Medresetë në Shqipëri gjatë viteve 1924-1947

medreseja e vjeter e tiranesParalelisht me konsolidimin e Shtetit të ri Shqiptar, gjatë çerekut të parë të shek. XX, po konsolidoheshin dhe institucionet fetare islame, të cilat vet-administroheshin tashmë prej disa vitesh (që nga 1912/13). Mospasja e një buxheti të shëndoshë financiar do ta vinte Xhematin Mysliman Shqiptar[1] para shumë vështirësive, por, pavarësisht të gjithave, hoxhallarët ia nisën punës për të ecur përpara tashmë me ‘këmbët’ e tyre. Në Statutin e Xhematit Mysliman Shqiptar të vitit 1923, u ngarkua me organizimin e arsimit fetar  Këshilli i Naltë i Sheriatit[2] me detyrën që: Të ngrenin institute fetare për me nxjerrë Imam, Hatib, Vaiz, Myfti, Myderiz (mësues feje) e teologë dhe të përmirësojë medresetë e mbas reformave të reja dhe të mëkëmbë strehat vorfënore organizimi i të cilave do të sigurohet me rregullore të posaçme e moderne; dhe – Të përkujdeset me siguruar mësimin fetar e të përgatisë në gjuhën kombëtare Hytbe e predikime e libra mbas shekullit të sotëm.

Një gjë të tillë na e vë në dukje dhe Kryetari i Xhematit Mysliman të Shqipërisë,  Haxhi Vehbi Dibra, në 15.11.1923,  ku në një kërkesë drejtuar mbarë Myftinive, duke i kërkuar të dhënat e sakta mbi gjendjen e arsimit dhe të mësuesve të besimit në vendin e tyre, ndër të tjera thotë: “Është e ditur se qëllimi i organizimit të Xhemaitit Islamije pikë për pikë është rimëkëmbja e fesë tonë, e cila si po shihet është duke u rrënuar, e këtij qëllimi të shenjtë (rimëkëmbjes) qo t’ia arrijmë duke hapur shkolla në të gjithë katundet, dhe, medrese në të gjithë qytetet. Ndoshta sot për sot skemi mundësi të dërgojmë mësues në të gjithë katundet, por jemi të detyruar të përfitojmë prej imamëve (hoxhallarëve) të katundeve.”[3]  E gjithë kjo nuk do të ngelë me kaq pasi puna do të vazhdojë për të realizuar reformat që synonin të ishin në dobi të myslimanëve. Që në këtë vit (23.10.1923) pa humbur kohë do të dalë Rregullorja mbi Medresetë e Myslimanëve,[4] dhe qëllimi i rregullimit të medreseve me një rregullore të posaçme ishte që të përgatiteshin kuadro fetarë, dhe ata që mbaronin medresenë emëroheshin sipas rezultateve, imam, ose myezin ose mësues feje në shkolla. Puna për të ngritur institucione prestigjoze arsimore do të vazhdonte, në vitin 1924 u përgatitën kushte të gjitha për ngritjen e një Medreseje të Naltë (e Përgjithshme), por Shteti po bëhej pengesë për këtë kështu që Kryetari i Xhematit Mysliman i drejtohet me një kërkesë Kuvendit Kushtetues (Parlamentit) ku ndër të tjera i thotë se: “Për fat të keq siç dihet, në këta vitet e shkuara të drejtat e muslimanëve janë shkeluar aq fort sa çunat tanë sot nuk dinë të bien në shehadet” dhe i parashtron një kërkesë të gjatë ndër të tjera ai vazhdon e thotë se:  Ne jemi të bindur që uniteti kombëtar sigurohet vetëm me bashkimin e shkollave dhe, në qoftë se mësimi i Kuranit dhe i fesë nuk do të plotësohej, ne atëherë do të jemi të shtrënguar të hapim shkolla private.[5]

Përfundimisht Medreseja u hap në 1924 me 24 nxënës (nga disa rrethe), paralelisht me këtë Medrese, vazhdonin edukimin e brezit të ri medresetë tjera në shumë qytete, normalisht me një nivel jo shumë të kënaqshëm arsimor pasi shumica e ajkës së intelektualëve ishin shpërngulur në Turqi apo gjetkë në botën islame, vendet arabe etj., si dhe për shkak të periudhës së shkurtër kohore që po përdorej gjuha shqipe (vetëm disa vite që nga 1908 me alfabet të unifikuar), gjithashtu dhe gjendjen e luftës që kishte përjetuar vendi prej disa vitesh, por mësimi mbi çështjet e besimit bëhej akoma në shkollat shtetërore me orar të përcaktuar në gjitha klasat fillore.

Në Ligjin mbi  Arsimin në vitin 1925 gjithashtu dhe në vitin 1928, mësim besimi ishte lënda e parë në renditjen lëndore që do të jepej në shkollat fillore, 2 orë në javë, planet dhe gjithçka tjetër  do të përcaktohej nga mësuesi i besimit në bashkëpunim me përfaqësuesit fetarët të secilit besim,[6]  por ajo që është më interesante në këtë Ligj është  Rregullorja e Festave (1925 e në vazhdim deri ku u hoq mësim-besimi nga shkollat)[7] në të cilën përcaktohen saktësisht se sa festa do të kishin shkollat:

  1. Në shkollat që nxënësit janë të barabartë apo pothuajse të barabartë nga përkatësia fetare, ditët e festave do të mbahen për të gjithë;
  2. Nëse në ndonjë shkollë ka rreth 1/3 e nxënësve të një besimi, atëherë do të festojnë festën e tyre vetëm ata nxënës që janë numër i vogël dhe pjesa tjetër do të vazhdojnë mësimin;
  3. Në shkollat në të cilat nxënësit janë vetëm myslimanë, ditë pushimi javore do të jetë dita e Xhuma dhe dy gjysma ditësh mbas dreke të cilat do të zgjidhen nga vetë shkolla sipas nevojës.
  4. Në shkollat në të cilat nxënësit janë vetëm të krishterë ditë pushimi do të jetë dita e diel dhe dy gjysma ditësh tjera.
  5. Gjithashtu në shkollat ku nxënësit janë vetëm myslimanë në muajin e Ramazanit mësimi do të bëhet vetëm 4 orë duke mësuar vetëm lëndët kryesore, caktimi i orëve do të bëhet nga Inspektorët.
  6. Në shkollat ku nxënësit janë myslimanë dhe të krishterë ditë pushimi do të mbahet e premtja dhe e diela.
  7. Besimi i mësuesve nuk merret parasysh.

Për Myslimanët kishte 8 festa që bënin 15 ditë, për Ortodoksët  kishte 18 festa, në total 21 ditë, për Katolikët kishte 11 festa, në total 19 ditë, ishin gjithashtu dhe  3 festat Kombëtare, të përbashkëta për të tre besimet, me nga një ditë secila.

Gjatë këtyre viteve pranë Komunitetit Mysliman, tashmë të konsoliduar më së miri, vazhdonte një tjetër debat pikërisht në Kongresin III Mysliman të mbajtur në Tiranë, ndër të tjera do të diskutohej shumë mbi medresetë dhe mësim-besimin. Nga pamundësia financiare dhe dëshira e mirë për të patur një nivel më të lartë në Medrese, disa hodhën idenë për mbylljen e mbarë medreseve në vend dhe hapjen e njërës e cila do të ishte prestigjoze me nivel të lartë, pasi aty do të përqendrohej i gjithë kapaciteti intelektual i myslimanëve. Në diskutimet e Kongresit III Mysliman në vitin 1929 mbi medresetë, përfaqësuesi  Ibrahim Xhindi  në diskutim e sipër, duke iu drejtuar Kryetarit që të ketë kujdes me këtë çështje thotë:  “z. Kryetar,  unë besoj, se medresetë (në tërësi) i kemi për të mbushur nevojat e jo për të na sjellë dëme. Po të hapim në Tiranë  një medrese e të mbyllim të tjerat, kjo është një shkatërrim, se kemi harxhuar mijëra napolona dhe mund të mos kemi ndonjë fitim prej medreseve. Veç kësaj, nevoja jonë nuk është për të nxjerrë teologë (dijetarë), por muezina, imamë, etj. për t‘i dërguar nëpër katunde për të bërë shërbime fetare si vdekja (falja e xhenazes,) etj. Kur  kemi këto nevoja, a shpresoni, zotëria juaj se ata që rrinë në kryeqytet e mësojnë, mund të venë nëpër katunde të bëjnë shërbime? Jo! Se një që është mësuar në kryeqytet, nuk vete në katund e kështu do të shkaktohet që të mbetet pa gasale (persona që përgatitin xhenazen)… Pra në u mbyllshin medresetë, atëherë kemi prishur xhematin dhe kemi bërë mëkat të madh. Në doni medrese për luks, bëjeni në kryeqytet, por, në e doni për punë, mos i suprimoni medresetë e qarqeve, ose të krijohet një në Veri, një në Jug dhe një në Shqipërinë e Mesme”.[8]  Debati do të zgjaste shumë, do të merrnin pjesë pothuajse të gjithë pjesëmarrësit në Kongres, për këtë çështje do të shikojmë dy grupime, njëri që këmbëngulte bindshëm se nuk duhen mbyllur medresetë në rrethe edhe nëse hapet kjo në Tiranë të tjerat të qëndrojnë, ndërsa grupi i dytë shprehej se ishte e pamundur që të mbaheshin të gjitha medresetë, kështu që nëse hapet Medreseja e Përgjithshme në Tiranë, tjerat do të mbyllen, dhe përfundimisht kjo u bë.

Në Rregulloren e Medresesë së Përgjithshme 1930  thuhet se: “Kjo Medrese themelohet me qëllimin që të përgatiten kuadro fetarë të pajisur me diturinë e nevojshme fetare dhe ndjenjat fetare e kombëtare, do të jetë me dy nivele arsimi, atë fillor (3 vjet) dhe të mesëm (7 vjet) me dy periudha P. e Ulët (4 vjet) dhe P. e Lartë (3 vjet). Në kategorinë e nivelit të mesëm të Medresesë do të mësohen këto lëndë: 1. Këndimi i Kuranit me rregulla e leximit (texhvid), 2. Gjuhë arabe, 3. Gjuhë Perse, 4. Besim (teologji), 5. Gjuhë Shqipe, 6. Histori e Përgjithshme, 7. Histori Fetare (islame), 8. Matematikë, 9. Dhe-shkronjë (drejtshkrim), 10. Shkencë, 11. Dituri Qytetare e Shëndetësore, 12. Drejtësi (sheriat), 13. Anglisht dhe 14 Vizatim.  Mësimi në Medrese do të fillojë në 1 tetor dhe do të mbarojnë në 30 qershor, për Ramazan do të bëhet mësim vetëm paradreke 15 ditët e para të muajit” [9]

Në Medrese (1929) pranoheshin nxënësit që kishin mbaruar arsimin fillor të shtetit, ndërsa në arsimin e mesëm pranoheshin nxënësit që kishin semimaturën në shkollën shtetërore, por jepnin provime plotësuese për lëndën e Kuranit dhe Besimit, si dhe nxënës që kishin mbaruar medresetë e tjera të vendit të cilat në këtë kohë ishin të hapura në 12 rrethe dhe numrin më të madh e mbante Shkodra që kishte 121, Tirana 66, Kavaja 36,  Berati 21, Elbasani 20, Peqini 13, Shijaku 17, Korça 12,  Gjirokastra 6, Durrësi 6, Vlora 4, Kruja 2, etj., të cilët arrinin në numrin e përgjithshëm në 324 nxënës.[10]

Ecuria e Medresesë do të vazhdonte normalisht në vitet në vazhdim, madje edhe gjatë pushtimit italian dhe gjerman ecuria do të ishte normale, por kjo gjë nuk do të shkonte më tej, pasi ajo që pritej nga Qeveria e re e dalë nga zgjedhjet e quajtura ‘demokratike’  mbas Luftës II Botërore, do të rezultonte më fatkeqe për kombin se sa kishin qenë vetë pushtuesit.

Programi i Fesë në shkollat fillore (shtetërore)

Viti i parë – Fjala e njësimit të Zotit, Dëshmia (Shehadeti); Perëndia, Profeti; Kur’ani; Abdesi; Namazi; Agjërimi; Haxhi; Zakati.

Viti i Dytë – E falura (qëndrimi në këmbë, këndimi, ulja, sexhdeja, ulja e parë, etj.) Si të falet namazi me hollësitë e tij, me suren Fatiha dhe sure tjera të shkurtra.

Viti i Tretë – Abdesi, Namazi me farzet dhe sunetet, Kushtet e Islamit, Agjërimi, Namazi i Xhumasë, Bajramit, Prirja në namaz (imami), Historia e shkurtër e katër halifëve.

Viti i Katërt – Në vitin e katër ka akoma më shumë nga Pastrimi, Falja, Ezani, Ikameti, Kushtet para namazit e gjatë namazit, gjërat e pëlqyera e të urryera në namaz, çfarë e prish namazin, dispozitat e faljes me xhemat, namazi i teravisë, namazi i udhëtarit, namazi kaza, sexhdeja e harresës, namazi i xhenazes, Hytbeja-Predikimet, etj.

Viti i Katërt  – Ç’është imani dhe Islami, mësime të hollësishme mbi besimin, Besimi në Zot me njësimin rububije-uluhije dhe esmau-uesifat, Besimin në Engjëjt, Besimi në Librat, Besimi në Profetët, Besimi në Botën tjetër, Besimi në Kada dhe Kader; gjithashtu dhe mësimi mbi shtyllat e islamit, tashmë duke u fokusuar të Agjërimi, Zekati dhe Haxhi, pasi dy shtyllat e para janë trajtuar hollësisht në vitet e kaluara. Çdo nivel kishte si detyrë mësimin përmendësh të disa sureve që të ishin minimalisht të nevojshme për namaz.[11]

Ndalimi i mësim-besimit në shkolla dhe mbyllja e  Medreseve

Sapo u sigurua në pushtetin e tij, Ahmet Zogu, filloi të reformonte rrënjësisht shtetin dhe shoqërinë shqiptare në të gjitha drejtimet, ndër të cilat edhe arsimi. “Mbreti (që nga viti 1928),  Zogu në fushën e arsimit bëri disa përparime (reforma), në vitin 1930 në Shqipëri ekzistonin 580 shkolla fillore dhe 13 shkolla të mesme me gjithsej 1000 mësues dhe 33.000 nxënës.”[12]

Në vitin 1930, Ministria e Arsimit merr vendimin për ‘mospagesat e mësuesve të besimit në shkollat shtetërore’ dhe pasi populli ankohet pranë komuniteteve fetare për mosrealizmin e mësim-besimit në shkollat shtetërore, Ministria i dërgon letër Komuniteteve fetare ku ndër të tjera i thekson se:  a) M.q.s. mësimi i besimit nuk është një lëndë e përcaktuar në ligjet e arsimit, kjo ministri nuk mundet të përballojë pagesat për mësuesit e besimit, prandaj është shtrënguar të marrë këto masa, por, b) Mbi të gjitha Shteti asht afetar dhe ligjet e arsimit nuk e përshkruajnë mësimin e besimit, pavarësisht kësaj ministria i lejon Komunitetet që të vazhdojnë programet fetare në shkollat shtetërore, por me kushtin që vetë Komunitetet fetar t’i shpërblejnë mësuesit e besimit.[13]

Mbas kësaj korrespondence Komuniteti Mysliman Shqiptar përgatit emrat e 114 mësuesve të mësim-besimit në mbarë territorin e Mbretërisë Shqiptare, duke i dërguar emrat pranë ministrisë përkatëse, që të verifikonte dhe të pranonte emrat e propozuar, duke marrë kështu përsipër pagesat e vetë mësuesve nga Komuniteti.

Në pragun e Luftës II Botërore, sipas të dhënave të vitit 1938, në Shqipëri kishte 642 shkolla fillore me 54528 nxënës dhe 1351 mësues, si dhe 18 shkolla të mesme të përgjithshme e profesionale me 5677 nxënës dhe 261 mësues,[14] vetëm 2-3 medrese në Tiranë (Medreseja e Përgjithshme) dhe në Shkodër.  Në vitin 1944 në Shkodër u hap sërish një Medrese e re, e cila vazhdoi deri në vitin 1947.

Mos pagesa e mësuesve të besimit nga shteti, do të ishte vetëm fillimi i persekutimit të fetarëve nga sekularistët. Mbas kësaj ngjarjeje edhe pse Komuniteti Mysliman u mundua të siguronte mësuesit e besimit në mbarë vendin, por do të kishte shumë mangësi dhe ankesa, pasi nuk ishte e mundur që të mbuloheshin financiarisht. Gjendja me vështirësitë e saj do të vazhdojë deri më 1939, kur italianët e pushtuan vendin. Italianët të ndjekur  më pas nga gjermanët do mundohen që të ruajnë relata të mira më përfaqësuesit e komuniteteve fetare në vend, e gjithashtu dhe me mbarëvajtjen e mësim-besimit në shkolla (tashmë shumë të reduktuara).

Me mbarimin e Luftës së Dytë Botërore gjërat do të ndryshonin rrënjësisht dhe thellësisht si për Shqipërinë e akoma më keq për Komunitetin Mysliman si organ zyrtar përfaqësues i myslimanëve dhe për mbarë myslimanët në vend, madje për mbarë fetarët në Shqipëri.

Kalvari ‘bllokimit të gjithçkaje’ do të fillonte pikërisht në Kongresin e Parë të Arsimtarëve Antifashistë, në Korçë,  25-27 nëntor 1944, dhe reformat e tjera të ndërmarra nga PPSH do të kishin si qëllim ‘transformimin klasor të arsimit nga monopol i borgjezisë, në pronë të vërtetë të masave popullore.[15]

Politika e PKSH ishte në dy drejtime: së pari për heqjen e mësimit të besimit fetar në shkolla dhe ndalimin e tij për të gjithë nxënësit brenda dhe jashtë saj, së dyti, për vendosjen e të gjithë veprimtarisë së shkollës mbi bazat e marksizmit.[16] Akademia e Shkencave në fillim të viteve ’80 të shek. të kaluar me superlativa shprehej se: “Partia jonë kishte një koncept mjaft të gjerë që shprehej jo vetëm në përpjekjen për heqjen e menjëhershme të mësimit të besimit apo të mësuarit fetar nëpër shkolla, por edhe në ndalimin e këtij mësimi për të gjithë nxënësit e shkollave brenda dhe jashtë saj,[17]  por e gjithë kjo kërkonte takt me qëllimin,  për të mos prekur ndjenjat fetare të popullsisë në vitin shkollor 1944-45 dhe në fillimin e vitit 1945-46 u lejua zhvillimi i mësimit të besimit në shkollat fillore shtetërore. Por në dokumentet e kohës tërhiqet vëmendja që mësimi i fesë ishte një mësim jo i detyrueshëm; Mësimi i fesë është fakultativ dhe e ndjekin vetëm ata nxënës që dëshirojnë…[18]

Ecuria drejt mbylljes vazhdon shumë shpejt, por gjithmonë më hapa të kujdesshme nga shteti, kështu që mbas hapit të parë, për mosdetyrimin e nxënësve që të prezantojnë në mësimin e besimit në shkolla, vjen hapi i dytë që është:  N.q.s. fetarët do të kërkojnë me dhënë ata vetë mësim brenda xhamive ose kishave mbase nuk mund ta ndalojmë, por sikur jemi lajmëruar edhe më parë nuk u lejohet që ata ti grumbullojnë fëmijët më tepër se një orë në javë.[19]  Dhe vlerësimi i Akademikëve komunistë ishte se: Para së gjithash reforma e demokratizoi rrënjësisht arsimin duke e formuar atë si një sistem arsimor me karakter demokratik, laik, shtetëror dhe njësor.[20]

Por, akoma nuk kishte filluar lufta frontale, e cila nuk ishte imagjinuar nga fetarët, shpejt pas një periudhe diskutimesh disa mujore, Kuvendi Popullor, me dekret nr. 115 të 17 gushtit 1946 miratoi ligjin nr. 282 mbi Reformën Arsimore,[21] dhe në ligj qartësisht përcaktoheshin dispozitat mbi çështjen e arsimi ku; Mësimi i fesë jo vetëm nuk do t’u shërbente fëmijëve, por, përkundrazi do të pengonte formimin e drejtë e shkencor të tyre.[22] Ndarja e shkollës nga feja nuk duhet parë si një gjë formale. Shkolla jonë është laike…prandaj ne duhet të shtojmë të gjithë përpjekjet për të zhveshur atë nga mbeturinat e së kaluarës.[23] dhe përfundimi ishte mbyllja, bllokimi i mësimi-besimit në shkolla, dhe mbyllja totale e çdo lloj shkolle e cila edukonte brezin e ri me BESIM.

Konkuzioni à Nga reformat e ndërmarra nga Myslimanët (Xhemati Mysliman e më pas Komuniteti Mysliman Shqiptar) që nga viti 1923 më pas në 1925 e përfundimisht më 1929 do të shiheshin pasojat në dëm të myslimanëve disa vite më vonë, dhe kjo tregon se në reformat e ndërmarra gabuan veçanërisht në dy aspekte: 1- Në mbylljen e Medreseve në rrethe, gjë që solli mos-edukimin e brezit të ri me edukatën fetare, pasi rezultati është i qartë, 324 nxënës  në të gjithë Shqipërinë në vitet ’30 në prag të mbylljes së Medreseve, dhe vetëm 100-120 nxënës kishte në vitin e parë të saj si e vetme Medrese në Shqipëri Medreseja e Përgjithshme. Dhe pika e dytë ishte 2- Mbyllja e shumë xhamive, institucion ky, që ka shërbyer gjithmonë për myslimanët jo vetëm për falje, por dhe për edukimin e brezave.

  • Ahmet Zogu u mundua ti kontrollonte institucionet e myslimanëve në shumë mënyra dhe ia arriti të bënte atë çka kishte shpresuar dhe dëshiruar.
  • Enver Hoxha akoma pa ardhur në pushtet e manipuloi popullin, duke bërë që një pjesë ta simpatizonin, më pas me shumë takt po me një shpejtësi marramendëse, arriti që t’i mbyllë institucionet arsimore të myslimanëve, të mos lejojë edukimin e brezit të ri me parimet fetare.

Si rezultat i zbatimit të Reformave gjatë viteve 1946-47 në Shqipëri u mbyllën të gjitha shkollat klerikale duke ndërprerë kështu veprimtarinë e tyre shumëvjeçare. [24]

Dhe përfundimisht frytet do t’i merrte vetëm 20 vite më pas, ku fiks në vitin 1967 tashmë me të rinj të edukuar vetëm me parimet marksiste-leniniste-enversite, shpalli Shqipërinë si Shtetin e Parë dhe të Vetëm ATESIT.

[1] Kështu quhej Komuniteti Mysliman i atëhershëm.

[2] AQSH F. 482 V. 1923 D. 1 fl.5-6 gjithashtu dhe në AQSH F. 155 V. 1924 D. VIII-25 fl.5-6

[3] Për më shumë shih Revista ‘Drita Islame’ Janar 2013; A.Q.SH. Fondi 482, Viti. 1923,  D. 74,  f. 1.

[4] Të cilën e gjejmë të plotë në Revistën Zani i Naltë, Nr. 3, viti parë i botimit, Dhjetor 1923.

[5] Zani i Naltë,  Viti II, fq. 225-227.

[6] Për më shumë shih Ligji mbi Arsimin 1925 dhe 1928

[7] Projekt Ligjë për arsimin fillorë edhe të mesëm vitit 1925

[8] Ali M. Basha, Rrugëtimi i fesë islame në Shqipëri (1912-1967), Tiranë 2001, fq.190

[9] AQSH. F. 482 (Komunitetit Musliman Shqiptar) D. 102   Viti. 1930 f.6-22

[10] Ramiz Zekaj, Zhvillimi i kulturës islame në shqiptarët i gjatë shek XX, AIITC Tiranë 2002, fq. 110 gjithashtu dhe 75 vjetori i Medresesë të Tiranës; Xhemal Balla, Gazeta Dira Islame, Viti IIIt Nr. 14  Gusht 1999.

[11] AQSH. F. 482(Komunitetit Musliman Shqiptar)  D. 104   Viti. 1930   f.19-20

[12] Bernd J. Fischer, Mbreti Zog dhe përpjekja për stabilitet në Shqipëri, Çabej  Tiranë 2004, fq. 184

[13] AQSH. F. 482(Komunitetit Musliman Shqiptar)  D. 104   Viti. 1930   f.22

[14] Enriketa Kambo, Arsimi në Shqipëri 1945-60, Tiranë 2005, fq. 13

[15] E. Kambo, Zhvillimi i revolucionit kulturor në Shqipëri gjatë viteve 1944-48, Tiranë 1982, fq. 42

[16] Enriketa Kambo, Arsimi Shqiptar 1945-60, fq.42

[17] Enriketa Kambo, Zhvillimi i revolucionit…; fq.90-92

[18] AQSH, F. 1011, D. 293, Viti 1945, qarkokre nr.438/12, 19 maj 1945, nga E.Kambo, Arsimi Shqiptar 1945-60, fq. 42

[19] Po aty D.. 16, Viti 1946, qarkokre nr.490/2  19 shtator 1946,

[20]E. Kambo, Zhvillimi i revolucionit…; fq. 47

[21] Gazeta Zyrtare, nr. 85, 10 shtator 1946, ligji nr. 282…., cituar nga E. Kambo, Arsimi Shqiptar 1945-60, fq. 34

[22] A.Q.SH. Fondi Ministrisë Arsimit,  qarkore nr. 490/2 datë 19.09.1946

[23] A.Q.SH. Fondi Ministrisë Arsimit,  dosja nr. 17 datë 15.08.1947

[24] Ludovik Shllaku, Shkollat Klerikale, Camaj-Pipa, Shkodër 2002, fq. 22-23

nga Edmond Sharka

/Revista Drita Islame, Nëntor 2013/

One Response to Medresetë në Shqipëri gjatë viteve 1924-1947

  1. Pingback: Medresetë në Shqipëri gjatë viteve 1924-1947 | Islam Press

You must be logged in to post a comment Login