Mirësjellja me fqinjët

Myslimanët, sipas fesë islame, janë një bina, ndërtesë e madhe, ndërsa tullat e saj janë besimtarët. Çdo tullë po nuk qe e shëndoshë dhe e lidhur mirë me tjetrën e vë në rrezik ndërtesën dhe ndoshta shkakton dhe shembjen e saj. Tullat e binasë islame kudo që janë formojnë një ndërtesë të vetme që e fuqizojnë dhe e forcojnë jetën e shpirtin e vetëm, shpirtin e besimit që nuk njeh: ngjyra, raca, vende ose gjuhë që t’i përçajë. Ideja islame në këtë pikëpamje është një ide e vërtetë dhe praktike, dhe shëron në anëtarët e saj mjetet e përçarjes dhe të dobësisë së tyre duke i ftuar që të përgatisin vetet për një jetë të mirë dhe të pastër. Prandaj të tëra ordinancat e fesë islame, qofshin ato që kanë të bëjnë me besim, adhurim, moral, dhe veprime e bashkëpunim, synojnë në forcimin e bashkëpunimin e tyre, që të jenë një bina e vetme, të lidhur ngushtë me njëri-tjetrin.

Që ta mbajë këtë bina të fortë dhe të patundur ka porositur me këmbëngulje mirësjelljen ndaj fqinjit. Kur’ani i shenjtë jo vetëm që deklaron se besimtarët janë një bashkësi e vetme e janë vëllezër, por madje shpall se i tërë njerëzimi janë të njëjtë. Kur’ani urdhëron e thotë: “O ju njerëz, ruajuni nga Zoti që ju krijoi nga një person i vetëm dhe prej tij krijoi gruan e vet, dhe prej këtyre të dyve përhapi burra dhe gra të shumtë. Pra, ruajuni nga Zoti nga i Cili do të pyeteni dhe kujdesuni për të afërmit…” (4:1)

Pra, nga ky verset kuptohet se tërë njerëzimi janë të bijtë e Ademit dhe të Havasë.

Kur’ani i shenjtë kërkon prej besimtarëve të tij që t’u bëjnë mirë fqinjëve, qofshin të afërm ose të largët, qofshin të fesë së tyre ose të besimeve të tjera. Neve lexojmë në Kur’an: “dhe adhuroni Zotin e mos i bëni gjë shok Atij, bëjuni mirë prindërve, të afërmve, jetimëve, të varfërve, fqinjëve të afërm dhe fqinjëve të largët, shokut në krah, shtegtarëve dhe atyre që zotëroni. Zoti nuk i do ata që mbahen me të madh e mburren.” (4:36)

Në këtë verset mirësjellja me fqinjët përmendet krahas me adhurimin e Zotit, nderimin e prindërve, të afërmve etj., pra mirësjellja me fqinjët është një detyrë për besimtarët.

Prej detyrave të besimtarit ndaj fqinjit janë: T’i ndihmojë në vështirësi, të dëshpërohet nga ajo që e mundon, të kënaqet me atë që e gëzon e hatron, ta ngushëllojë në fatkeqësi, t’i kryej nevojat e tija, t’ia japë ndihmën kur t’ia kërkojë, ta këshillojë kur gabon, dhe ta mbrojë kur abuzohet.

Muavije bin Hajdeh na raporton dhe na thotë: “I thashë: O i dërguari i Zotit, cilat janë detyrat e mia ndaj fqinjit? Ai m’u përgjigj: “Po të sëmuret ta vizitosh, po të vdesë ta përcjellësh trupin e tij, po të kërkojë hua t’ia japësh, po të varfërohet ta përkrahësh, po t’i bjerë ndonjë e mirë ta urosh, po ta prekë ndonjë fatkeqësi ta ngushëllosh, mos e zgjat shumë murin e shtëpisë tënde që t’i zësh ajrin pa lejen e tij, mos e mundo me aromën e ushqimit që gatuan vetëm se po t’i dhurosh nga ai, po të blesh fruta dhuroji edhe atij disa ose silli në shtëpi fshehtas që mos t’i shohin, mos i lër fëmijët e tu që të dalin jashtë me to dhe t’i shohin fëmijët e tij dhe të dëshpërohen që nuk kanë.”

Kaq fort i ka dhënë rëndësi feja islame mirësjelljes ndaj fqinjit saqë Profeti ynë a.s. ka urdhëruar e ka thënë: “Ruaju nga të ndaluarat të jesh më i devotshmi i njerëzisë, kënaqu me çka të dhënë Zoti të jesh më i pasuri i njerëzisë, bëji mirë fqinjit që të jesh besimtar, duaj për njerëzinë çka do për vete që të jesh mysliman, mos qesh shumë se çështja e tepërt të vdes shpirtin.” Sikur na ka treguar Profeti se mirësjellja me fqinjët ka vlerë të madhe ashtu na ka treguar se sjellja ligsht me ta ka ndëshkime të rrepta në botën tjetër. Ai a.s. ka urdhëruar e ka thënë: “Për Zotin, nuk ka besim (të plotë), për Zotin nuk ka besim, për Zotin nuk ka besim…” Kur ata (shokët e tij) i thanë: “Kush o i dërguari i Zotit, ka humbur kaq shumë? Ai u tha: “Ai, fqinji i të cilit nuk është i siguruar nga pengesat e tij.”

Myslimanët që i kryejnë të tëra detyrat fetare por që nuk kanë moral të mirë dhe nuk sillen mirë me të tjerët, nuk janë në udhë të mbarë. Na raporton Ahmedi, në musnedin e tij, se iu tha Profetit a.s.: “O i dërguari i Zotit, filania përmendet për adhurimin e faljet e shumta, lëmoshat e tepërta që jep dhe agjërimet e shumta që mban, por ajo mundon fqinjët e saj me gjuhë, i shan.” Ai u tha: “Vendi i saj është skëterra.” Pastaj iu tha: “O i dërguari i Zotit, filania njihet që nuk falet shumë, agjëron pak dhe jep lëmosha thërrime, por sillet e iu bën mirë fqinjëve.” Profeti a.s. tha: “Ajo është në xhenet.”

Ai mysliman, pra, që nuk i vë rëndësi fqinjit, e nuk dëshpërohet nga çka pëson është i zhveshur prej moralit të besimtarit të vërtetë. Muhamedi a.s. ka urdhëruar e ka thënë: “Nuk më ka besuar mua ai që fle i ngopur duke ditur që fqinji i tij është i uritur.”

Na raporton Taberani dhe Bez-zari e thonë: “Erdhi tek i dërguari i Zotit, një njeri me rroba të grisura dhe i tha: “O i dërguari i Zotit, më jep me çka të vishem?” Ai tha: “A nuk ke ndonjë fqinj që ka rrobe e t’i jepte një palë?” Njeriu i tha: “Po, më tepër se një.” Atëherë i tha: “Mos e bashkoftë Zoti atë me ty në xhenet!” pra bërja mirë fqinjëve dhe sjellja e mirë me ta është dëshmi e gjallë e besimit në Zotin dhe provë e vërtetë e sinqeritetit të këtij besimi. Fqinji mysliman do për fqinjin e tij çka do për veten dhe urren për të çka nuk e do për vete.

Myslimanët e parë ishin shembull ideal në mirësjelljen e tyre ndaj fqinjëve jo vetëm me ata që ishin në besimin e tyre, por dhe me pasuesit e feve të tjera, se ata ishin edukuar me edukatën kuranore. Në një prej verseteve të Kur’anit thuhet: “Zoti nuk ju ndalon që t’u bëni mirë dhe të silleni me drejtësi me ata që nuk ju luftojnë në fe dhe nuk ju nxjerrin nga vendi juaj; Zoti me të vërtetë i do ata që mbajnë drejtësinë.”

Duke qenë se myslimanët e parë vepronin në bazë të mësimeve të Kur’anit dhe të mësimeve të Profetit a.s., besimtarët e feve të tjera rronin në mes të tyre duke gëzuar liri dhe sigurim në pasuri, fenë e kishat e sinagogat e tyre, madje shumë prej tyre morën pjesë me ta në zhvillimin kulturor në vendet myslimane në lëmitë e ndryshme shkencore; ndër të tjerë e pranuan me shpirt fenë islame për hir të mësimeve të saja njerëzore.

Muxhahidi na raporton se në shtëpinë e Abdullah ibni Omerit u ther një dash, kur erdhi në shtëpi u tha: “A i dhuruat mish fqinjit tonë çifut? Se na ka porositur Profeti që të sillemi mirë me fqinjët saqë një herë na tha: “Kaq fort më ka porositur Xhibrili për fqinjët sa kujtova që do ta bënte dhe trashëgimtar…”

Nuk quhet fqinj vetëm ai që jeton një shtëpi pranë teje, por dhe ai që rron dhe më larg. Na raporton Taberani: Erdhi një burrë te Profeti dhe i tha: “O i dërguari i Zotit, kam zbritur në lagjen e familjes së filanit, dhe ai që më mundoi më tepër qe fqinji më i afërt i tyre.” Muhamedi dërgoi e thirri Ebu Bekrin, Omerin e Aliun e iu tha që të rrinin te dera e xhamisë dhe të thirrnin: “Dyzet shtëpi pranë jush quhen fqinjë, nuk hyn në xhenet ai person, fqinji i të cilit ka frikë nga pengesat e tija.”

Myslimanët e parë duke i vënë në praktikë mësimet kuranore dhe fjalët e këshillat e Profetit Muhamed a.s., u lartësuan shumë moralisht dhe arritën të çmojnë vlerën e rëndësinë që ka në jetën e një bashkësie fqinji i mirë dhe prandaj nuk e shkëmbenin atë me pasuri sado e madhe që të ishte. Se pasuria dhe zhduket e humbet, por fqinjin e mirë e ke pranë në sëmundje dhe në gëzime. Në historinë islame kemi shumë ngjarje që na tregojnë se sa e çmonte besimtari fqinjin e mirë, por neve këtu do t’ju kallëzojmë vetëm një shembull.

Tregohet se fqinji i Said bin El-Asit ra ngushtë prandaj nxori shtëpinë në shitje. Kur erdhi një person për ta blerë, ai i ofroi njëqind mijë dërhem. I zoti i tha: “Ky është çmimi i shtëpisë, po sa do të më ofrosh që do të jesh fqinj me Saidin?” Saidi kur e mori vesh se fqinji i tij ishte ngushtë, i dërgoi menjëherë njëqind mijë dërhemët dhe kërkoi prej tij që ta mbante shtëpinë.

Pra fqinji i mirë është me të vërtetë një thesar për ata që mendojnë e nuk e këmbejnë atë me gjë dhe ai nuk blihet me të holla. Meqë ai të gjendet kur je i sëmurë, të ndihmon kur ke nevojë, të përkrah kur je ngushtë dhe të gjendet pranë kur ke gëzim e mjerim.

Këto janë disa prej mësimeve të Kur’anit dhe të Profetit me të cilat u edukuan dhe duhet të edukohen myslimanët, dhe të jenë me të vërtetë si një ndërtesë e fortë që secili të jetë tullë forcuese për tjetrën. I pasuri t’i gjendet të varfrit, i fuqishmi ta përkrahë atë që nuk ka fuqi, i dituri ta mësojë dhe këshillojë atë që nuk di. Atëherë në një bashkësi të tillë nuk ka grindje e përçarje, por i lidh dashuria ndjenjat e tyre dhe i bashkon besimi zemrat e tyre, janë si një familje dhe po të jenë nga fise e raca të ndryshme, bëhen sikur thotë Profeti a.s.: “Myslimanët janë në dashuri, mëshirë e përkrahje si një trup i vetëm, po të ankohet dhe vuajë një gjymtyrë, atë e ndjen i tërë trupi dhe heq e nuk flë.”

Sa të mira do të na vinin sikur neve ta vinim në zbatim këtë hadith, duke filluar secili me fqinjin e vet. Kur të shohë se është i sëmurë ta vizitojë, kur ka nevojë ta ndihmojë, kur abuzohet ta mbrojë; të ndjejmë çka ndjen ai si trup që jemi, atëherë e gjithë bashkësia jonë do të rronte në paqe e harmoni, sikur i ka hije çdo personi që është njeri, njeri me dinjitet. Kur’ani urdhëron e thotë: “Me të vërtetë, Ne i kemi nderuar të bijtë e Ademit, u kemi bërë mundësi që të udhëtojnë në tokë e në det, u ke dhënë të mira dhe i kemi dalluar ata mbi shumë krijesa tona me dinjitet.” (17:70)

Zoti na bëftë prej atyre që sillen mirë me fqinjët që të jenë dëshmitarë për ne e jo kundra nesh, ditën që nuk vlen pasuria dhe as fëmijët, Ditën e llogarisë.

Imam Vehbi Ismaili

/Drita islame   

You must be logged in to post a comment Login