Mblidhet Këshilli i Përgjithshëm i KMSH-së

Këshilli i Përgjithshëm i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë u mblodh sot paradite në ambientet e Universitetit Bedër, ku ka zhvilluar mbledhjen e zakonshme për 6 mujorin e parë të vitit 2017.

Takimi u çel me këndimin e ajeteve kur’anore nga imami Elton Karaj.

Më pas, mbledhja e drejtuar nga kryetari i Këshillit të Përgjithshëm, z. Islam Hoxha, ka vazhduar sipas rregullores statuore, me listëprezencën dhe prezantimin e raporteve.

Kryetari i Këshillit të Përgjithshëm, z. Islam Hoxha ka lexuar raportin e përgjithshëm të secilës myftini.

Raporti i Kryesisë së KMSH i mbajtur nga kancelari i KMSH-së z. Ylli Cikalleshi, ka evidentuar dhe nxjerrë në pah aktivitetin e përgjithshëm të drejtorive të KMSH-së, funksionimin e instancave të institucionit në nivel qendror dhe vendor, sfidat, problemet dhe pengesat që janë hasur gjatë gjashtë mujorit të fundit.

Një vend të veçantë në prezantimin e raportit zuri edhe pjesëmarrja e Komunitetit Mysliman në konferenca dhe simpoziume ndërkombëtare, puna e drejtorive të KMSH-së.

Këshilli i Përgjithshëm u informua me vendimet që Kryesia e Komunitetit Mysliman ka marrë gjatë kësaj periudhe si dhe emërimet dhe lëvizjet e kryera gjatë këtij viti, të cilat më pas janë miratuar nga KP, së bashku me raportin e Kryesisë së KMSH-së.

Në raport u nënvizuan gjithashtu edhe disa prioritete të së ardhmes, për të bërë të mundur që institucioni i KMSH-së të jetë në nivelet më të larta të përfaqësimit dhe përgjegjësive që mbart.

Në takim u prezantua edhe themelimi i Agjensisë së Standardit Hallall nga Komuniteti Mysliman si dhe Fondacioni “Hafiz Ali Korça”

Anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm dhe Myftinjtë, paraqiten problematikat që hasin dhe propozimet për projekte të reja.

6 maj 2017

You must be logged in to post a comment Login