ora News në orën 19:00,  ritransmetohet në Channel One  në orën 20:00 dhe në Ora News në orën 04:00 të mëngjesit, si dhe në faqen e internetit www.ora-news.com në kohë reale.

/Drita Islame/

 

 

You must be logged in to post a comment Login