Meritojeni dhuratën e Tij

Tek po dilja nga xhamia, një grua rreth të dyzetave më shtriu dorën dhe me lot që s’reshtnin më tha: “Ju lutem më ndihmoni, kam djalin 7 vjeç me tumor në kokë, i kanë humbur shumë funksione, ju lutem më ndihmoni…”

Jeta është dhurata më e shtrenjtë që na është dhënë. Nëse nuk ia dimë vlerën, të mundohemi ta meritojmë atë. Që ta marrim vesh se sa madhështore është kjo dhuratë, nuk duhet që patjetër të përjetojmë një ngjarje të tillë. Shikoni rreth e rrotull, do vëreni se si njerëzit e shkatërrojnë këtë dhuratë të mahnitshme.

Jetojeni çastin, se vetëm atëherë ekzistoni. E djeshmja ngeli në të kaluarën dhe e nesërmja është e panjohur. Do të jeni ju ata që nesër do të buzëqeshni me ato gjëra që sot i bëni problem. Ju jeni ata që i jepni vlerë gjërave. Nga një gjë e vogël mërziteni dhe po nga ajo gjë gëzoheni. Një poet i shekullit XII thotë:

Nga mendimi përbëhesh mor vëlla

Të tjerat i ke mish dhe kocka

Mendon trëndafil, gjendesh në kopsht trëndafilash

Mendon gjemb, gjendesh në mes gjembash

“U ankoja se s’kisha këpucë”, – thoshte një i vjetër, “gjersa pashë njërin pa këmbë…”

Pa mendoni: e imagjinoni dot një jetë që nuk mund të shikoni, të verbër, çdo gjë njëngjyrëshe?! Po sikur të mos kishit mundësi të dëgjonit asgjë, të shurdhër, një heshtje absolute?! Që ta kuptoni se çfarë mrekullie është frymëmarrja, është e nevojshme patjetër të shikoni një që heq keq teksa merr frymë?! Ja pra, në çfarë pasurish lundrojmë! Kur gjithë natën ishit gjysmë të vdekur; të hapni sytë në mëngjes edhe një herë, të mund të merrni frymë, nuk e kuptoni se ju dha një dhuratë tjetër, një mundësi tjetër, rilindët! Pastaj, të shikoni që edhe pjesëtarët e familjes suaj e morën këtë dhuratë, ashtu të pavetëdijshëm sikurse ju, s’është mrekulli, po çfarë? Apo duhet ta humbisni ndonjërin që pastaj të kujtoheni për vlerën e tij duke thënë: “Ah sikur të ishte, do e shikoja, do bisedoja, do e përqafoja dhe do e puthja pa u ngopur…”

Çasti është jeta, vetëm çasti. Çastin vlerësojeni si duhet dhe falënderojeni Allahun për gjithë këto dhunti pafund që ju ka dhuruar dhe që vazhdon t’ju dhurojë pa ndërprerë, në çdo sekondë.

Sado që të mundohemi, falënderimi ynë nuk mund të jetë kurrë reciprok para gjithë kësaj bujarie të paperceptueshme. Madje, Ai vetë na thotë që na ka mësuar se si ta falënderojmë. Sa turp! Sa të paaftë që jemi! Çdo gjë e kemi false, edhe të qeshurat dhe të qarat i kemi artificiale. Dhe më e çuditshmja është se ne nuk dimë as të gabojmë. Po, po! Duke pasur plot gjëra të ndryshme, bëjmë të njëjtin gabim. Dhe kështu as të pendohemi nuk dimë, vetëm veten mashtrojmë. Sa turp! Sa të paaftë që jemi! Dhe duke qenë të tillë, “Pse s’më ka pyetur mua Zoti para se të më krijonte?”, – m’u drejtua njëri, “po ti para se të dashurosh dikë e pyet atë?”, – i thashë, “ngaqë të do të ka krijuar, ç’të duhet më tej?!..”

Njerëz, meritojeni jetën…Ndjejeni Atë kudo…

Ndjejeni kënaqësinë qoftë edhe në një pikë ujë, në një copëz patateje… Sonte kur të shkoni në shtëpi, merrni ndonjë dhuratë sado të vogël për prindërit. Mos e hapni televizorin, uluni sonte dhe bisedoni me vëllain dhe motrën sikur nuk keni biseduar kurrë më parë.

Unë sonte do të lutem për atë djalin që as emrin s’ia di.

Ju lutem, lutuni edhe ju.

Artur Tagani

You must be logged in to post a comment Login