Mbresa dhe mësime nga Haxhi

Thënë vetëm me një fjali: Haxhiu vjen i rilindur nga Haxhi. “Çdo njeri, – thotë Profeti (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), lind me pastërti të natyrshme”. Çdo papastërti (çdo ndryshim i keq) e mëpasme vjen nga ndikimet dhe manipulimet sociale. Atëherë, të ruash pastërtinë e lindjes, do të thotë të mos tëhuajtesh nga natyra njerëzore në të gjitha marrëdhëniet e sjelljet e tua private, publike etj. Nga Haxhi kthehesh, vërtet shumë i fuqizuar në identitetin dhe integritetin njerëzor. Prandaj themi se nga Haxhi vjen i rilindur. Nga Haxhi vjen me zemër më të pastër, më të dëlirë, më të mirë. Dhe zemra nuk është vetëm vendi i ndjenjave dhe i afeksioneve, por edhe vendi i mendjes, i inteligjencës e i intuitës, e edhe vendi i veprimit e i rezultatit të veprimit. Prandaj Kur’ani (26:89) thotë: “Do të përparojnë vetëm ata që i drejtohen Allahut me zemër të pastër.”

Nga Haxhi bën për vete vetëm virtyte. Le të kujtojmë vetëm ecjen e shpejtë – shkuarje e ardhje nga kodra Safa te kodra Merue. Historia e kësaj ecjeje të shpejtë dihet. Ishte ecja e Haxheres, e shqetësuar tepër shumë për të gjetur ujë për foshnjën Ismail, që përpëlitej nga etja. Haxhiu e përjeton atë shqetësim me zemër, me humanizëm e me mëshirë. Edhe sepse, sot mund të ketë në botë nga ata që vuajnë për ujë. Ndërkohë, haxhiu bën për vete një nga virtytet më të larta të Haxheres e të myslimanëve – durimin dhe këmbënguljen. Prandaj Kur’ani (“Bekare”, ajeti 158) thotë se kodrat Safa e Merue janë ndër Shenjat e Allahut.

I gjithë Haxhi është lëvizje: tauafi (shtatë rrotullimet rreth Qabes) i përshëndetjes, i Haxhit, i lamtumirës; dy sajet (shkuarja e ardhja në kodrat Safa e Merue); hedhja e guralecëve kundër shejtanit në tri shtyllat; faljet e detyrueshme dhe të vullnetshme; vizitimi i vendeve të shenjta; etj. Dhe është një lëvizje me një unitet të brendshëm tematik, me një strukturë të përcaktuar tematike e me një potencial të fuqishëm për t’i kuptuar shumë Mesazhin e Kur’anit, konceptet e tij, botëkuptimin e tij. Një ndër konceptet e Kur’anit është dëshira dhe përpjekja e përhershme e njeriut për t’u bërë gjithnjë e më i mirë. Prandaj në Kur’an vlerësohet aq shumë duaja, lutja. Prandaj në suren “Fatiha”, e cila këndohet në çdo rekat në të gjitha faljet, thuhet: “Udhëzona në Rrugën e Drejtë (Siratal mustekim), / Në Rrugën e atyre, të cilët i bekove me të mira!” Është lutja jonë e vijueshme, që i drejtohet Allahut për t’u bërë gjithnjë e më të mirë, për t’u përmirësuar gjithnjë e më shumë. Në Kur’an thuhet se e gjithë jeta është lëvizje. Është lëvizje e veprim kundër gjërave e punëve të këqija. Prandaj e tërë jeta jonë duhet të jetë Haxh i përhershëm. Prandaj rezultati i matshëm i Haxhit është: Tani që u kthyet nga Haxhi i nderuar haxhi, a jeni po aq i mirë e po aq i përkushtuar si në Haxh e sa në Haxh, si në Qabe e sa në Qabe? A faleni aq rregullisht si në Haxh e si në Qabe? A i bëni namazet vullnetare si në Haxh e si në Qabe? A silleni po aq ëmbël e po aq butë si në Haxh e si në Qabe?

“Njeriu është vepër madhështore e Allahut, – ka thënë Profeti (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) në Hytben e tij të Lamtumirës në Haxhin e lamtumirës, në vitin 633. Mjerë ai që e përçmon nderin dhe dinjitetin e veprës së Tij (së Allahut)!”. A ka peshë që mund ta peshojë këtë thënie? A ka peshë që mund ta peshojë vlerën e njeriut dhe vlerësimin e Profetit (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) për njeriun? Shih më tej te Hytbja e Lamtumirës:

“Asnjë nga ju nuk ka besuar, në qoftë se nuk do për vëllanë e vet atë që do për vete.”

“Besimtarët janë një trup i vetëm. Nëse dhemb syri, dhemb i tërë trupi. Ose, nëse i dhemb koka, i dhemb tërë trupi.” (Na kanë thënë se ky koncept e kjo mënyrë të thëni është mbishkruar në hyrje të OKB-së).

“Drejtësia është motra e devotshmërisë.”

“Besimtar i vërtetë është ai, nga gjuha dhe dora e të cilit myslimanët janë të sigurt.”

“Tregoni mëshirë për ata në Tokë, t’ju mëshirojë Ai që është në qiell!”

“Nuk do të hyjë në Xhenet ai, fqinji i të cilit nuk është i sigurt nga cytjet e tij.”

“Nuk është besimtar ai që shtrihet për të fjetur me barkun plot e fqinji i tij fle i uritur.”

“Mos kini urrejtje ndaj njëri-tjetrit!”

“Mos kini zili ndërmjet njëri-tjetrit! Mos ia ktheni shpinën njëri-tjetrit! Nuk i lejohet myslimanit ta mbajë idhnesën për vëllanë e tij (mysliman) për më shumë se tri net.”

Këto janë vetëm disa fragmente nga Hytbja. Tani, nëse ka ndonjë njësi matëse për humanizmin, pyesim: A mund të ketë humanizëm më të madh sesa të duash për tjetrin atë që do për vete? Përgjigjja vjen vetiu. Edhe fragmentet e tjera në Hytben e Lamtumirës e të tjera si këto në Hytbet e Profetit (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) flasin vetë e krejt bindshëm. Ky është Islami. Këtë e sheh dhe e përjeton shumë në Haxh.

Bardhësia e ihramit është bardhësi e zemrës, por edhe e barazisë midis njerëzve. Në Haxh, të gjithë janë të barabartë: në veshje, në veprime, në sjellje. Nuk ka të pasur e të varfër. Nuk ka rangje detyrash e pushtetesh, sepse në Haxh e në Islam, më i miri tek Allahu është ai që është më i devotshëm, më i përkushtuar.

Në Haxh theret kurban. Urdhri për therjen e kurbanit i ka ardhur Profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) me zbritjen e sures “El Keuther”: “Falu dhe bëj kurban për hir të Zotit tënd!”. Historia e kurbanit dihet. Ishte një sprovë shumë e vështirë, për të matur vullnetin e babait dhe të birit (paqja qoftë mbi të dy!), për të bërë atë që kërkonte Allahu: Djali për të dhënë jetën; babai – birin. Ishte, sigurisht sprovë simbolike, sepse Allahu nuk kërkoi e nuk kërkon mishin e gjakun e bagëtisë e aq më pak, mishin e gjakun e njeriut, por kërkoi e kërkon të japim për Allahun tërë qenien tonë – mendjen tonë, zemrën tonë, devotshmërinë tonë. Ky është mësimi i madh, që merr myslimani edhe në Haxh.

Historikisht, dihet që njeriu skllav – skllavi, mund të bëhej kurban. Kur’ani na thotë se kurban bëhet bagëtia e jo njeriu, sepse Islami është kundër skllavërisë. (Islami e bëri ish-skllavin myezin të Profetit), sepse Islami është edhe kundër skllavërisë së sotme – ekonomike, politike, industriale, pushtetore, pasurore etj., sepse Islami është kundër skllavërisë së padijes e të besimeve të kota, sepse Islami është kundër skllavërisë së pasioneve të këqija e dëshirave të këqija. Prandaj Islami thotë: Çliroje veten nga skllavëria e munde vetveten! Në Haxh këtë e mëson bukur mirë nga sjellja e haxhinjve.

Haxhi është tubimi më i madh i njerëzve në këtë botë. Ne tubohemi përpara Allahut pesë herë në ditë në pesë faljet tona me xhemát. Ne tubohemi përpara Allahut çdo të xhuma. Ne tubohemi përpara Allahut në dy bajramet. Ne tubohemi përpara Allahut në Haxh. Ne do të tubohemi përpara Allahut në fushën e Mahsherit (Kur’an, 19:85-86). Ky do të jetë Tubimi ynë i fundit. Ky është Tubimi i Madh. Haxhiu e haxhesha e fillojnë Haxhin me “Lebejke Allahume lebejke …”, që përkthehet me: “Të përgjigjem o Allah, të përgjigjem …). Një përkthim tjetër mund të jetë: “Ja ku jam o Allah, jam këtu, jam këtu përpara Teje”. Në Kur’an, në shumë sure (3:185; 21:97; 70:43; 64:9; 37:21; etj.) flitet shumë bindshëm për Ditën e Ringjalljes, për Ditën e Tubimit, për Ditën e Gjykimit. Profeti (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) thotë: “O njerëz”! Ju do të ktheheni tek Allahu i Madhëruar dhe Ai do t’ju thërrasë të përgjigjeni për veprat dhe për punët tuaja.” Dhe: “O besimtarë! O njerëz! Kijeni frikë Ditën, e cila, vërtet do të vijë, kur të gjithë do të paraqiteni para Allahut, Gjykatësit të Vetëm Suprem, Ditën, kur ju pret Drejtësia Absolute!” Haxhi ta kujton shumë këtë kthim e këtë Tubim. E sheh, vërtet me sy e me zemër.

Dhe më në fund, por për nga rëndësia, më e para: Dëshmia islame. Siç dihet, Dëshmia “Nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe Muhamedi është i Dërguari i Tij” është thelbi dhe themeli i besimit islam. Besimtari rron me këtë Dëshmi në tërë qenien e tij për tërë jetën botësore. Është Dëshmia monoteiste e Islamit. Kjo Dëshmi dhe ky konceptualizëm e përdallon Islamin nga fetë e tjera të sotme. Kjo Dëshmi dhe ky konceptualizëm shpalohet në të gjitha veprimet në Haxh. Prandaj thirrja monoteiste Allahu Ekber jehon aq fuqishëm. Atje madhërohet vetëm Allahu. Nuk madhërohet Qabja. Nuk madhërohet Arafati.

Myslimanët janë bashkësi botërore. Dhe kjo bashkësi e njeh dhe e përnderon misionin e të gjithë Profetëve dhe të të Dërguarve të Allahut – më i madhi dhe i fundmi: i Dërguari dhe Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!). Vetë Profeti (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) thotë: “Ngjashmëria ime me profetët para meje, është si ngjashmëria e një njeriu që ka bërë një ndërtesë, të plotësuar dhe të bukur, por ka lënë një tullë pa e vënë në një qoshe. Njerëzit shkojnë rreth e qark saj e pyesin: “Përse nuk është vënë ajo tullë?” Unë jam ajo tullë dhe unë jam i fundmi i profetëve”. Këto fjalë përforcohen nga fjalët e Allahut në Kur’anin e Shenjtë: “Ai (Muhamedi) ka ardhur me të vërtetën dhe vërteton Mesazhin e të Dërguarve (para tij).” (37:37). Këto fjalë përforcohen nga fjalët e Allahut në Kur’anin e Shenjtë: “Sot e përsosa fenë tuaj, e plotësova Dhënëtinë Time për ju dhe zgjodha që Islami të jetë feja juaj.” (5:3). (Nënvizimet janë të miat – H. Sh.). Islami dhe Dëshmia lidhen pazgjidhshmërisht. Allahu e ka përsosur fenë për njerëzimin. Kjo holistikë (të qenët një e tërë), që na e shpalon Profeti (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) është shfaqja më e plotë e esencës njerëzore. Dhe njeriu përpiqet e duhet të përpiqet të jetë pjesë e saj. Kjo holistikë është veçori thelbësore e Bashkësisë Islame. Myslimani është pjesa në këtë trup të vetëm. Prandaj ai njëjtësohet (identifikohet) brenda kësaj Dëshmie, brenda kësaj holistike, brenda kësaj njësie, brenda këtij kohezioni, brenda kësaj force përbashkuese. Prandaj myslimani përpiqet të jetë pjesë e saj. E kjo arrihet duke bashkuar cilësitë (atributet) tona me rolin dhe qëllimin njerëzor, që na është caktuar: të adhurojmë vetëm Allahun. Haxhi është shfaqja e kësaj Dëshmie madhore, e kësaj holistike, e këtij kohezioni, e këtij qëllimi njerëzor. Ajo që shihet në ekrane televizorësh është shumë e zbehtë, krahasuar me atë që shihet atje në Mekë, në Qabe, në Arafat, në Muzdelife, në Mina, në Medine e kudo.

Prof. dr. Hajri Shehu

/Revista ‘Drita islame’, shtator 2017/

You must be logged in to post a comment Login