Mblidhet Këshilli i Përgjithshëm i KMSH-së

Këshilli i Përgjithshëm i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë u mblodh në ambientet e Medresesë së Tiranës, ku zhvilloi mbledhjen e zakonshme për 6 mujorin e dytë të vitit 2017.

Takimi u çel me këndimin e ajeteve kur’anore nga nënkryetari i KMSH-së z. Lauren Luli.

Më pas, mbledhja e drejtuar nga kryetari i Këshillit të Përgjithshëm, z. Islam Hoxha, vijoi sipas rregullores statuore, me listëprezencën, rendin e ditës dhe prezantimin e raporteve.

Në fillim të mbledhjes mbajti fjalimin e rastit kryetari i KMSH-së, z. Skender Bruçaj, i cili evidentoi përpara anëtarëve të KP disa çështje të karakterit administrativ dhe ekonomik.

Raporti i Kryesisë së KMSH, i mbajtur nga kancelari Ylli Cikalleshi, evidentoi dhe nxorri në pah aktivitetin e përgjithshëm të drejtorive, funksionimin e instancave të institucionit në nivel qendror dhe vendor, sfidat, problemet dhe pengesat që janë hasur gjatë gjashtë mujorit të fundit.

Këshilli i Përgjithshëm u informua me vendimet që Kryesia e Komunitetit Mysliman ka marrë gjatë kësaj periudhe, me emërimet dhe lëvizjet e kryera gjatë këtij viti, të cilat më pas janë miratuar nga KP, së bashku me raportin e Kryesisë së KMSH-së.

Në raport u nënvizuan gjithashtu edhe disa prioritete të së ardhmes, për të bërë të mundur që institucioni të jetë në nivelet më të larta të përfaqësimit dhe përgjegjësive që mbart.

Në fund të mbledhjes, nënkryetarët Bujar Spahiu dhe Lauren Luli përmendën disa pika ku duhet të fokusohet puna e myftinjve në të ardhmen në dobi të asaj çfarë përfaqëson secili prej tyre.

Anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm dhe Myftinjtë paraqitën problematikat që hasin dhe propozimet për projekte të reja.

18 nëntor 2017

You must be logged in to post a comment Login