Lindi një shpresë në mes të shkretëtirës

Profeti Muhamed

 

Arjola Zaçi

(Medreseja e Korçës)

Heshtje, frikë, mosdije, errësirë mbytëse për zemrat e njerëzve. Vajtojnë ata dhe jo vetëm… Qielli i ngrysur pa shkëlqimin rrezatues me diellin e artë vajton me ta… Nuk i le vetëm. Vajton qielli për pak dritë, për atë dritë që çdokush do jepte jetën. E si të mbetej pas natyra, me madhështinë e saj që të lë pa frymë. Edhe ajo vuan. Lumenjtë rrjedhin me përtim dhe të çorientuar. Nuk dinë ku të shkojnë, ku të derdhen. Lulet varin kokën, humbin ngjyrën e magjishme që bën edhe gurët të rrëzohen. Por tani ku është ajo lumturi, ku ta gjejnë të gjithë?
Heshtja dhe errësira kanë pushtuar edhe vendin më të vogël, edhe skutën më të fshehtë, edhe skajin më të largët… Stuhi.. Furtunë… Deti u çmend… Anija e njerëzimit është tmerruar, shpirti fshihet nga frika se gjithçka mund të ndodhë. Ah, njeri! Njeri! Kaq keq paske plotësuar hapësirat boshe të zemrës me mëkate? Kaq poshtë paske rënë? Ti… Që je qenia më e përsosur, më perfekte në botën ku jeton?
Qajnë fëmijët, vajtojnë nënat për errësirën dhe tmerrin e frikshëm që i ka kapluar. Ka ardhur koha kur ata nuk kuptojnë më pse janë krijuar, pse jetojnë. Anija e jetës njerëzore buçet, ndien edhe ajo dhimbje. Kupton se çdo gjë ka qenë një mbulojë e pakuptimtë, një ekuacion matematike që nuk i gjenden kollaj vlerat. Sytë i kanë të gjithë në qiell. Të gjithë përpiqen të tregohen të fortë, por zemra e tyre, tashmë e dobësuar, nuk mundet më, lotët i gënjejnë. Rrëshqasin shkarazi dhe rrokullisen në det, në atë det dhimbjesh të mbuluar nga errësira. Dhe ja…! Një diell çau retë që mbulonin qiellin, lindi një shpresë, në mes të shkretëtirës së pajetë lindi një trëndafil. Ky diell, kjo shpresë, ky trëndafil, është Pejgamberi ynë (a.s.). Është ai që do të ndryshojë rrjedhën e ngjarjeve, madje edhe të vetë jetës. Erdhi për t’u bërë shpëtuesi i pagabueshëm dhe i drejtë kur horizontin e njerëzimit e kaplojnë retë e errësirës. Erdhi te ne për t’u bërë prijës besnik i karvanit njerëzor që është i destinuar drejt Ahiretit. Erdhi, por nuk mbeti vetëm. Ndjekësit e tij u shtuan si lulet e bukura që çelin pasi janë lagur nga vesa e mëngjesit.
Injoranca merr fund, armiqtë kthehen në miq, e grumbullohen rreth tij dhe ende sot e kësaj dite kjo gjë vazhdon të ndodhë. Mblidhen si bletët punëtore pas mjaltit të ëmbël. Shumë pikëpyetjeve do t’u jepen përgjigje, shumë zemra do të lehtësohen bashkë me njeriun. Zemrat nuk do të jenë më të trazuara, nuk do hallakaten e sorollaten në një rrugë që nuk dinë se as ku do t’i çojë. Ato do nisen drejt një rruge, që më parë ishte e mbuluar nga errësira, por që tanimë në fund të saj duket një dritë rrëzëlluese që të jep prehje e siguri. Njerëzit do të ndalojnë së qenuri lodër e kohës në të cilën u desh të jetonin, por që u ktheu “nderin” duke u dërguar një udhëheqës. Një udhëheqës që do t’i çojë drejt shpëtimit në të dy botët.
Koha kalon, çdo ditë që ikën, më shumë rëndon. Shton diku një rrudhë, një thinjë të argjendtë, por nuk zbeh dot nga zemrat tona, vërtetësinë që i përket Pejgamberit (a.s.). Në zemrat tona ai gjallon çdo ditë e më shumë, gjithnjë më i freskët, si ajri që ne thithim! Si shembulli perfekt për t’u ndjekur. Syri i tij nuk pa kurrë haram. Veshi i tij nuk dëgjoi kurrë haram. Haram nuk foli asnjëherë gjuha e tij. Eci në rrugë të drejtë këmba e tij gjithmonë.
Sot ai nuk ndodhet midis nesh, por fryma e tij, aroma e tij e trëndafiltë, më pushton komplet, aq sa më duket se mjafton një hap i vetëm që të takohem me të. Ti ike, bota mbarë u prish, u drodh djepi, nuk qeshi më nëna, e zemrat tona sërish në stuhi…
Si një kaktus vetmitar në mes të askundit, në mes të një shkretëtire pa fund e krye, ndjehet secili nga ne. I humbur, pa një drejtim, pa një qellim të vënë në mendje të cilin ta ndjekësh. Ti, o Pejgamberi ynë nuk je më midis nesh. E pikërisht kjo më ka bërë rob të dëshirave të kësaj bote. Si kaktus në shkretëtirë, kërkoj me padurim të gjej një burim të vogël uji, për të jetuar. E gjeta më në fund. Ky burim jete, ky oaz në shkretëtirë, je ti, o Krenaria e Njerëzimit.
E gjeta unë më në fund dritën time udhëzuese. Të gjeta ty, o Krenari. Je ti drita ime. Ti krenari e njerëzimit më bën dhe mua të ndjehem krenare. Allahu nuk mund të na lumturonte më shumë me asgjë tjetër përveç ardhjes tënde. O i Lavdëruar. Zemra ime ka vendosur të kalojë male, dete e oqeane, shkretëtira pafund për të të gjetur. E mbushur me gjynahe, e turpëruar po vij te ti ja Resulallah. Për ty trëndafil me aromë dashurie, do jepja gjithçka për të qëndruar në një pjesë të këtij trëndafili, qoftë ajo pjesë edhe tek rrënjët në tokë.

 

 Botuar në librin Profeti Muhammed, krenaria e njerëzimit

 

You must be logged in to post a comment Login