Make up-artisti i xhamive Gentian Horanlli

Gentian Horanlli – 38 vjeçari nga Korça, u rrit duke parë çdo ditë xhaminë e Iljaz bej Mirahorit dhe duke lozur në oborrin e saj, por atëherë nuk i shkonte kurrë ndërmend se jeta e tij do të ishte e lidhur kryekëput me xhamitë, me një rol që asokohe askush s’do ta besonte. Tashmë një mjeshtër kaligrafie dhe piktor profesionist, rrëfen në një intervistë momentin e zbulimit të talentit të tij, i cili më vonë do të kthehej në profesionin e tij të jetës. Në bisedën më të, artisti rrëfen me shumë modesti eksperiencat, përshtypjet dhe mbresat përgjatë punimeve të tij artistike në zbukurimin e mjediseve të brendshme dhe të jashtme të dhjetëra xhamive në Shqipëri, Ballkan dhe më gjerë, si dhe planet e tij për të ardhmen.

“Xhamitë i vizitojnë dhe i mirëmbajnë vetëm ata që besojnë Allahun…” (Kur’ani, Teube: 18)

463896_385032724858498_1195636861_oQë i vogël vizatonte xhami dhe peizazhe të ndryshme.  Një piktor i njohur i zonës, babai i shokut të tij të fëmijërisë, pikasi talentin e Gentit në fushën e vizatimit dhe pa hezituar nxiti prindërit e tij për ta dërguar në Shtëpinë e Pionierit, për të zhvilluar dijet në këtë fushë, gjë që u bë realitet. Atje ndoqi një kurs dy-vjeçar për pikturë. Si fëmijë i vogël, frekuentonte xhaminë pranë shtëpisë së tij, ku dhe mësonte rreth fesë islame. Në vitin 1993, u përzgjodh ndër nxënësit më të dalluar në këndimin e Kur’anit, ku si shpërblim iu dha një bursë studimi në një prej medreseve të Turqisë. Atje, përveç shkollimit, ndoqi dhe një kurs kaligrafie pranë disa prej kaligrafëve më të njohur në Turqi, trajnim i cili do t’i jepte kahje tjetër viteve të tij të mëvonshme. Me t’u kthyer në Korçë në vitin 1998, realizoi punimin e tij të parë në kaligrafi në xhaminë historike të Iljaz bej Mirahorit, ku në hyrje të saj shkroi në arabisht “Bismilahirr Rrahmanirr Rrahim”. Disa nga punimet e para të tij, kur i shikon tani, ndihet keq, pasi ndër vite ai ka pasur ngritje profesionale, megjithatë ndër punët e para që i ka lënë mbresa pozitive është Xhamia e Medresesë së Shkodrës. Kaligrafia dhe zbukurimet murale, para disa vitesh, ishin hobi i tij, ndërsa tashmë janë i vetmi profesion me të cilin kalon ditët dhe vitet e tij, që prej afërsisht një dekade, si dhe i vetmi zanat prej të cilit fiton të ardhura të mjaftueshme për veten dhe familjen.

Më së shumti në punimet e tij përdor shkrimin thuluth dhe kufi, dy ndër më të vështirët, por edhe ndër më të bukurit. Kujdeset shumë që kaligrafitë dhe vizatimet e ndryshme të krijojnë refleks dhe kontrast të bukur me mjedisin e brendshëm të xhamisë, me ngjyrat e tapetit apo të sixhadeve, etj. Ngjyrat e forta mbizotërojnë në punimet e tij artistike, ku dy më të preferuarat janë bluja dhe turkuoze (që anon më shumë nga jeshilja sesa nga bluja). Puna e tij e bukur u bë e njohur në një kohë shumë të shkurtër dhe kërkesat nga ndërtues xhamish, imamë, myftinj e sponsorizues të objekteve fetare në Shqipëri, por edhe jashtë saj, sa vinin e shtoheshin, madje shumë prej tyre në Shqipëri i ka refuzuar për shkak të angazhimit të tij në Gjermani e Zvicër. Aftësitë dhe eksperienca e fituar  bënë që në 95% të rasteve porositësit t’ia linin atij në dorë të vendoste për kaligrafitë dhe ornamentet me të cilat do të zbukuronte muret, kupolat e brendshme apo ato të jashtme të xhamive.

Deri tani ka punuar në 42 xhami në Shqipëri, Kosovë, Gjermani, Zvicër, Bullgari, etj. Xhamia e Golemit të Kavajës është një nga xhamitë e fundit dhe ndër më të bukurat në vend, falë punës profesionale dhe penës së artë të Horanlliut.

Lexon Kur’anin në gjuhën arabe dhe thotë se kjo e ndihmon shumë, pasi shumica e punimeve në kaligrafi konsistojnë në pjesë të përzgjedhura nga Kur’ani. “Pa pikturë nuk mund të bësh kaligrafi, por edhe pa kuptuar Islamin nuk mund të bësh kaligrafi” – thotë Genti gjatë bisedës me të. Në punimet e tij të deritanishme nuk ka pranuar të vendosë emrin e tij, edhe pse i është propozuar, edhe pse kaligrafë të tjerë në vende të ndryshme e bëjnë diçka të tillë, por ai nga modestia që e karakterizon s’e ka bërë.

Mjeshtri me një popullaritet shumë të madh jo vetëm në Korçë e në Shqipëri, por edhe përtej kufijve kombëtarë, është babai i dy djemve, të cilët e ndjekin me shumë vëmendje teksa ai përgatit në mjediset e shtëpisë disa prej punimeve, për t’i montuar më pas në xhamitë përkatëse. Çfarë bën prindi, duan të bëjnë edhe fëmijët, shprehet Genti, çka do të thotë se edhe fëmijët e tij, ndoshta në një të ardhme jo shumë të largët, të jenë ndihmësit e tij më të mirë, pse jo edhe të bëhen profesionistë në këtë fushë, e cila në Shqipëri është e parrahur dhe jo shumë e njohur, sidomos kohët e fundit, çka e bën Gentin të pakonkurueshëm në zanatin e tij. Bukuria dhe imagjinata se si do të dalë një punë e nisur, janë elementet që e inspirojnë dhe e karikojnë me energji pozitive në atë që bën. Suksesin e punës së tij ia dedikon cilësisë, me të cilën prezantohet kudo ku kontraktohet për të ofruar shërbimet e tij.

Reklama më e mirë për të janë punët e tij, me të cilat njerëzit kryesisht njihen gjatë inaugurimit të xhamive, në të cilat ai ka punuar, megjithatë ai thotë se kërkesat dhe porositë që i kanë ardhur nga jashtë Shqipërisë, kanë qenë si rrjedhojë e postimit të punimeve në rrjetin social facebook. Zgjerimi i aktivitetit dhe kërkesat e shumta, e shtynë Gentin që të hapë një studio të quajtur “Horanlli design and calligraphy”, ku ka të punësuar dhe një ekip pune, i cili e ndihmon në kryerjen sa më mirë dhe sa më shpejt të punëve të marra përsipër.

Ndër dëshirat e tij përmendim xhaminë e Namazgjasë, e cila është në ndërtim e sipër, ku Genti ka aplikuar për të punuar në mjediset e saj, sapo të ketë përfunduar ndërtimi.

Ndërsa për ëndrrat e tij në të ardhmen, synon që të punojë me kaligrafi dhe zbukurime murale në ndonjë xhami në Turqi, vend të cilin e konsideron si atdheun e tij të dytë.

Jo më kot edhe mbiemrin e ka Horanlli, ku rrënjët e tij të hershme mesa duket i ka po atje.

Xhamitë janë vendet më të dashura për Zotin, pasi Ai aty adhurohet dhe përkujtohet, ndërsa ato bëhen edhe më të dashura për besimtarët kur ajetet e ndryshme kuranore të vizatuara ose të gdhendura bukur dhe ornamentet e ndryshme murale, bëjnë që të ndihesh në një oaz shpirtëror dhe në një vend ndryshe nga të tjerët. Kjo është ajo që realizon Make up-artisti i xhamive, Gentian Horanlli.

Qani Sulku

/Revista Drita Islame – Tetor 2016/

1470017_944975462197552_5488202511469295721_n12376170_1081857505157883_5364247321269249381_n12418793_1169419479753148_4067244229675461304_o13007209_1094975603856532_8239708879129313841_n13245467_1176456892364610_4623614754562859082_n13301364_1183193481690951_2332494184467927666_o

You must be logged in to post a comment Login