Mbi 1.5 milion besimtarë në Haxh

Miliona myslimanë nga e mbarë bota kanë shkuar në Arabinë Saudite për të kryer Haxhin. Autoritetet saudite në Xhide njoftojnë se mbi 1.5 milionë myslimanë kanë hyrë në vendet e shenjta për të kryer ritualin e përvitshëm të Haxhit.

Gjithashtu nga agjencia shtetërore SPA njofton se numri i haxhinjëve që kanë mbërritur ditën e shtunë ka shkuar në 1.575.000 persona.

Ndërkohë ditën e enjte janë nisur nga Shqipëria edhe mbi 300 besimtarë shqiptarë, të cilët janë përcjellë nga përfaqësues të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë me një ceremoni modestë në aeroportin e Rinasit. Gjithashtu për Haxh kanë shkuar edhe 859 besimtarë  nga Kosova me të cilët gjendet edhe Myftiu i Kosovës, Mr. Naim Tërnava.

Përveç besimtarëve nga jashtë, në Haxh pritet të jenë rreth 700,000-800,000 sauditë dhe të huaj që jetojnë në Arabinë Saudite.

Haxhi fillon të premten, ndërsa të shtunën është pjesa më e rëndësishme kur besimtarët shkojnë në malin e Arafatit, i cili është quajtur edhe mali i mëshirës. Më pas besimtarët do të marrin pjesë në “gjuajtjen e shejtanit (djallit) me gurë”, 21 gurë në secilën nga tri shtyllat 25 metërshe, të cilat e simbolizojnë shejtanin. Për të shmangur rrëmujën në Mine autoritetet kanë ndërtuar urat tre katëshe për ritualin e gurëve.

Çdo besimtar mysliman, sipas Kur’anit, duhet të paktën një herë në jetë ta vizitoj Mekën dhe për këtë arsye Haxhi në qytetin e shenjtë të Mekës është mbledhja më e madhe e besimtarëve në botë. Duke e kthyer kështu Meken në vendin fetar më të vizituar në botë.

Çdo vit meka vizitohet nga rreth 30 milionë besimtarë.
/Drita Islame /

You must be logged in to post a comment Login