Medreseja e vajzave në Durrës, misioni që bashkon diturinë dhe besimin

medreseja 1

Pas portës së hekurt, qëndron godina, e cila edhe pse lehtësisht mund të shihet nga rruga, jo gjithmonë është kuptuar dhe gjykuar drejt për atë që është në të vërtetë, një institucion arsimor i mirëfilltë, punës dhe misionit të të cilit, i vishet një veçanti, mbështetja te besimi fetar. Medreseja e vajzave në Durrës “H. Mustafa Varoshi” duket ndryshe e parë nga brenda. Ambientet e ngrohta, të rrethuara me mure në ngjyrë të çelët, të krijojnë menjëherë idenë e diçkaje të pastër, e cila ka vëmendjen absolute të një femre; një nxënëse, mësueseje.

Paragjykimi se kjo shkollë mund të jetë ndryshe, prej atyre institucioneve, ku marrin jetë ekstremet, bie menjëherë sapo futesh brenda. Në mure qëndrojnë fotografi të ndryshme të aktiviteteve ku vajzat e medresesë kanë marrë pjesë, aktivitete të cilat i kanë angazhuar ato në çështje sociale, mjedisore, me rëndësi jo vetëm për moshën e tyre, por edhe komunitetin.

Bashkë me to, njoftimet e ndryshme në lidhje me procesin mësimor dhe arritjet në olimpiada të ndryshme, janë vendosur në pjesën më të madhe të mureve të brendshëm të shkollës.

Medreseja “H. Mustafa Varoshi” mbush këtë vit, plot 20 vjet nga themelimi i saj. Jo thjesht një institucion arsimor, por i mbështetur fort edhe te besimi, shkolla ka një mision të madh, dituri dhe besim, ashtu sikurse do të shprehej edhe drejtoresha e medresesë, Neriman Gjinali.

medreseja

“Ajo çka ne theksojmë përmes kësaj shkolle, janë dy shtyllat kryesore, dituria dhe besimi. Janë këto dy shtylla, mbi të cilat kemi ngritur jo vetëm punën e këtij institucionini, por edhe kemi rritur breza të tërë të të rinjve, që sot, besojmë se janë bërë qytetarë jo vetëm të mirarsimuar, por dhe të përgjegjshëm për të gjithë veprimtarinë që kryejnë në fusha të ndryshme të jetës”, thotë Gjinali.

Prej 15 viteve ajo drejton Medresenë “H. Mustafa Varoshi”, e cila vitet e fundit, është kthyer në një institucion arsimor vetëm për vajza. “Të edukosh një femër, është një prej përgjegjësive më të mëdha që mund të ketë një njeri në jetë, sepse duke edukuar një femër, ti ndikon në mënyrë se si do të edukohet jo vetëm kjo pjesë e shoqërisë, por në të njëjtën kohë edhe familja e saj, fëmijët që ajo do të lindë. Ndaj, shpesh edhe na rëndojnë shpatullat nga e tillë përgjegjësi, sepse nuk është e thjeshtë”, thotë drejtoresha Gjinali. Sipas saj, mbështetja në dy shtyllat kryesore të diturisë dhe besimit, i kanë ndihmuar që ndër vite, të nxjerrin vajza të afta për jetën, të vetëdijshme për rolin që kanë në shoqëri, vajza me aspirata për të qenë profesioniste të shkëlqyera në drejtimet e tyre, pse jo lider të së nesërmes dhe padyshim nëna dhe familjare të përkushtuara. “Përveç përgjegjësisë së madhe, ashtu sikurse besoj ka çdo shkollë për nxënësit që nxjerr, ne ndihemi mirë ku shohim se si të rejat tona, edukohen ndër të tjera edhe për të qenë njerëz të mirë, qytetarë që duan dhe respektojnë qytetin, fqinjin, ambientin, familjen”, thotë Gjinali.

Aktualisht, Medreseja e Durrësit numëron një numër prej 120 nxënësesh, të cilat janë të organizuara në 6 klasa me nga 20 të tilla për çdo klasë. “Kërkesat janë shumë herë më të mëdha, mirëpo ambientet na kufizojnë pranimin e tyre. Për këtë arsye, por edhe për të mbajtur lart nivelin e shkollës, kemi vendosur një mesatare mbi 7.5, për të gjitha pranimet që bëjmë këtu. Deri më sot, kemi nxjerrë rreth 350 maturante, të cilat jo vetëm kanë vazhduar edhe faktultetin, ndër to edhe në teologji, por shumë prej tyre janë bërë sot edhe profesioniste në fushat ku kanë zgjedhur të studiojnë, duke qenë edhe ndër më të kërkuarat në tregun e punës. Me krenari ju them se disa prej ish nxënëseve tona, sot japin mësim në këtë shkollë. Çertifikatat dhe vlerësimet e ndryshme nëpër olimpiada, por edhe rezultatet në maturën shtetërore të viteve të ndryshme, na rendisin ndër shkollat më të mira në rang vendi, të cilat kanë zhdukur edhe fiktivitetin e notës”, thotë krenare drejtoresha Gjinali.

Nga ana tjetër koordinatori i kësaj shkolle, Nasuf Hoxha, i cili është njëkohësisht edhe mësues pranë shkollës, thotë se ajo çka është primare për medresenë, është arsimi i vajzave sikurse gjithë bashkëmoshataret e tyre në gjimnazet e tjera, me një kurrikul të përcaktuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. “Nxënëset tona angazhodhen në aktivitetet shkollore dhe jashtë shkollore, ashtu sikurse të gjitha nxënëset e tjera. Kotribuojnë në çështje të ndryshme që lidhen me moshën e tyre, problematika të ndjeshme mbi fenomene që shqetësojnë shoqërinë shqiptare, çështje të lidhura me mjedisin e kështu me radhë. Përveç këtyre, me miratimin e MASH dhe të Komunitetin Mysliman të Shqipërisë, këtu mësohet edhe lënda e kulturës fetare. Ne besojmë se krahas edukimit shkencor dhe lëndëve të përcaktuara nga kurrikula e MASH, kultura fetare është një plus për këto nxënëse, duke i pajisur edhe me moral të lartë njerëzor”, thotë Nasuf Hoxha.

medreseja 2Aktivitetet e ndryshme jashtë shkollore, eskursionet dhe veprimtaritë e ndryshme, janë pjesë e jetës shkollore të kësaj shkolle, të cilat jo vetëm janë një tjetër formë e edukimit, por shërbejnë edhe për të treguar anë të tjera të karakterit të nxënëseve.

Pas njohjes me vajzat, mënyrës se si të dëgjojnë, si flasin për atë që duan të bëhen në jetë, aspiratave që kanë për veten dhe mënyrën se si duan të ndërtojnë të ardhmen e tyre, kupton mbi të gjitha diçka, ato janë të reja me vullnet të pashoq, me një siguri të madhe në dijen e tyre dhe mbështetje në parimet e besimit.

Nxënëset e Medresesë, vajzat me vullnet të hekurt

Ato janë gjithsej 120. Zgjerimi i hapësirave të shkollës, lejoi drejtuesit e këtij institucioni, të rrisnin pranimet në shkollë duke i dhjetëfishuar ato, në këtë përvjetor të 20.

Kur i sheh ashtu të ulura në banga, të thjeshta në pamje, të qeshura dhe me një respekt të pamatë për miqtë, mendon se shumë pak gjëra i lidhin me bashkëmoshatarët e tyre nëpër gjinmazet publike. Thjeshtësia e tyre të frymëzon e të bën të kujtosh se cila është pamja e vërtetë e moshës 17-18 vjeçare. Disa prej tyre, në respektim të kërkesave të fesë myslimane, janë të mbuluara me shami dhe duken aq bukur. Liria e zgjedhjes, jo vetëm e shkollës, por edhe e mënyrës së veshjes, është një karakteristikë e të gjithave.

medreseja 3

T’i njohësh nga afër vajzat e medresesë së Durrësit, të lejon jo vetëm të mësosh më shumë për to, por në të njëjtën kohë, të njihesh edhe me përkushtimin dhe punën e madhe që bëhet nga mësuesit e medresesë çdo ditë. Ata edukojnë femra, një mision ky i cili bëhet përgjegjës jo pak për mënyrën se si do të zhvillohet shoqëria e së nesëmes. Morali, si një e mirë e brendshme e njeriut, në gjithçka bën, është një anë e edukimit ndërkohë që tjetra, është aftësimi për jetën, forcimi i sigurisë në vlerat e të qenit femër, ndërtimin e potencialit intelektual.

Suada është njëra prej vajzave që studion në Medresenë e Durrësit dhe është në vit të fundit. Traditës së vajzave të familjes, të cilat ishin arsimuar më parë në këtë institucion, iu bashkëngjit edhe Suada. Me flokët e mbuluar me shaminë e purpurt dhe sytë e mëdhenj bojëkaf, ajo nuk heziton aspak të shprehet se ndihet e privilegjuar që mëson në medrese. “Ishte zgjedhja ime, duke parë edhe motrat e mia, të cilat kishin mbaruar shumë mirë dhe përveç kësaj, u bënë edhe të afta për veten, vendosa që dhe unë të studioj këtu. Admiroj faktin që këtu kordinohet shumë mirë besimi dhe dituria, duke na i dhënë të dyja dhe kjo ishte ajo që doja për veten”, thotë e bindur Suada. Shaminë e aq shumë të debatuar në raste të ndyshme të bëra publike në media, maturantja thotë se ka vendosur ta mbajë me vullnet të plotë dhe se nuk i bën më përshtypje as habia e njerëzve në rrugë dhe as pyetja se “përse e mban?”

“Besoj se shoqëria shqiptare e ka kaluar fazën e paragjykimit për raste të tilla. Të gjithë duhet të kuptojnë që veshja, është liri individuale dhe si e tillë duhet të respektohet. Më pëlqen shamia dhe e konsideroj si një respekt ndaj besimit tim”, thotë e vendosur maturantja.

Fjalët e saj, janë ato të të gjitha vajzave me shami, në Medresenë “H. Mustafa Varoshi”. Të guximshme e të vendosura në atë që duan për veten e tyre, 18 vjeçaret e mbuluara me shami, nuk ndjejnë as vështrime parasgjykuese as ndryshime mes tyre dhe bashkëmoshatareve në gjimnazet publike.

Teksa i dëgjon të flasin për veten, kupton se ato i krakterizon siguria e madhe në atë që duan të bëhen, në qëllimet që kanë për veten, por mbi të gjitha krenaria për faktin që jo vetëm kanë qenë të lira të përzgjedhin arsimin e tyre, por edhe ta përfaqësojnë shkollën prej nga do të dalin, në mënyrë dinjitoze. “Kemi mësuar parime të cilat na bëjnë të vendsoura në atë që duam për jetën tonë, të jemi femra të plotësuara me profesionin që duam dhe besimin në vlerat njerëzore si familja dhe shoqëria. Të gjitha këto, falë shkollës, të cilën personalisht shpresoj ta përfaqësoj në mënyrë sa më të denjtë në universitet, thotë Medina, një tjetër nxënëse maturante.

Vajzat e medresesë janë kryesisht nga qytetit i Durrësit dhe rrethinat, megjithatë nuk mungojnë as ato të cilat vijnë nga Tirana. I tillë është edhe rasti i Najadës, 17 vjeçares, të cilët shoqet dhe bashkëmoshatataret e shkollës e kanë përzgjedhur unanimisht të jetë edhe presidentja e senatit të nxënësve.

“Ndonëse nuk kisha një shembull nga familja që të kishte ndjekur një shkollë të tillë, unë u bëra e para pata dëshirë të mësoja në një medrese. Fillimisht u interesova në Tiranë, por ku u njoha me kushtet e medresesë së Durrësit, vendosa të mësoja këtu”, thotë Najada. Ndonëse 17 vjeç, duket se idetë e saj janë të qarta dhe është e bindur në atë që do për veten. “Një femër duhet të jetë e kompletuar dhe pjesë e kësaj duhet të jetë edhe besimi. Njeriu ka nevojë për të dyja dhe unë mendoj se duke besuar dhe respektuar një moral fetar, bëhemi më të mirë për jetën tonë.” Najada, ashtu sikurse disa bashkëmoshatare të sajat, ka vendosur të mbulojë flokët me shami. “Është respekti që unë kam për traditën fetare të cilën ndjek. Besoj se këtë duhet ta pranojnë të gjithë, pa asnjë paragjykim për aq kohë sa është një e drejtë dhe liri e imja”, thotë ajo.

Medreseja “H. Mustafa Varoshi”, një historik i shkurtër

Medreseja “H. Mustafa Varoshi” u hap në vitin shkollor 1992-1993. Në atë kohë, medreseja, e vendosur në dy godina të ndryshme, kishte edhe djem, edhe vajza. Kjo vazhdoi deri në vitin shkollor 2007-2008, kur u diplomua brezi i fundit i djemve. Viti shkollor 2008-2009 nisi vetëm me vajza, gjë që vazhdon edhe sot. Kufizimi në një medrese vetëm për vajza erdhi për shkak të mjediseve të pamjaftueshme, por më tepër për arsye të hapjes edhe të medreseve të tjera, të cilat ofrojnë edhe strehimin në konvikte, duke sjellë kështu përqendrimin e më tepër nxënësve.

Hapja e medreseve ndodhi pas viteve ’90-të, kur diktatura komuniste ra dhe njerëzit u lejuan të praktikonin besimin e tyre fetar. Pas hapjes së medreseve në Shkodër, Tiranë dhe Kavajë, medreseja e Durësis u çel në të njëjtin vit me ato të Cërrikut, Beratit, Peshkopisë, Korçës. Sot, ky institucion arsimor i mbështetur edhe në kulturën fetare, ekzsizton në sajë të koordinimit të punës së dy institucioneve, Komunitetit Mysliman të Shqipërisë dhe fondacionit “Mirësia”.

(Ada Dalushi /gazetaedurresit)

 

You must be logged in to post a comment Login