Maqellara, besim e traditë

Nga: Osman Xhili

Xhamia 500 vjeçare e Allajbegisë

Teksa rrugës së gjatë Tiranë-Peshkopi i vjen fundi, syri të prehet në fushën e gjerë e pjellore të Maqellarës. Fshatra të sistemuar, pemë e gjelbërim i pafund, tregojnë mirëqenien tradicionale të kësaj zone me 15 mijë banorë. Minaret e xhamive që janë gati sa dhe numri i fshatrave janë tregues i besimit të këtyre banorëve tek Zoti i gjithësisë. Kanë besuar këta njerëz dhe atëherë kur ishte e ndaluar, dhe atëherë kur agjëronin me një kokërr vezë e pak fasule, duke ndezur një dritë të dobët e ulnin perdet që të mos i spiunonte dikush.

Sot një realitet i ri sa vjen e po konfigurohet. Gati të gjithë fshatrat ngritën e rindërtuan xhamitë, shtëpitë e Allahut, ku do të kryenin ritet besimtarët. Vetëm njëra nuk qe prishur, xhamia 500 vjeçare e Allejbegisë. Duke qenë si monument kulture ajo i mbijetoi valës shkatërruese të terrorit të kuq. Krahas imamëve të vjetër si Tofik Piku, Ilmi Hoxha, Nuz Nuzi, Din Hyseni u afirmuan të rinj, që e shihnin rrugën islame si të vetmen, për të arritur kënaqësinë e Allahut. Shumë prej tyre mbaruan shkolla të larta teologjike e u diplomuan në shtete të ndryshme.  Ferid Piku është sot drejtor i fondacionit “Ardhmëria”, Sabaudin Jashari, drejtues departamenti në këtë fondacion, Ermira Dani po në të njëjtin funksion, Nasuf Hoxha, në Medresenë e Durrësit, Xheladin Sala, ish myfti i Burrelit, Mexhit Rexha, fitues i çmimeve kombëtare në këndimin e Kuranit, Behar Dedja, profesor letërsie në shkollën e mesme.

Përmendim këto dhe të vjen të besosh që kjo tokë që prodhon grurë e misër, fruta e perime, di të prodhojë, teologë e dijetarë jo vetëm për nevojat e saj, por me vlera kombëtare.

Shumë xhami, si ajo e Maqellarës, Allajbegisë, Pocestit funksionojnë dhe si qendra mësimore për besimtarët e vegjël. Atje ata praktikojnë besimin, mësojnë sure, histori dhe edukatë islame, fragmente nga jeta e Profetit apo e sahabëve, shokëve të tij. Gjatë verës kurse bëhen më intensive e më të rregullta.

Me këtë lloj edukate u rrit dhe u burrërua Taulant Datja, inxhinier kimist, profesor i jashtëm në universitet. Të tjerë si Robert Datja, Qazim Sala, Arlind Hyseni, Taulant Dani, Rudjan Qoku, Fluturim Skënderi, Nuri Uka etj., vazhdojnë universitetet brenda dhe jashtë vendit.

Verës organizuam kampingje me një program shumë interesant e të larmishëm.

Të tillë ka pasur në Gjoricë, në Pocest apo dhe ato në malin e Korabit.

Për dy vjet rresht mjeshtri i përpunimit të qumështit, Haxhi Elez Çipaku ka pritur në kampingje xhemate besimtarësh. Janë të lutur dhe vëllezër nga Tirana të kënaqen me bukuritë e natyrës dibrane dhe me bujarinë e jashtëzakonshme të Haxhi Elezit.

Muaji i Ramazanit në Maqellarë është tejet i ngjeshur. Iftare e takime të shumta bëhen gati çdo ditë me nxënës, të rinj, intelektualë apo me xhemate të ndryshme. Shpesh ftohemi në iftaret që organizon myftinia e rrethit me kryetarin e saj të palodhur H. Ahmet Çaushi.

Fondacionet “Ardhmëria”, “Mirësia”, “Jeta” kanë dhënë kontribute të rëndësishme për zonën, qarkun e më gjerë. Trajnime e trajtime studentësh, furnizim me ujë e dru në disa shkolla, bërja e kurbaneve dhe organizimi i konkurseve janë një pjesë e vogël e ndihmës së çmuar që ata kanë dhënë. Gjej rastin të falënderoj gjithashtu Medresenë e Kavajës dhe drejtorin …, për bashkëpunimin e ngushtë me shkollat e zonës, dhuratat e ndryshme  gjatë Ramazanit, aktivitetet e ndryshme që na kanë mundësuar.

Jeta vazhdon e bukur këtë në Maqellarë të Dibrës. Por më të bukur shpresojmë ta bëjmë me ndihmën e Zotit. Uji i pijshëm dhe vaditës, një qendër islame apo medrese për zonën, rruga e Arbrit që sapo ka nisur, janë disa nga sfidat e kësaj dekade.

 

You must be logged in to post a comment Login