Medito, o njeri!

114741-the-moon-is-seen-behind-the-wall-of-damascus-gate-in-jerusalem-old-cit

Gjithmonë ndodh të shohim e ta kemi përpara syve tanë çdo orë e çast, tokën e e qiellin, hënën e diellin, e të mos tregojmë as më të voglin kujdes e interes për to, sikurse nuk ekzistojnë fare. As mendohemi pak për shiun që bien e pikon, as çuditemi pak për rritjen e bimëve e drurëve që blerojnë tokën? Lëvizim, bredhim e shëtisim rrotull gjithë këtyre sendeve të krijuara, që i shikojmë e na rrethojnë në këtë gjithësi, pa pasur asnjë lloj dijenie për to.

Allahu fuqiplotë me mirësinë e tij na e zgjodhi Tokën banesë për ne, që të jetojmë mirë. Le t’i drejtojmë sytë tanë drejt qiellit e do të shohim miliarda yje që ndriçojnë sidomos në një natë të pastër e të kthjellët. Shiko si e zbukuron Allahu qiellin me ngjyrat që formohen gjatë lindjes së Diellit! Vështro me kujdes largësinë e Diellit nga Toka e medito, o njeri! Ai është 93 milion vjet larg. Vështro fuqinë e Allahut! Kush i ka shpikur dhe kush i ka sistemuar gjithë këto që ne shohim me sy? Ç’janë vallë ata farë zogjsh, që ndajnë ajrin e ligjërojnë aq bukur në gjuhën e tyre të ëmbël në mes degëve të pemëve? Ç’janë vallë ato farë lulesh, që me erën e tyre shumë më të këndshme se myshku e ambari, kundërmojnë krejt hapësirën? Robi i kujt je ti?! A e ndien mirësinë e Allahut ndaj teje? Kush të bëri të shohësh e të dëgjosh? Kush të dha duar e këmbë? Në zotërimin e kujt je? Medito, o njeri! Cili do të jetë fundi yt?

Profeti a.s. ka thënë: “Duajeni Allahun për mirësinë që Ai ju dhuron”. Medito, o njeri! Hasan el-Basriu ka thënë: “Një orë meditim është më i mirë se namazi i natës”. Medito, se ky ritual do t’i bëjë dobi zemrës tënde, derisa ajo të dëshmojë me forcë se nuk ka zot tjetër veç Allahut të Lartë.

Ritualin e meditimit e praktikuan profetët, shembullin e të cilëve e ndoqi edhe profeti Muhamed a.s.. Prandaj, medito për krijimin tënd, o njeri, si filloi krijimi dhe kush është autori i tij. Ne jemi krijuar në këtë botë që të njohim Allahun e ta duam Atë. Kije parasysh këtë.

“O njeri! Ç’të largoi ty prej Zotit tënd, Dhuruesit të begatë? O njeri! Ç’të shtyn ty të jesh i pakujdeshëm ndaj Zotit tënd? Ai të krijoi, të dha formë të përsosur, të ndërtoi përmasat e duhura dhe të renditi (pjesët e trupit) sipas formës që deshi.” (El-Infitar, 6-8)

Falënderoje Allahun e ruaju dynjasë, o njeri. Në këtë botë nuk ka vlerë asgjë, prandaj kthehu te Zoti, Krijuesi yt. Lidhu me Allahun, bindju Atij natë e ditë, bjer në sexhde dhe adhuroje Atë!

Kështu, pra, të mendohemi hollësisht mbi gjithë këto të mira të Zotit, të cilat shpesh i harrojmë. Të mendojmë për krijesat e Zotit, të dukshme a të padukshme, e duke studiuar shkaqet e filozofisë së krijimit të tyre, të kuptojmë madhështinë e Tij, me qëllim që të na shtohet e të na forcohet ndjenja e adhurimit ndaj Tij.

Madhështia i takon vetëm Allahut!

Zoti na e pruftë mbarë të kapemi pas rrugës së Tij. Amin!

Fiqiret Sula

 

You must be logged in to post a comment Login