Medreseja e Durrësit feston 20-vjetorin

20 vjet medreseja durresit (8)Në Durrës është përkujtuar dje (19.12.2013), 20 vjetori i hapjes së Medresesë “Mustafa Varoshi”.

Në ceremoninë e zhvilluar me këtë rast në Pallatin e Kulturës “Aleksandër Moisiu” morën pjesë Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Selim Muça, Kancelari Ali Zaimi, Nënkryetari Gazmend Aga, Drejtori i  Kabinetit Oltion Kola, Myftiu i Durrësit, Redin Quku, Kryetari i Bashkisë Durrës, Vangjush Dako, Prefekti Roland Xhelilaj, figura të shquara arsimore e intelektuale, prindër e nxënës.

Në përshëndetjen e tij Kryetari H. Selim Muça, vlerësoi arritjet e shkollës në këto dy dekada dhe përgëzoi stafin pedagogjik, të cilët me mund e vështirësi kanë arritur t’i japin Durrësit dhe shoqërisë shqiptare njerëz të arsimuar e të dobishëm.

20 vjet medreseja durresit (7)

Medreseja “Mustafa Varoshi”, theksoi z. Muça, ashtu si simotrat e saj kudo në Shqipëri, renditet ndër shkollat më të mira jo vetëm për nivelin e dijeve që transmeton, por edhe për rezultatet e larta të nxënësve që ajo përgatit. “Në këtë shkollë nxënëset marrin një arsim të gërshetuar me ndjenjat e dashurisë për besimin dhe vlerësimit për të drejtën, të bukurën dhe njerëzoren. Kudo që shkojnë më pas ato rrezatojnë vlerat e larta të kulturës, të moralit dhe edukatës islame të përvetësuara këtu”, tha kreu Muça.

Kryetari Muça i uroi nxënësve suksese në rrugën e tyre të dijes, ndërsa stafit mësimor mbarësi në misionin e vështirë të edukimit dhe përgatitjes së brezave.

20 vjet medreseja durresit (2)

Aktivitetin e përshëndeti më pas drejtoresha e shkollës, Neriman Gjinali. Pasi ndau kënaqësinë dhe gëzimin me pjesëmarrësit për këtë ngjarje, ajo kujtoi disa nga vështirësitë e para që hasi kjo shkollë për të mbërritur deri në ditët e sotme. “Kjo shkollë ka 20 vite që ka shtruar shinat,- tha znj. Gjinali. Hapat e parë nuk kanë qenë të lehtë. Pasiguria, mungesa e ambienteve, vështirësitë e fillimit nuk mundën të pengonin atë që zemrat e dëshironin dhe Zoti e udhëzonte.”

Në vazhdim të fjalës së saj, znj. Gjinali falënderoi Komunitetin Mysliman, shoqatën “Mirësia”, drejtorinë arsimore të rrethit, stafin mësimor dhe ish drejtues, mësues e nxënës që, siç u shpreh ajo, kanë lënë gjurmët e tyre në ecjen dhe zhvillimin e saj ndër vite. Drejtoresha garantoi se shkolla do të vazhdojë të ecë e sigurt në rrugën e saj pasi mbështetet mbi dy shina të forta që janë: Dituria dhe Besimi. “Që nga krijimi, shkolla jonë është mbështetur në dy shtylla që mbajnë misionin e madh që i ka vënë vetes e këto janë Dituria dhe Besimi. Mbi to kemi ngritur punën tonë për edukimin e brezave të rinj, me të cilët krenohemi se sot janë bërë jo vetëm njerëz të mirë arsimuar, por edhe qytetarë të denjë të vendit.”

20 vjet medreseja durresit (6)

Të pranishmit i përshëndeti edhe Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako. Në fjalën e tij z. Dako theksoi se kjo shkollë është një vlerë e madhe për qytetin e Durrësit. Vajzat që mësojnë në të përvetësojnë dijet shkencore e shoqërore dhe nga ana tjetër kultivohen me edukatë fetare dhe kulturë besimi, tepër të nevojshme për kohën dhe realitetin e sotëm.

Në këtë kuadër, KMSH i ka akorduar Medresesë një certifikatë mirënjohjeje dhe falënderimi. Bashkia e Durrësit ka vlerësuar me çmim mirënjohje znj. Ghanima Al Marzouq nga Kuvajti për kontributin e saj të vazhdueshëm në fushën e filantropisë. Një moment i veçantë ishte edhe nderimi me tituj i drejtuesve, mësuesve dhe nxënësve të Medresesë ndër vite.

Fjalë përshëndetjeje mbajti edhe Myftiu i Durrësit, Redin Quku. Ai vlerësoi lart punën e stafit mësimor për përpjekjet e tyre për rritjen e një brezi me besim, të arsimuar dhe moralisht të shëndetshëm. Një falënderim të veçantë z. Quku bëri në adresë të shoqatës “Mirënjohja”, e cila ka meritën kryesore në suksesin e kësaj shkolle.

Aktiviteti u pasurua me recitime poezish nga artistët e njohur të ekranit, Robert Ndrenika dhe Mirush Kabashi dhe ilahi të këngëtares Rezarta Smaja. Pjesë e programit ishin edhe dy  inserte, nëpërmjet të cilëve të pranishmit janë njohur historikun e arsimit islam në Shqipëri dhe rrugëtimin 20 vjeçar të Medresesë.

Në hollin e pallatit të kulturës ishte organizuar një ekspozitë fotografie ku paraqiteshin momente nga aktivitete kulturore e sociale, veprimtari fetare, drejtues të shkollës, mësues e nxënës, etj.

Medresistet kishin përgatitur edhe një botim special në kujtim të kësaj ngjarjeje të shënuar.

Medreseja “H. Mustafa Varoshi”, një historik i shkurtër

Medreseja “H. Mustafa Varoshi” u hap në vitin shkollor 1992-1993. Në atë kohë, medreseja, e vendosur në dy godina të ndryshme, kishte edhe djem, edhe vajza. Kjo vazhdoi deri në vitin shkollor 2007-2008, kur u diplomua brezi i fundit i djemve. Viti shkollor 2008-2009 nisi vetëm me vajza, gjë që vazhdon edhe sot. Kufizimi në një medrese vetëm për vajza erdhi për shkak të mjediseve të pamjaftueshme, por më tepër për arsye të hapjes edhe të medreseve të tjera, të cilat ofrojnë edhe strehimin në konvikte, duke sjellë kështu përqendrimin e më tepër nxënësve.

Sot, ky institucion arsimor i mbështetur edhe në kulturën fetare, ekziston në sajë të koordinimit të punës së dy institucioneve, Komunitetit Mysliman të Shqipërisë dhe shoqatës “Mirësia”.

/Drita Islame/

20 vjet medreseja durresit (1)  20 vjet medreseja durresit (3) 20 vjet medreseja durresit (4)     20 vjet medreseja durresit (9)

 

You must be logged in to post a comment Login