Mbresa për Hafiz Mustafa Doracin

mustafa doraciSa më tepër rrjedhin vitet, aq më tepër njeriu zhytet me mirëdashje në thellësinë e së kaluarës. Medreseja, ku jemi rritur e burrëruar, ka qenë dhe mbetet për ne themel i artë i jetës sonë në Islam. Populli thotë: “Ku dhemb dhëmbi, vete gjuha”; e ne medresistët, sa herë që takohemi, kujtojmë me mall zemre e sinqeritet të plotë fëmijërinë dhe adoleshencën që kaluam në medrese, duke iu lutur Zotit xh.sh. që t’i shpërblejë profesorët dhe prindërit tanë me falje e mirësi parajse…

Të gjithë profesorët e Medreses ishin dhe mbeten për ne të paharruar e të respektuar. Ata ishin të veçantë, ishin balsam për shpirtrat tanë. Në mes tyre rrezaton si perlë, i paharruari profesor i Kuranit, H. Mustafai.

Imcak me trup, por me karakter burrëror dhe me punë të mrekullueshme e plot dinjitet qëndron hafizi ynë i mirë. E kam parasysh si tani (fëmija mban mend shumë sidomos ato që i pëlqejnë) kur dilte nga salla e mësuesve me regjistrin në sqetullën e djathtë dhe me vështrim të qetë e babaxhan drejtohej për në klasë. Nuk fliste, por (sot jam në gjendje ta vlerësoj atë sepse kam punuar 45 vjet në arsim) sa vinte ulej në karrike të cilën shpeshherë e afronte te banka e parë, që të dëgjonte më mirë leximin e Kur’anit të Madhërishëm nga ne.

Ndenja e tij mbi karrike kishte diçka të veçantë. Zakonisht këmbën e majtë e përthyente mbi karrike duke e vendosur horizontalisht e mbi të ulej duke e lënë të varur të djathtën, e cila nuk arrinte gjer në dysheme. Ai kështu na dëgjonte kur ne lexonim Kur’an, madje shpeshherë vendoste gishtin e madh e atë tregues pas llapës së veshit të djathtë sepse siç duket dëgjimi po i shuhej.

Sa herë që ne gabonim në leximin e ndonjë fjale a shkronje, këmbën e djathtë e lëvizte lart-poshtë duke e shoqëruar me dy tre lëvizje të kokës majtas-djathtas. Të dy parakrahët i mbështeste mbi tavolinë e me sy gjysmë të mbyllur ndiqte leximin e Kur’anit. Kur i pëlqente leximi i ndonjërit prej nesh, shpesh i rrezatohej në fytyrë një nur e buzëqeshje e lehtë e shoqëruar kjo me pulitjen e qepallave.

Këtë gëzim të Hafizit e përjetoja edhe unë: kënaqesha shpirtërisht, tundja lehtë dorën nga e djathta në të majtë duke miratuar me mendjen time atë që shprehte mimika e Hafizit dhe me zë të brendshëm pohoja: “Ja, profesori i Kur’anit po kënaqet me leximin tonë, oh, sa mirë!”

Me sa di unë ai nuk kishte studiuar as pedagogji e as psikologji, por punën e mësuesit të kompletuar e kryente me mjeshtëri profesionale. Unë sot mendoj e pyes veten: Si është e mundur? Mbase nuk qëlloj në shenjë, por do të thoja se zbatimi i parimeve të Kur’anit nga ana e tij në lidhje me trajtimin e njeriut e që komentohet nga ana e Profetit a.s.: “Duaj për tjetrin atë që do për veten”, ishte burimi i kësaj arritjeje.

Hafizi ndonjëherë e ndërpriste beratasin Qeramudin Durdia duke i thënë: “Shedde Qeram!” – Si urdhëron efendi; Shede, përgjigjej Qerami. Ne shikonim njëri-tjetrin për rrëshqitjen e dytë të Qeramit e nënqeshnim. Por me kalimin e kohës, Qeramudini, duke pasur parasysh vërejtjen e Hafizit për texhvidin, jo vetëm që e mësoi bukur leximin e Kur’anit, por ua mësoi edhe të tjerëve po aq bukur.

Me naivitet fëminor e sinqeritet myslimani, jo vetëm dje, por edhe sot e vlerësoj sjelljen e hafizit të vogël xhevahir, kur ishte puna për vlerësimin e nxënësve. Ai shpeshherë i thoshte kujdestarit të klasës, Zyhdi Çaçës, pasi pyeste ndonjë nxënës: “O Zyhdi, veni një kaç (katër) këtij… në regjistër!” E Zyhdiu me qetësi e përpikëri zbatonte porosinë e hafizit për të cilin lus të madhin Zot ta shpërblejë me Parajsë.

Përsëri, pasi mbaronte ora e mësimit, hafiz Mustafai ashtu qetë-qetë si engjëll e me regjistrin në sqetull drejtohej te salla e mësuesve, që ishte e përbashkët me drejtorinë e institucionit. Ne e soditnim nga pas e nuk vinim re trupin e tij të vogël e kurrizdalë që ishte ulur ndërmjet dy shpatullave dhe mendonim: Ku e gjen këtë qetësi ky njeri që çdo gjë e bën me masë e me peshë? Dhe përgjigjeshim: Të gjithë këtë mirësi e reputacion që ngërthente ai, ia jepte përpjekja e puna për të zbatuar porositë e Kur’anit dhe thëniet profetike.

Kur isha në Kajro (viti 1999) në një kurs tremujor ku më pati dërguar Komuniteti Mysliman, aty na jepte leximin e Kur’anit një hafiz që çuditërisht i ngjante jo vetëm nga trupi, por edhe me cilësi hafizit tonë, Mustafait. Ç’është e vërteta ky ishte pakëz më i gjatë se hafizi ynë, por ndejtja e tij ishte e njëjtë me atë të hafiz Mustafait. Kur e vura re këtë, m’u kujtua Medreseja dhe hafizi i Kur’anit. U befasova dhe pa e kuptuar as vetë më tradhtuan lotët nga sytë. Çudi, të dy hafizët ngjanin si dy binjakë. Zoti i shpërbleftë të dy me Xhenet. Amin!

Ismail Dizdari

 

You must be logged in to post a comment Login