Madhështia e ruajtjes së amanetit

landmark-of-an-old-mosque-in-damascus-syria-1600x1063Para dy ditësh, një mik i imi librar damasken, publikoi një ngjarje nga kohët e shkuara. Nga kohët me kadilerë, burra bese, ruajtës amanetesh, prej atyre që e kanë frikë Zotin dhe haramin s’e bëjnë dot hallall.

Kam dëshirë ta ndaj me ju, prandaj, me mbarësinë e Allahut, u angazhova ta përkthej.

Në kohët e shkuara jetonte një tregtar. Një burrë i njohur për besnikërinë e tij. I frikësohej Allahut në çdo hap që hidhte, i frikësohej ndëshkimit të Tij.

Në një nga udhëtimet e tij të punës, mendoi të ndalej nga udhëtimet dhe lodhja e tyre, shkuarje-ardhjet dhe sakrificat e mëdha, aq më tepër që kishte arritur në një moshë të thyer dhe shëndeti nuk e ndihmonte më në dinamikën e dikurshme të aktivitetit të tij fizik.. Mendoi të rehatohej në vendlindjen e tij.

Dëshira e tregtarit ishte që të blinte një shtëpi të përshtatshme për vete dhe familjen e tij, si dhe pozitën ekonomike që kishin. Kështu, trokiti në derën e një personi të njohur dhe kërkoi prej tij t’ia shiste shtëpinë, të cilën e bleu pas marrëveshjes në mes tyre.

Kaluan ditët dhe tregtari po shijonte gëzimin dhe rehatinë e shtëpisë së re, kur një ditë, teksa shihte një mur të vjetër në oborrin e shtëpisë, mendoi me vete se sikur ta shembte atë mur, do të përfitonte një hapësirë më shumë në oborrin e tij dhe ashtu veproi.

Mori mjetet dhe nisi të punonte. Teksa muri shembej pjesë-pjesë, tregtari nisi të zbulonte një të papritur të pallogaritur prej tij. Një qese e madhe e mbushur me florinj qëndronte në mesin e gërmadhës së rrënojave të murit të vjetër. “O Zot!..”- bërtiti me të madhe tregtari, teksa shihte thesarin e fshehur në mur.

“Detyrimisht, duhet t’ia kthej të zotit, pasi ai e meriton këtë thesar më shumë se unë. Unë nuk kam asnjë të drejtë në këtë thesar. Nëse e përvetësoj për vete do të jetë pasuri harami dhe pasuria e haramit dëmton, nuk sjell dobi, shkon nuk mbetet”, – mendoi tregtari me vete.

Menjëherë, burri besnik mori thesarin dhe u nis të takonte personin që i kishte shitur shtëpinë. Pasi u takuan, ai vendosi para ish-pronarit të shtëpisë, qesen me florinj, duke i treguar për ndodhinë. Burri i habitur, ia ktheu: “Kjo nuk është pasuria ime, por thesari yt, pasi unë ta kam shitur shtëpinë me gjithçka kishte brenda.”

Të dy refuzuan ta merrnin qesen me florinj dhe kështu, vendosën të shkojnë te kadiu i qytetit që të gjykonte për të ardhmen e thesarit.

Pasi dëgjoi historinë e tyre, kadiu tha: “Nuk kam parë në jetën time dy burra besnikë si ju të dy. Ju grindeni për të mos marrë një thesar, në vend që të grindeni se kush ta marrë atë.”

Pastaj i pyeti nëse kishin fëmijë apo jo. Tregtari besnik i tregoi se kishte një vajzë, ndërsa burri tjetër tha se kishte një djalë.

Atëherë, kadiu iu drejtua dy besnikëve: “Djali yt të martohet me vajzën e këtij, ndërsa thesari të shpenzohet për ata të dy.”

Ashtu ndodhi, të dy burrat e urtë ranë dakord me mendimin e kadiut dhe miratuan martesën e fëmijëve të tyre.

Përktheu nga arabishtja: Muhamed B. Sytari

You must be logged in to post a comment Login