Meditime për hixhretin

Alija Izetbegoviç

Ngjarjet historike që zakonisht i quajmë hixhret përgjithësisht janë të njohura: një grup i vogël myslimanësh i udhëhequr nga i dërguari i Zotit, Muhamedi a.s., duhej të lëshonte vatrat e veta në Mekë dhe të shpërngulej në Medinën e largët.

Për këtë arsye kjo bashkësi myslimanësh i la të gjitha të mirat e veta dhe mori me vete vetëm fenë e vet. Kjo ndodhi në të 13-in vit të pejgamberisë së Muhamedit a.s. Kjo ngjarje, e cila ka nxitur fantazinë e njerëzve, është përshkruar në ligjërata e transmetime me detaje shumë piktoreske e tronditëse. Më sublimja ndaj tyre, gjithsesi është tregimi për shpellën, ku merimanga në çast thuri rrjetën e saj, ndërsa pëllumbi bëri çerdhen që t’i largonte ndjekësit, dhe kur Muhamedi a.s. i tha Ebu Bekrit fjalët e njohura: “Mos ki frikë, Zoti është me ne”.

Sot, pas 14 apo 15 shekujsh nga ajo kohë e largët, kur mendojmë përsëri për këtë ngjarje dhe për pasojat e saj, ne jemi në dilemë: Cilin kuptim të hixhretit duhet të evidentojmë? Ç’gjë në këtë ndërthurje ka domethënie më të madhe?

Mundet, për shembull, të flitet për këtë që hixhreti ka influencuar në zhvillimin e Islamit si parime dhe si program i jetës. Dhe vazhdimisht do të gjendet se ai në historinë e Islamit paraqet momentin e kthesës më të rëndësishme në rrjedhën e 23 viteve të shpalljes së tij. Ajo që në natyrë është lindja e Diellit, ky është hixhreti në historinë e Islamit, sepse edhe në qoftë se agimi i ditës feks në Mekë, vetë dita me ndriçimin e qartë vetjak ka lindur në Medine. Me hixhretin, Islami deri atëherë ka qenë vetëm lëvizje shpirtërore; ai u rrit, u zmadhua në bashkësinë shoqërore, filloi të bëhet shoqëror, organizëm, shtet. Në qoftë se dëshironi të ballafaqoheni sy më sy me sekretin e fesë, ose të shikoni thellësitë blu të imanit, dëgjoni disa sure të shpallura në Mekë.

Por, në qoftë se doni të njihni Islamin si përmbledhje ligjesh, rregullsi, këtë s’mund ta bëni pa suret nga Medina. Hixhreti është lidhja ndërmjet Mekës e Medines, ai është udhërrëfyes në këtë rrugë, një lartësi e madhe nga e cila shtrihet pamja në të dy botët, të cilat vetëm të bashkuara përbëjnë atë që ne e quajmë Islam.

Për këtë arsye, hixhreti është vepra e vërtetë e erës së re islame.

Ky është një meditim plotësisht i vërtetë dhe real për hixhretin. Por ka mundësi dhe për një tjetër vëzhgim, një lloj i vërtetë, por edhe më tepër domethënës. Vërtet myslimanët e lanë Mekën, por u kthyen përsëri. Nuk kaluan as tetë vite dhe ata u kthyen në Mekë si triumfatorë. Nga qendra e fesë së rreme, ata krijuan një mjedis botëror të fesë (besimit) së vërtetë te Zoti. Kur nën presionin e politeistëve e lanë Mekën, shpirtërisht ishin shumë të fortë, por fizikisht të dobët. Kur u kthyen në Mekë, u bënë edhe fizikisht të fortë. Konkluzioni është i qartë: myslimanët u larguan jo që të arratiseshin nga sytë këmbët si kafshët e egra, por që të përgatiten. Ata largohen, por edhe kthehen. Vetëm ky është hixhreti i vërtetë.

Megjithatë, sa më tepër të mendojmë për këtë ngjarje, ne na preokupon jo ana e jashtme, ana historike, por ana e brendshme e saj, ana njerëzore. Kornizat e saj historike fillojnë e zbehen, largohen dhe ne orvatemi të njohim vetë personat që morën pjesë në këtë fushatë të lavdishme. Këta njerëz, dorëzimi i tyre tek Allahu dhe sakrifica për fenë është e vërteta më e madhe për hixhretin. Këtu njeriut mund t’i vijë keq që s’është poet që, këtë përshkrim të dobët të kësaj ngjarjeje, ta transformonte në një tregim mallëngjyes për një gjeneratë trime, e cila jetonte për Islamin, por edhe pa këtë, çështjet grumbullohen vetvetiu: Cilët kanë qenë këta njerëz, që me thirrjen e të Dërguarit a.s., lanë vatrat e tyre duke kërkuar shtëpi të reja, para së gjithash, jo për vete, por për fenë e tyre? Si ishin ata?

Përse ndryshojnë kaq shumë nga ne? Dhe sidomos: Cilët jemi ne në krahasim me ata?

Për shumë nga këto pyetje përgjigjemi jo me gëzim, sidomos për këtë të fundit. Përgjigjet, më shpesh janë shkatërruese për ne. Në qoftë se ata kanë qenë myslimanë, a jemi edhe ne sot? A mund të thuhet që edhe ata edhe ne i përkasim trungut të madh të Islamit? Ata, ashtu si ne, shpreheshin: “Besoj se s’ka zot tjetër veç Allahut dhe se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij”. Edhe ne e shprehim këtë. Por këtë ata edhe e besonin. Me jetët e veta, me sakrificat e veta, me hixhretin e vet dhe me çdo gjë që pasoi pas hixhretit, ata e përforcuan fenë e tyre. Ne, me pasivitetin tonë, përuljen, rendjen pas famës, karrierës, parasë, për çdo ditë dëshmojmë se besojmë vetëm atë që shohim. Ata vdisnin për fenë, madje edhe më tepër, jetonin për të, ndërsa ne vdesim nga frikësime të ndryshme, nga fatkeqësitë e trafikut, nga ushqimi i mirë dhe shqetësime të ndryshme, ndërsa jetojmë sot deri (për) nesër.

Me një fjalë, ata e kishin frikë Zotin, ne i kemi frikë njerëzit. Ndryshimin ju e kuptoni, është i madh, por edhe pasojat janë të tilla. Duke u njohur me vuajtjet, sakrificat e myslimanëve të parë, ku hixhreti është vetëm një tregim i njohur, shumë prej nesh shtrojnë pyetjen: Përse i Plotfuqishmi Zot i ngarkoi me prova të tilla të Dërguarin a.s. dhe grupin e vogël të njerëzve që i besonin atij?

Para kësaj ata kanë duruar përuljet, fyerjet, sharjet e të gjitha llojeve: tre bojkote urie, e tani duhet të lëshonin qytetin dhe shtëpitë e veta. Zoti është i Gjithëfuqishëm e me atomin e fuqisë së Vet mund t’i zhdukte femohuesit dhe fuqinë e tyre. Mund t’u dërgonte atyre sëmundje ose t’u fuste dobësinë në zemra. Mundej, në këtë ose në atë mënyrë, t’i shmangte pengesat në rrugën e këtij grupi besimtarësh, i cili me aq dashuri e përmendte emrin e Tij dhe mund ta bënte këtë rrugë të sheshtë e të lehtë, por i Gjithëfuqishmi s’e bëri këtë. Përkundrazi, Ai e vuri grupin e vogël të myslimanëve të parë para gjithë këtyre provave për të cilat kemi dëgjuar aq shumë. Përse?

Ekziston vetëm një shpjegim. Zoti, i Miri dhe i Gjithëfuqishmi, ka dashur të ndajë të sinqertët nga jo të sinqertët, të drejtët nga jo të drejtët, besimtarët e qëndrueshëm nga të lëkundurit. Situata historike arriti deri në atë pikë që të pastrohet bota, të shndërrohet, që të organizohet në mënyrë të re. Njerëzit dhe institucionet e tyre ishin krejtësisht të korruptuara. Parmenda e hekurt duhet të kalonte nëpër botë që të pastronte atë që ishte e kalbur dhe e sëmurë, mbingarkesë që të mbillej fara e re e civilizimit.

Kush mund ta kryente këtë detyrë? S’mund të ishte kushdo. Këtë mund ta bënte vetëm gjenerata që e meritonte këtë mision. Një gjeneratë të tillë Zoti e gjeti në Mekë dhe pikërisht te njerëzit e hixhretit. Në përkushtimin e vet ndaj fesë, me gatishmëri për çdo sakrificë, ata kanë dëshmuar se i meritonin këto detyra historike. Nuk është këtu vendi që të numërojmë të gjitha ndryshimet që u bënë në skenën historike të botës së atëhershme. Dy mbretëritë e mëdha u zhdukën plotësisht, mbinë qytete të reja, rilindi një moral i madh, njerëzit përvetësuan fusha të reja diturie, me një fjalë do të lindte një civilizim i ri.

Ajo që duhet të vëmë në dukje është se kjo farë e civilizimit të ri, ishte ai grup i vogël myslimanësh, i cili në vitin 622 u nis për në botë: ishte vetë ai në tërë atë botë të atëhershme e asokohe nuk ekzistonte grup tjetër që të ishte i barabartë me të. Ai grup në zemrën e vet mbante (ndjente) besimin tek Allahu. Tërë forca e tij ndodhej në fenë e vet dhe vetëm te feja e vet.

A duhet tani në fund të bëjmë atë pyetjen e zakonshme: Çfarë porosish dhe detyrash ka hixhreti? Në qoftë se do të përgjigjemi duhet të themi: Ky është aktualiteti i çështjes dhe dilema e saj, sepse, në qoftë se ngjarjen për të cilën bëhet fjalë, do ta shpiem te thelbi i saj, ajo edhe sot shndërrohet në çështje aktuale si më parë: Do të punoj për Islamin apo do të mendoj vetëm për vete? Ajo që për një sahabi ishte çështje, a do të nisej apo do të qëndronte, për mua shtrohet pyetja nëse do të punoj për të mirën e Islamit apo për të mirën time personale, për fëmijët e mi apo për gjithë fëmijët e botës, etj. Të gjithë ne, çdo ditë ndodhemi para dilemës së hixhretit. Pyetja është e njëjtë, vetëm se përgjigjet janë të ndryshme. Secili duhet të përgjigjet për këtë pyetje, para vetes e para Zotit si myslimanët e parë. Përgjigjen e tyre ne e njohim, myslimanët e parë s’mund të përgjigjen edhe për ne, jemi ne që duhet ta bëjmë vetë këtë. Por ata na kanë dhënë një shembull të jashtëzakonshëm. Ky shembull është hixhreti.

Përktheu: Ismail Dizdari

You must be logged in to post a comment Login