Medreseja e Tiranës, djep i kulturës, besimit, arsimit, dijes dhe përparimit kombëtar

Fjala e plotë e Presidentit Nishani në ceremoninë e dekorimit të Medresesë së Tiranës më 17 mars 2015

presidenti-nishani-dekorimi-medresese-se-tiranes“I nderuar zoti Kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë!

I nderuar zoti Muça,

Të nderuar drejtues të KMSH-së, Drejtues, mësues, nxënës të Medresesë  të Tiranës, Të nderuar klerikë të fesë myslimane dhe të tjerë të pranishëm!

Më së pari dëshiroj t’ju uroj mirëseardhjen në Institucionin e Presidentit  së Republikës dhe të ndaj së bashku me ju një kënaqësi personale dhe institucionale në nderim, vlerësim dhe respekt të një institucioni të rëndësishëm të kulturës së arsimit tonë kombëtar siç është Medreseja e Tiranës.

Jemi mbledhur sot këtu në selinë e Presidentit të Republikës për të nderuar dhe vlerësuar vlerësuar kontributin e madh të Medresesë së Tiranës, rreth 90 vjet pas hapjes  së dyerve të saj në atë vit të largët 1924.

Dekorata e lartë që unë në cilësinë e Presidentit të Republikës po i akordoj kësaj shkolle është ndoshta një nderim i vonuar shtetëror dhe institucional ndaj kësaj vatre të arsimit shqiptarë të shekullit XX. Ishte pikërisht kjo shkollë e  mesme, e fesë  islame e ngritur në Tiranë, e cila duke u bërë pjesë e arsimit tonë kombëtar përgatiti për katër dhjetëvjeçarë të plotë në periudhën 1924-1964 në një nivel të lartë ndërkombëtarë një plejadë teologësh myslimanë, të cilët luajtën një rol parësor në ripërtëritjen e moralit tonë kombëtar aq shumë të plagosur nga tragjeditë dhe prapambetja jonë disa shekullore. Në këtë rast kjo ceremoni është edhe një homazh ndaj kujtimit të atyre qindra nxënësve që studiuan këtu, ose dhanë mësim këtu, që erdhën në një moshë kryesisht të njomë për t’iu përkushtuar misionit të Zotit dhe kaluan një jetë të tërë, duke përhapur dhe mbrojtur kudo porositë e tij të vyera. Respekti i konsakruar publik që po tregojmë në një ditë të këtillë duhej të ishte një detyrim i hershëm i shtetit tonë ndaj të gjithë veprës së ndritur që kjo shkollë ka lënë në historinë e besimit fetar në Shqipëri.

Medreseja e Tiranës është shkolla e parë e mesme që hapi dyert  e saj në kryeqytetin tonë vetëm 4 vjet pas punimeve që kreu Kongresi i Lushnjës dhe vetëm një vit pas Kongresit të Komitetit Mysliman. Ajo lindi si një nevojë e natyrshme e rilindjes së besimit mysliman në Shqipëri në atmosferën e re kombëtare dhe shoqërore që kishte nisur tek kombi ynë mbas shpalljes së Pavarësisë më 28 Nëntor 1912. U quajt “Instituti Mësimor Kombëtar”, filloi punën vetëm me 24 nxënës të ndarë në 3 klasa dhe pati drejtor zotin Qamil Bala, ish-deputet i parlamentit shqiptar dhe mësues figura të shquara si: Hafiz Ali Korça, Sulejman Kadiu, Haxhi Mahmud Dashi, Haxhi Tahiri, Rexhep Berati, Haki Tefiku, etj. Disa nga maturantët e parë të kësaj Medreseje që u diplomuan në vitin 1932, pasi kryen studimet e larta, punuan po këtu me përkushtim si mësues apo drejtues të saj. Në bankat e kësaj shkolle janë përgatitur dhe edukuar shumë kuadro studiues, inxhinierë, mjekë, ekonomistë, mësues, imamë që kanë punuar në zona e në sektorë të ndryshëm të vendit. Veçojmë intelektualët e klerikët si Shaban Demiraj, ish-Kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Vehxhi Buharaja, orientalist, shkrimtar e përkthyes, Imam Vehbi Ismaili, Kryetar i Bashkësisë Islame për shqiptarët e Amerikës, etj.

Kështu, duke ndjekur hapat e ndrojtura të krejt qytetërimit tonë në qendër të këtij qyteti që ishte edhe kryeqyteti ynë njëkohësisht, u krijua dhe u  rrit kjo shkollë e veçantë për gjithë besimtarët myslimanë shqiptarë që kultivoi një specie të dashur për shoqërinë tonë në vite, klerikët patriotë, të cilët në shërbesat e tyre  të vazhdueshme predikimin e Zotit dhe të atdheut tonë i kishin të shkrira në një.

Shoqëria e atëhershme shqiptare kishte nevojë që krahas besimeve fetare të kishte edhe një hierarki të tyre që t’iu përgjigjej hapave dhe kërkesave të kohës. Si një përgjigje ndaj kësaj kërkese që duhej të plotësonin zhvillimet arsimore në drejtimin fetar ishte më se e nevojshme edhe kjo shkollë e edukimit teologjik ku shkuan nga vit në vit dhe mësuan nxënës nga të gjitha anët e kombit. Merita më e madhe që ata patën në gjirin e besimtarëve të çdo krahine ishte ringjallja dhe riforcimi i asaj dashurie të mrekullueshme shqiptare që, si më e konsideruara e të gjithë botës, quhet ‘mrekullia e harmonisë fetare’. Në të gjitha anët ku kanë shërbyer ish-maturantët e dalë nga kjo shkollë nuk njihet asnjë rast i vetëm që të jenë cenuar besime të tjera ose të jetë nxitur për qëllime fetare edhe intriga më e vogël ndaj bashkëpunimit ndërfetar. Përkundrazi, të gjithë këta maturantë të çmuar të Medresesë së Tiranës qenë në pararojë të lirive fetare të Shqipërisë, vlerë kjo që sot mbart në vetvete  vlera të shquara  universale. Po aq të gatshëm për të mbrojtur dinjitetin fisnik të shenjtërisë së tyre ata i demonstruan këto cilësi të brendshme të filozofisë së tyre edhe atëherë kur mbi ta ra pesha e rëndë e diktaturës komuniste. Ishin pikërisht këta shërbëtorë të ndritur të Zotit që u goditën të parët, dhunshëm, në tentativën për të zhbërë ndjenjat e tyre të thella dhe për të ndërtuar  dhe rrënjosur kudo të ashtuajturin ‘njeriun e ri socialist’. Medresesë së Tiranës pas vitit 1944 nisën që t’i rrallohen nxënësit, por me zemër  të pamposhtur ajo rezistoi dhe mundi që ta kalonte stuhinë ateiste. Edhe atëherë kur ajo u mbyll në mënyrë çnjerëzore me represion, terror dhe dhunë për më se 30 vjet, e ruajti forcën magjike dhe rezistoi duke ruajtur brenda vetes edhe vlerat, forcën dhe mistikën e qytetërimit islam deri në vitin 1991 kur u çel dhe nisi misionin e ndalur për ta çuar përpara misionin e Zotit dhe të qytetërimit shqiptar. Kështu sot, Medreseja e Tiranës dhe të gjitha simotrat e saj në Shqipëri po kontribuojnë që me anë të një mirëdukimi dhe arsimimi, ku gërshetohen shkencat ekzakte me vlerat e besimit, e sidomos me normat dhe parimet e Islamit, të kemi një shoqëri më të shëndetshme moralisht dhe shpirtërisht, nga të cilat do të rrezatojë paqja, mirëkuptimi dhe bashkëjetesa pa dallim race, gjinie dhe feje.

Ndaj sot në këtë ceremoni dëshiroj të ndaj me ju dhe me të gjithë besimtarët shqiptarë myslimanë, nderimin e veçantë për këtë djep të kulturës, besimit, arsimit, dijes dhe përparimit. Urimet më të mira për suksese të mëtejshme!”

 

You must be logged in to post a comment Login