Mbi punën

Kultura Islame - DI PhotoMe këtë artikull do të prek se ç’asht puna, ç’randsi ka e ç’kanë thanë njerëz të përmendun për këte, për puntorin e përtacin. Pastaj me këte rast do të flas edhe mbi organizimin e puntorit ne vendet e qytetnueme e mbi faktorët që e kanë ba Shqiptarin me mos e pasë dëshirë punën.

Sikurse dihet, njeriu asht një antar i shoqnise njerzore e si ti tille duhet te kryeje detyrën e vet. Shoqnija dhe shteti e ka varë ekzistencën në bashkpunimin e të gjithë antarëve të vet. Sa ma puntorë të ndërgjegjshëm të jenë antarët, aqë ma tepër ka me u ndriçue e përparue familja, shteti e shoqnija. Prandaj njeriu duhet t’a bajë punën e vet me gëzim.

Po të shikojmë krijesat e tjera të Natyrës, si zogjt, mizat, merimangat, bimët, etj., kemi me pa se të gjitha kryejnë punët e veta e ruejnë sipas fuqis së tyne armonin e botës. Puna pra siç shifet, asht nji ligj i përgjithshëm. Për ta kuptue këtë ligj, mjafton me hudh një sy për qark: I math e i vogël, burra e gra, nxanës e mjeshtër, të gjithë bajnë punë të ndryshme.

Puna ka randsi të madhe për shumë pikpamje: Kjo asht nji nevojë materiale, sepse, për të sigurue njeriu nevojat landore, me anën e të cilave i ban ballë jetës, asht nevoja me punue. Me anën e punën kryhen, jo vetëm nevojat e para, si ushqimi, veshja e banesa, të cilat i mjaftojnë njeriut primitif, porse edhe nevoja të tjera të njeriut të kohës së soçme, si ato artistike, intelektuale e shpirtnore, që masin shkallën qytetnore t’individave e të popujvet.

Puna asht edhe nji nevojë shpirtnore, sepse ajo na hek mërzitinë, e cila asht nji nga armiqtë ma të rreptë të lumnisë së njeriut. Ata që nuk punojnë e që humbasin kohën kot, nuk munden kurrë me gjetë një prehje shpirtnore. Të ndejtunit kot, pa ba kurrfarë pune, e shtyen njeriun me ba keqsina, se përtimi asht nana e te gjitha të kqijave. Porse puna asht edhe një nevojë morale e shoqnore. Na jetojmë në shoqni, në të cilën jeta e jonë asht e siguruesme në punimin e atyne që kanë vdekë e t’atyne që jetojnë në një kohë me ne. Prodhimet ma ornare, si buka, libri etj., janë punimet e sesa të vekunve e të gjallëve. Pa bujkun, pa të dijtshmin, etj., na s’kishim me i gjetë gati këto që kemi. Pa çpikësit e shkrimit, të letrës, të shtypshokronjës, etj., pa interpretonjsit, që na komunikkojnë çpikjet, shkenca a ditunia s’kishte me qenë e mundun; njerëzia s’kishte me dalë prej gjendjes primitive.

Puna, m’anë tjetër, siguron indipendencën personale, nderin e lumnin: Ajo na ban të jemi të lirë e të pavarur në një shoqni të rregullueme mirë. Njerzit që kryejnë punë të ndryshme, mbajnë vehten e familjen, pa iu ba barrë shoqnisë, në të cilën jetojnë. Puna pastaj asht edhe një mjet mjaft i mirë për me pasë nji disiplinë shembullore. Jeta e përditshme na e vërteton se ata që e humbasin kohën kot apo duen me punue, po s’kanë se ku e se si, se shteti nuk u gjen punë e nuk na siguron shpërblimin e mundimit, bahen të kqijë: çpikin mjete të poshtme, për me fitue jetesën, bahen spijuna, shesin votë, ke e cila varet e mira e kombit, bahet vasalet e fuqishmëvet, etj. përkundrazi, nëpër ato shtete, ku banorët bajnë punët e veta rregullisht, qetsia mbretnon, qytetnimi përparon me hapa të shpejta, morali forcohet, vuajtje e mjerime s’ka e jeta asht e kandshme.

Nga këto që u përmendën, kuptohet se puna asht edhe nji mjet për m’e ba njeriun të lumtun: ajo i shton atij gjallnin, i forcon trupin e ban të moralshëm, i jep shkathësin ë durvet e të mëndjes e ban që të ketë një shpirt të math.

Tue marrë parasysh randsinë e veprat që kryhen me anën e punës, shumë sociologë të ndryshëm kanë çfaq mendime mbi punën, puntorin e përtacin. Voltaire ka thënë: “Puna na largon tri të këqija të mdhaja: mërzitinë, vesin e keq e vobegsinë”. “Ai që nuk punon, thotë njeni, nuk duhet të hajë”. J.J. Rousseau i thotë: “Me punue asht nji detyrë e domosdoshme për njeriun e shoqnise njerzore. Nënshtetasi përtac, që nuk ban as punë landore as punë mendore, qoftë i pasur a i vobegtë, qoftë me pozitë të naltë a t’ulët asht parazit”. Muhamedi thotë: “Perëndia dënon dy njerëz pa faje të dukëshme: përtacët e gryksit. Kjo do të thotë se, edhe sikur të jetë njeriu pasanik, duhet të punojë. M’anë tjetër nuk duhet me hangër gjana të tepërta, që nuk i sjellin dobi trupit. Me fjalë të tjera me shigue çdo lloj gjelle të mirë e të kushtueshme, kurse të tjerët nuk kanë kafshatën e bukës, asht nji gja e panjerzishme. Muhamedi, kur pa se populli ipesh shumë mbas detyrave fetare, saqë pat frikë që të lehesh puna pa u ba, tha: “Puno për këtë jetë sikurse ke me jetue përgjithmonë, puno edhe për t’ardhshmen t’ande sikurse ke me vdekë nesër”. Siç shifet në këtë të thanme janë dy urdhna: në të parin i thotë bestarit të punojë gjithnji e me mjetet të ndershme, që të mos u bahet barrë të tjerëvet. Në të dytin thotë që të kryejë edhe detyrat fetare, si pasurin e fitueme hallall ta shpenzojë për nevojat njerzore, për bamirsina, për ndihmë, etj. e jo t’a grumbullojë vetëm për vehten e vet, sikurse me pasë me jetue gjithmonë.

Muhamedi prap thotë: “Fituesi me mjete të ndershme asht miku i Perëndisë”. Ai thotë prap: “Sa pasuni e vlefshme asht ajo e burrit të ndershëm”. Kjo do të thotë se pasunia e fitueme me mjete të ndershme, ka vleftë vetëm atëherë, kur i zoti i saj asht njeri i mirë e ve atë në përdorim për dobina njerzore. Ai ka thënë prap: “Nuk ec anija në të thatë”. Kjo don të thotë se, ma se ec anija në tokë, aqë vazhdon jeta pa frytin e punës. Nji verseti i Kuranit thotë: “Nuk ka tjetër shpëtim për njeriun vetëm se me u përpjekë e me punue”. Nji proverbë arabe thotë: “Kanë mbjellë të tjerët para nesh, që të hamë na sot, të mbjellim na që të hanë ata që vijnë mbas nesh”.

Mbasi puna ka randsi të madhe, se ke kjo varet përparimi landuer, shpirtnuer e menduer i nji kombi, kuptohet vetiu se asht detyrë morale, njerzore e patriotike, që të gjithë nënshtetasit, që janë në gjendje mendore e fizike, të bajnë punët që u përkasin, që kështu të mundet me i këthye shoqnisë atë që i kanë marr e me ba për t’ardhmen jo vetëm atë që kanë ba të parët e tyre puntore, por edhe ma tepër, që të zhvillohet e të përparojë sa ma shpejtë e ma mirë shteti e shoqnija.

Mirë po kjo gja nuk asht e mundun për herë e në gjithë vendet. Në disa shtete ka njerz të papunë, ka edhe me punë. Disa nuk janë përtacë, përkundrazi janë energjikë, po s’kanë se ku të punojnë, se toka a tregtija u mungon, kurse disa të tjerë kanë me qindra hektarë e lanë djerrë. Disa punojnë gjithë ditën e s’u del me hangër bukë e krypë, kurse ca të tjerë ushqehen me çdo lloj gjelle të shijshme e çojnë nji jetë luksoze, pa punue fare. Disa jetojnë në pallate, kurse ca të tjerë po pranë këtyne pallateve jetojnë në mizierje si njerzit ma primitiv. Disa marrin shuma të majme e nuk i bajnë kurrfarë shërbimi njerzisë, kurse disa të tjera e shkrijnë të gjithë energjinë e tyne mendore e fizike për nji mëditje a rroge të vogël, sa me mbajtë me frymë fëmijt etj. Disa të tjerëve nuk u jepet a ngarkohet puna që mund ta kryejnë mirë, por përkundrazi atyne që ta lajnë metë a mos ta bajnë fare. Disa shkojnë në zyrë, jo për punë serioze, por vetëm për burokrasi, me dhanë urdhna të papërshtatuna që mbesin n’arshivat, apo shkojnë sa për idarei masllahat e me zhustifikue (me ba hak) rrogën, etj.

Nga këto padrejtsina, mosbarazime e çrregullime janë shkaktue mosknaqsina, kanë dalë grindje, kanë plasë revolusione e janë ba ndryshime regjimesh. Kso shembullash historiaja na tregon shumë qush prej Revolusionit Francez e këndej. Me të zhdukunit e padrejtsinavet me vendosjen e stabilizimin e qetsise, me të organizue punën e puntorin me të vendosunit e nji programi, që ka për qëllim naltsimin e kombit fizikisht, shpirtnisht e moralisht, ata shtete kanë ba përparime të çuditëshmë për një kohë të shkurtën, përparime që të parët e tyne nuk kishin mund me i ba me shekuj.

Pra për të shkue mbarë puna asht nevoja ma parë për një organizatë shoqnore të rregullueme me parime njerëzore. Në qoftë se s’ka nji plan e sistem punimi, në qoftë se punës mendore a trupore s’i epet randsi, në qoftë se maqina shtenore s’ecë mirë, atëherë vetvetiu puna lehet pa u ba apo kryhet me të meta.

Mjafton me i hudh nji sy historisë së re për të kuptue shkallën e përparimit të disa shteteve, që kanë mujtë me çdukë grindjet, padrejtsinat e kanë vendosë nji organizatë shoqnore të rregullueme me parime kombtare. Me këtë rasë asht mirë me përmendë përparimet madhështore që ka ba mbrenda pak vjet Perëndimi, jo për gja tjetër, po vetëm me marrë shembull, sikurse thotë edhe Kurani: “Merrni shembull ju që dini të shikoni”.

Nashti të mendojmë pse Shqiptari nuk e ka pasë dëshirën punën. Për këto gjana, natyrisht, asht nevoja me i hudhë nji sy shkurtazi Historisë së Shqipnisë. Siç dihet, Shqiptari ka qenë gjithmonë në robni; këtë e kanë shkelë shumë popuj të ndryshëm, të cilët kanë ndjenjë me qindra vjet. Në Mesjetë kishte sistemin feudal, sikurse n’Evropë. Në kohën e Skanderbeut Shqipnija qe nji nga vendet ma të para që e hoqi sistemin feudal, tue i ba të gjithë princat a sundonjësit e krahinave të bashkoheshin e të luftojshin së bashku armikun. Me gjithë këtë nuk pati ndonji përparim, mbasi burrat gati s’u muerën me punë bujqsore nga shkaku i luftavet. Mbasi e pushtuen krejt Shqpinin, shumë Shqiptarë lanë plang e shtëpi e u vendosën në vende të hueja. Ata që mbetën në Shqipni, e çuenë kohën me kryengritje kundra armikut, që u erdhi në votër. Gjatë sundimit turk, nëpër fusha popllsia u rralue, se toka filloi me iu grabit, shumica dul nga zotnimi i mallit e u ba ujk. Prodhimet bujqsore ma të mira bujku i shkretë nuk i gëzonte me fëmijët e vet. Nëpër malsina nga mungesa e tokës pjellore e vobegsia e tepërt shumë nga banorët shkojshin nëpër vend të hueja me gjet punë; katundari i shkretë shkonte në Stamboll me punue për tre grosh në ditë. I riu korçar linte prindrit e nusen e re e shkonte n’Amerikë. Atje me njimijë mundime punonte nëpër miniera, flente e hante keq sa që bahesh edhe verem. Të hollat e kursyeme ia dërgonte shtëpisë.

Me këtë mënyrë për Shqiptarin u përsërit Koha e Mesme, e cila zgjati me shekuj: as rrugë, as përparim, as arsim. Vendin e shkollave në disa qytete e shkolla të paorganizueme, në të cilat shumica shkonte, jo për me msue fenë e vërtetë, por vetëm për të shpëtue nga ushrija e të mos paguente taksa rruge. Kështuqë, pa dashje, ata u banë fole përtacësh e parazitësh. Këta parazistë, pa me ditë gja nga feja, lidhshin nga ji çallmë e u shpërndasjshin nëpër katunde, tue predikue gjana fatale e tue ia mohue nacionalitetin atij populli të shkretë, që ka pasë derdhë gjak pa kursim për të mbrojtë Atdheun. Kurse Feja Islame thotë: “Kush don Atdheun ka besue në Perëndinë”. Populli i padijtun tërhiqesh kollaj sa nga nji anë edhe në tjetrën.

Poeti i jonë kombtar Naim frashëri, tue pa se në këtë kohë s’kishte kurrfarë përparimi e kurrfarë pune tha: “Punë punë nat e ditë që të shohim pak dritë”. Edhe si u ba Shqipnia e lirë nuk përparoi aq sa duhesh mbasi ra nër duert e njerëzve të paaftë, të cilët sjellin shkatrrimin sikuse thotë edhe Muhamedi, “kur puna të bjerë nër duert e njerzve të pazot pritni shkatrrimin”. Kultura e puna mendore s’përkrahesh fare, sepse vendet me pozitë i kishin zanë njerzit e paditshëm. Vepra morale e letrare nuk shtypeshin, se ishin kundra ndjejavet t’atyne që e spekulojshin popullin n’emën të nacionalizmës së fesë. Shtypi kishte ra në dorë të të shiturve. Shumica e nëpunsve emnohesh pa karrierë e pakurrfarë zotsie; natyrisht këta farë nënpunsish janë mercenarë dhe i shërbejnë vetëm interesit të tyne. Luksi kishte mbrijtë kulmin në disa persona të paktë, të cilët e kishin ba çiflik Shqipninë e shkretë. Populli i ulët i Shqipnisë vuente nga çdo pikpamje. Populli s’kishte as ujë me pi, e ishte në mëshirë të mikrobit të tifos. Bujku ishte i mjerë. Jetesa e tij ishte në nji gjendje të vajtueshme: prodhimet bujqsore i shiste në lamë fare lirë pastaj ma vonë, nga nevoja këtheshte dhe e blinte 4 fish ma tepër nga spekuluesit, etj.

Kto janë shkaqet që e kanë ba shqiptarin m’e humbë vullnetin, dëshirën e kurajën për punë. Prej natyre Shqiptari e don punën e ka çpikë proverbin: “As armikun mos e pafshë pa punë”.

“Kultura Islame”, Nr. 6-7, Mars 1940, fq. 216

 (Revista Drita Islame, Mars 2013)

 

You must be logged in to post a comment Login