Lutje

Të gjitha falënderimet tona më të sinqerta, të takojnë Ty, o Krijuesi ynë e Krijuesi i gjithësisë. Ty, që na ke nderuar me Islam; Ty që na ndriçove zemrat me iman, ty që zbrite tek ne më të madhërishmin libër hyjnor, të shenjtin Kuran, Ty që na respektove me mëshirën tënde, duke na dhuruar edhe njëherë të mëshirshmin muaj, Ramazanin; Ty që na dërgove profet të dashurin Tënd dhe mësuesin tonë, Muhamed Mustafanë. Të kërkojmë falje dhe respekt për familjen e tij, për shokët dhe ymetin e tij!

O Zoti ynë! Ti që je i Vetëm dhe i Vërtetë, Ti që je Mëshiruesi dhe Bamirësi ynë, falënderimi ynë është për Ty, që na mundësove ta presim e ta jetojmë edhe njëherë muajin Tënd të mëshirës, Ramazanin!

O Zoti ynë! Ramazani erdhi në vendin tonë, hyri në xhamitë tona prandaj na lejo të të falënderojmë.

O Zoti ynë! Po të lutemi Ty, që muaji Ramazan të bëhet pastërti për zemrat tona, pasuri në moralin tonë, ndihmues në punët tona, udhëzues në veprat tona, dritë në errësirën e asaj bote, lehtësues në ndëshkimin e varrit, ndërmjetës në Ditën e Gjykimit, mbrojtës prej xhehenemit dhe shoqërues drejt xhenetit!

O Zoti ynë! Të lutemi Ty: shiko duart e thara të të vjetërve; shiko duart e të rinjve; shiko duart e njoma të fëmijëve; të gjithë buzët e tyre pëshpëritin një fjalë, Amin, na pastro, na fal, na prano, na mëshiro, gabimet na i pakëso; të mirat na i shto, imanin na e forco, moralin na e  zbukuro, dashurinë na e shto, unitetin na e forco!

O Zoti ynë! Të lutemi Ty, besimi ynë është i dobët, na e forco atë; morali ynë është i prishur, na e përmirëso atë; zemrat na janë nxirë, na i pastro ato; shpirtrat na janë zvogëluar, na i zmadho ato për hatrin Tënd!

O Zoti ynë! Na ndihmo, na udhëzo, na drejto në rrugën e përparimit e të prosperitetit njerëzor, në rrugën e përmirësimit shpirtëror, moral, ekonomik  e shoqëror!

O Zoti ynë! Në këtë 100 vjetor të mëvetësisë së Shqipërisë, të lutemi me gjithë shpirt: mëshiroje, udhëzoje, drejtoje kombin e atdheun tonë në rrugën e forcimit e të përparimit, dhuroi paqe e qetësi të përhershme, jepi atij forcë e vullnet për të ecur përpara përkrah botës së qytetëruar!

O Zoti ynë! Për të gjitha sa t’u lutëm, kërkojmë prej Teje që të na i pranosh, sepse kështu ke premtuar dhe Ti nuk e shkel premtimin. Gjithashtu të kërkojmë falje e respekt për profetin tonë, Muhamedin (a.s.); falje e respekt të kërkojmë për familjen e tij, për sahabet e tij, për ymetin e tij. Falje e respekt të kërkojmë edhe për gjithë pejgamberët, gjithë ulematë, gjithë myslimanët e myslimanet, që kanë ndërruar jetë me besim!

Amin

 (Revista Drita Islame, Korrik 2012)

 

You must be logged in to post a comment Login