Mbresa nga fillimi i një muaji plot mirësi

Allahu xh.sh. ka zgjedhur disa gjëra mbi disa të tjera, disa njerëz mbi disa të tjerë, disa net, ditë, muaj mbi disa të tjerë. Nga ditët ka zgjedhur ditën e xhuma, nga netët, natën e Kadrit, nga njerëzit ka veçuar pejgamberët, nga vendet e bekuara, Qaben dhe nga muajt, atë të Ramazanit. Fatkeqësisht, ka disa njerëz që nuk dinë asgjë për këtë muaj të bekuar, as kur vjen e as kur ikën. Ata nuk dinë çfarë begatish përmban ky muaj në vetvete, nuk dinë çfarë kanë humbur e për pasojë nuk e kanë idenë çfarë malesh me begati e mirësi mund të kishin fituar.

Të parët e Islamit, sahabet e ndershëm, shokët e Muhamedit a.s., e mbanin në gojë gjatë gjithë vitit këtë muaj të bekuar. Gjashtë muaj para e lusnin Zotin të arrinin agjërimin e këtij muaji të madhnueshëm dhe gjashtë muaj më pas e lusnin, që Ai t’ua kishte pranuar agjërimin. Kjo, sepse ata e dinin që nga fundi i këtij muaji është një natë e veçantë, nata e Kadrit, në të cilën përcaktohen kaderet e njeriut për atë vit; kush do rrojë e kush do të vdesë, kush do të pasurohet e kush do të varfërohet, kush do të lartësohet e kush do të poshtërohet. Të gjitha këto janë në dorën e të Gjithëfuqishmit e të Gjithëditurit, kurse detyra jonë është që të zbatojmë ligjet dhe rregullat e Krijuesit të thëna qartë në librin e Kur’anit dhe në Sunetin e profetit Muhamed a.s.

Shpesh, ne besimtarët, e përmendim ardhjen e Ramazanit si ardhjen e një miku të madh, shumë të madh. Kur kemi gjëra të tilla, llogaritë fillojnë që një vit përpara. Cilin lokal do të zgjedhim, sa para duhen për këtë dhe sa për atë. Më tej fillon hartimi i listave, dajat, xhaxhallarët, kushërinjtë, tezet, hallat e me radhë, derisa lista kapërcen në qindra njerëz. Një listë tjetër nis e zgjerohet, kësaj radhe me përbërës ushqimorë, mishi, orizi, sheqeri… deri te kripa, erëzat e pijet. Një vit të tërë listat diskutohen, shtohen e pakësohen, derisa marrin formën e tyre të plotë e përfundimtare. Pastaj, kur ditët rrjedhin dhe ngjarja afrohet e afrohet në horizont, shkruhen e shpërndahen ftesat.

Po ne, besimtarët myslimanë, çfarë po bëjmë për të pritur këtë muaj të bekuar? Kemi thirrur njeri që të na bashkohet në këtë muaj të madh? I kemi folur dikujt për vlerat dhe mirësitë e tij? Kemi shpërndarë ftesa? Shumë pak gjëra të këtij lloji kemi punuar.

Këtë vit vendosëm të bëjmë diçka ndryshe. Menduam që Ramazanit t’i bënim vërtet një pritje që i takon. Një ditë takova Orgesin, një djalë nga fshati, nxënës i vitit të dytë në shkollë të mesme. Kishte hapur telefonin dhe po kërkonte diçka në internet. I kisha folur edhe njëherë tjetër, ca ditë më parë.

– Orges, a nuk mendon se po e teprojmë pak me internetin. Ai është i mirë, i dobishëm, kur përdoret për punë të mira, për mësime, por shpesh ne e teprojmë. Si mendon ti?

Orgesi mbylli telefonin dhe uli sytë.

– Po, mësues, e vërtetë.

– A nuk është edhe pak , koha për të falur akshamin dhe ne nuk po kujtohemi për këto gjëra. Je gati të vish sonte të falemi? Thirri edhe shokëve të lagjes, të bashkohen me ne.

Nuk isha i sigurt sa do t’i përgjigjej Orgesi ftesës, por njëzet minuta më vonë unë po fërkoja sytë i habitur. Para meje ishte një grup fëmijësh, ku spikasnin disa vajza me fustane të gjatë e shami në kokë. Unë kisha ftuar një grup tjetër fëmijësh dhe atë natë u falëm mbi 15 veta. Duheshin dhjetë ditë akoma për të ardhur ky muaj i bekuar dhe kjo më dukej se do të ishte një pritje e denjë për mikun e madh. Ditët e tjera numri i fëmijëve që vinin në xhami po rritej e rritej dhe një natë përpara, numri i tyre kishte shkuar në dyzet. U kisha thënë që më parë, se natën që do të fillonte teravia e parë, do ta kishim si një festë të vogël. Atë natë kishin ardhur mbi pesëdhjetë veta. Kishim dhe miq nga fshatra të tjerë. Kishte ardhur imami i xhamisë së Maqellarës, hoxhë Mexhiti si dhe nxënësi i tij, imam Vullneti. Prezantonte mësues Xheladini, që ka mbaruar në Medine, Miri dhe Halimi, dy mësues të shkollës së mesme, që janë nga fshati ynë, e plot të tjerë. Mësues Miri kishte vite që shkëlqente në përgatitjen e nxënësve, në matematikë, kurse te xhamia ishte hera e parë.

E hapa bisedën me një fjalë përshëndetëse, pak para se të thirrej ezani i akshamit. Më pas, ftova imam Mexhitin t’u thoshte diçka këtyre fëmijëve besimtarë. Ai i përgëzoi, i falënderoi thellë nga zemra. U kujtoi një thënie të profetit, Muhamedit a.s., që ka thënë: “Ky muaj, Ramazani, nuk është si të tjerët. S’ka dyshim se kur afrohet, ju sjell bekime e mëshirë dhe kur largohet, jua merr mëkatet”.

Pak minuta më vonë, kur akrepat e orës shënonin ardhjen e akshamit, imam Vullneti thirri ezanin me zërin e tij të mrekullueshëm. Më pas, imam Mexhiti na bëri faljen e akshamit me këndimin brilant të Kur’anit, një dhunti që vetëm Allahu mund t’ua dhurojë njerëzve. Xhamia pesëqind vjeçare ishte pothuajse e mbushur. Poshtë ishim mbi 30 veta, kurse lart, më shumë se 20 vajza.

Nuk dimë nëse flasin sendet, ndërtesat, por unë besoj, se dhe ato e kanë gjuhën e tyre. Nëse kjo do të ishte e vërtetë, xhamia do të kujtonte shumë e shumë vite të lumtura, kur mbushej me besimtarë, do të rrëfente vitet e sistemit komunist, kur minaren ia lëshuan përtokë dhe mezi mbijetoi duke e bërë magazinë e më pas duke i varur një teneqe të vogël, ku shkruhej se ishte monument kulture dhe mbrohej nga shteti.

Pas faljes, mësues Xheladini foli pak për vlerat e këtij muaji të madh, duke uruar që të na sillte begati në familjet tona. Ishte radha e këndimit të ilahive. Orgesi tashmë po shndërrohej në një nga figurat e rëndësishme të djemve besimtarë. Unë, vërtet u habita, sa shpejt e kishte mësuar ilahinë e gjatë, që fliste për pejgamberët, sa bukur e me sa shpirt e këndonte. Madje edhe vetë imam Mexhiti u kënaq pa masë dhe e vlerësoi. Një koktej i vogël ishte rezervuar për një rast të tillë, kur miku i madh, muaji i bekuar i Ramazanit kishte zbritur në aeroportin e besimtarëve, duke mbushur plot me mirësi e begati bagazhet e avionit hyjnor, me të cilin kishte ardhur.

Osman Xhili

/Revista “Drita Islame” – maj 2017/

You must be logged in to post a comment Login