Mblidhet Këshilli i Përgjithshëm i KMSH-së


Këshilli i Përgjithshëm i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë është mbledhur me datë 2 tetor 2011, në mbledhjen e tij të zakonshme, në ambientet e Medresesë së Tiranës, ku ka konstituuar anëtarët e rinj të dalë nga zgjedhjet e zhvilluara në çdo myftini të Republikës së Shqipërisë për një mandat katër vjeçar.

Pas prezantimit dhe betimit të anëtarëve të rinj, u propozuan kandidaturat për organet drejtuese të KP, si kryetarin, kryesinë dhe komisionet e përhershme. Për Kryetar të Këshillit të Përgjithshëm janë propozuar dy kandidatura nga Kryetari i KMSH-së, bazuar kjo në nenin 22 të Rregullores së Brendshme të KMSH-së. Kandidaturat ishin z. Ylli Gurra dhe z. Islam Hoxha. Nga 91 anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm ishin të pranishëm 83 vetë, nga të cilët 71 vetë votuan për z. Gurra, 11 vetë për z. Hoxha dhe një abstenim. Kështu me shumicë votash u zgjodh si kryetar i KP-së z. Ylli Gurra.

Mbledhja ka vazhduar me rendin e ditës, duke miratuar raportet 6-mujore të Kryesisë së KP-së dhe Kryesisë së KMSH-së. Pika kryesore e miratuar në këtë mbledhje ka qenë miratimi i vendimit historik, që xhamia e re e Tiranës, të ndërtohet në sheshin e Namazgjasë, si vendi më i përshtatshëm dhe që do të plotësonte më së miri kërkesat e besimtarëve të kryeqytetit.

Me këtë vendim Forumi më i lartë i myslimanëve ka përkrahur e mbështetur vendimin e KMSH-së për ndjekjen me hapa të shpejtë të të gjitha procedurave për ndërtimin e xhamisë së Namazgjasë, si një kompleks multifunksional dhe në përshtatje me dinamikën e kohës.

Këshilli i Përgjithshëm ka vendosur po ashtu që hapat ligjorë për ndërtimin e kompleksit të Namazgjasë të ndiqen nga komisioni i ngarkuar për këtë çështje nga Kryesia e KMSH-së në bashkëpunim me strukturat përkatëse.

Më pas Këshilli i Përgjithshëm ka analizuar edhe zhvillimet që përcjellin ndjeshmëri të lartë tek besimtarët, qytetarët myslimanë dhe shoqëria shqiptare (si ajo e Censusit), në përmbushje të detyrimit të qytetarit të lirë në një vend demokratik dhe me aspirata të larta.

Lidhur me këtë çështje KP ka deklaruar se:

“Me dt. 1 Tetor 2011 ka filluar procesi i regjistrimit të popullsisë, i cili para disa kohësh ka marrë edhe formë të prerë ligjore. Duke qenë se të gjithë qytetarët e kanë detyrim plotësimin e pyetësorit të këtij censusi, me gjithë rezervat dhe skepticizmin për realizimin në mënyrë korrekte të tij, Këshilli i Përgjithshëm i KMSH-së inkurajon mbarë opinionin publik shqiptar në përgjithësi dhe qytetarët myslimanë shqiptarë në veçanti, të ushtrojnë detyrën e tyre qytetare dhe ligjore.

Çdo qytetar shqiptar duhet ta ndjejë veten të lirë në shprehjen e përkatësisë së tij fetare dhe etnike. Myslimanët shqiptarë e ndjejnë veten krenarë për përkatësinë e tyre fetare dhe etnike, prandaj të mos ngurojnë në asnjë mënyrë ta shprehin identitetin e tyre fetar dhe kombëtar.”

You must be logged in to post a comment Login