Ligjet universale të jetës

Ligjet universale të jetësE kemi titulluar këtë trajtim kështu duke qenë se ai synon të hedhë dritë mbi konceptin e ligjeve universale të jetës, të quajtura ndryshe “principe jetike”.

Allahu i Madhëruar e krijoi qenien njerëzore në një natyrë të pastër dhe unike. Çdo tentativë për të dalë jashtë kësaj natyre do të rezultonte me pasoja fatale për njeriun. Pikërisht në lidhje me këtë Allahu i Madhëruar sqaron në Kur’an:

“Drejtohu me përkushtim në fenë e pastër monoteiste, natyrën fillestare, në të cilën Allahu i ka krijuar njerëzit. S’ka ndryshim të krijimit të Allahut.”[1]

Krijimi i Allahut të Madhëruar funksionon sipas një kodi ligjor universal që nuk bën përjashtim për asnjeri. Vetë Kur’ani fisnik bën fjalë për ligjet universale të këtij kodi ligjor, duke na thënë:

“I tillë ka qenë ligji i Allahut edhe më parë, e ti kurrë nuk do të gjesh ndryshime në ligjin e Allahut.”[2]

Edhe ne njerëzit me artikulimin “ligj”, nënkuptojmë një gjë të pandryshueshme dhe të vazhdueshme, që buron nga një burim konstant, që dikton një dispozitë të vazhdueshme, që vjen me rezultate të vazhdueshme dhe që i trajton të gjithë njerëzit njëlloj.

Nën këtë thjerrëz lipset t’i kuptojmë ligjet universale për të cilat po bëjmë fjalë.

Këto ligje janë stabile dhe i përkasin një realiteti abstrakt [të pashqisueshëm]…

Për shembull ligji universal i “mirësjelljes”, është një ligj i mirënjohur i cili dikton që zbatuesi i kësaj ligjshmërie të gëzojë konsideratë dhe pranim në mesin e njerëzve.

Ligjshmëria e mirësjelljes është abstrakte, nuk mund të perceptohet nga ana e shqisave dhe as të trajtohet materialisht, porse ne mund ta konceptojmë këtë ligjshmëri dhe të bindemi për praninë efikase të saj, duke parë rezultatet definitive të saj. Është pikërisht ky fakt ai që na bën të kuptojmë vërtetësinë e të tillë ligjësie edhe pse ne nuk arrijmë ta shohim atë me sy të lirë…

Përkufizimi i ligjit universal:

Ligji universal është një realitet abstrakt, i patjetërsueshëm dhe i vazhdueshëm, me pasoja dhe ndikime fikse tek çdo njeri.

Disa njerëz mund të jenë të vetëdijshëm për praninë e këtyre ligjeve ndërsa disa të tjerë jo; dhe në fakt masa dërrmuese e njerëzve nuk ka informacion mbi to; porse këto ligje gjithsesi funksionojnë pa bërë asnjë përjashtim.

Le ta ilustrojmë këtë me shembullin e semaforit; semafori i kuq do të thotë “ndalo”, semafori jeshil do të thotë “kalo”… Le të supozojmë se një person nuk ka informacion mbi këtë gjë dhe e kalon semaforin kuq, gjë që e bën atë të përfundojë viktimë e një aksidenti me pasoja të rënda fizike për të… Mundet që ai të “arsyetohet” se nuk e dinte këtë ligj; porse ligji nuk do bëjë përjashtime, e njohe apo nuk e njohe atë, e dite apo nuk e dite… pavarësisht kësaj, ligji nuk pyet, por bën të vetën mbi të gjithë ne njëlloj…

Po i këtij konteksti është edhe ligji djegës i zjarrit, ai prerës i thikës, etj. Le të supozojmë për shembull, se dikush merr në dorë një thikë dhe i mëshon me të gishtit… në këtë rast thika ka për ta prerë… ai mund të thotë: Po unë s’e dija se thika pret… e dije s’e dije ligji punon…

Ose kemi një person të dytë që e fut dorën në zjarr dhe digjet… justifikohet duke thënë: Po unë nuk e dija që zjarri të djeg… e dije nuk e dije zjarri të djeg…

Mosnjohja e këtyre ligjeve jo vetëm që e privon njeriun nga përfitimi, por, për më tepër, e dëmton seriozisht atë. Të gjitha gjasat janë që personi që s’i di ligjet universale, pavarësisht kësaj, do të penalizohet…

Ligjet universale i përkasin subjekteve të ndryshme: suksesi ka ligjet e tij universale, lumturia po kështu, komunikimi, etj. Njeriu që nuk i di ligjet e suksesit për shembull, sado që të përpiqet gjatë gjithë jetës së vet, është e pamundur që të arrijë te suksesi i vërtetë…

E njëjta gjë vlen të thuhet edhe për lumturinë, kush nuk i di ligjet e saj është e pamundur ta përmbushë atë. Për shembull: shumica e njerëzve jetojnë nën iluzionin se lumturinë e dikton paraja… Ky është një rezultat i gabuar që masa dërrmuese e njerëzve e kanë nxjerrë duke u bazuar tek eksperiencat e tyre të gabuara apo të indoktrinuar nga media… Teksa e vërteta qëndron se akumulimi i parave ka të tjera profite, brenda të cilave nuk është ai i lumturisë, e cila ka një kahe krejt të kundërt… Paratë është e vërtetë se duhen për të konkretizuar një sërë gjërash, por në të njëjtën kohë është vërtetuar se ato nuk kanë të bëjnë drejtpërsëdrejti me lumturinë… Madje realiteti jetik i ka treguar gjithsecilit prej nesh se njeriu mund të jetë i lumtur edhe pse nuk është mirë nga gjendja financiare dhe në krahun tjetër, mundet të mos jetë i lumtur edhe pse posedon shumë pasuri. Kemi parë persona që posedojnë miliona por megjithatë nuk janë të lumtur. Problemi tek ata qëndron se nuk e kanë pikasur ligjin e lumturisë…

Ligjet universale për të cilat po bëjmë fjalë janë ligje të pranishme në këtë univers.

Një pyetje që mund të shtrohet në kontekstin e këtyre ligjeve, është nëse:

Janë apo jo ligjet universale të kapërcyeshme?

Përgjigjja për këtë pyetje është: “Po, këto ligje janë të kapërcyeshme”… Kapërcimi i tyre realizohet përmes ligjit të quajtur “Ligji i mrekullisë” ose “Ligji i nderimit”. Ky ligj është në fakt funksional, porse ai funksionon në raste specifike shumë të kufizuara dhe që janë raste të jashtëzakonshme dhe përjashtuese; teksa dihet mirë që njeriu në ecejakun jetik të tij, nuk bën të mbështetet mbi parime përjashtuese… Gjithsesi e vërteta është se mund të ndodhë që njeriu t’i kapërcejë këto ligje universale…

Për ta kuptuar një gjë të tillë na vjen në ndihmë fakti se si njeriu ligjet e komunikimeve dhe raporteve njerëzore, arrin t’i kapërcejë në varësi të statusit që mban… Por gjithsesi kjo gjë është shumë e kufizuar dhe nuk gjejmë që këta njerëz, apo edhe të tjerët mbarë, ta jetojnë jetën e tyre nën rrjedhën e këtyre përjashtimeve…

E vërteta është se njeriu duhet të funksionojë në përputhje me ligjet universale, sepse në fund të fundit “Ligji i mrekullisë apo i nderimit” nuk varet prej tij…

Madje në vetë rrjedhën e jetës së profetëve të Zotit, të cilët në përditshmërinë e tyre përkraheshin nga Zoti me “Ligjin e mrekullisë”, gjejmë të dominonin ligjet normale dhe jo ato të jashtëzakonshme apo përjashtuese… Profetët e kërkuan lumturinë dhe udhëzonin tek ajo në përputhje me ligjet universale të lumturisë, dhe po kështu bënë edhe sa i përket suksesit, fitores e kështu me radhë…

Për sa në fjalë ka shumë rëndësi në lidhje me brumosjen e saktë që njeriu duhet të ketë në lidhje me ligjet universale që diktojnë jetën e tij…

Rëndësia e njohjes së ligjeve universale të jetës:

Së pari: Nëse nuk i dimë këto ligje shanset më të madhe janë që të penalizohemi, pra t’i vuajmë pasojat e tyre negative, ose më së paku të privohemi prej rezultateve të tyre pozitive.

Së dyti: Me njohjen e këtyre ligjeve dhe implementimin e tyre, njeriu bëhet produktiv dhe arrin rezultatet pozitive që dikton zbatimi i këtyre ligjeve. Nëse personi punon në vijimësi dhe siç duhet në përputhje me ligjet universale të jetës, atëherë ai në vijimësi do vjelë rezultatet e duhura.

Nëse ai i zbaton rishtazi mirë këto ligje, rishtazi rezultate të mira arrin dhe nëse i zbaton rishtazi keq, rishtazi keq do të jenë rezultatet. Sa në fjalë përbën një ligj të mirënjohur të theksuar në shkencat humane, i cili thotë: “Nëse ti gjithmonë bën atë që gjithmonë ke bërë, atëherë gjithmonë ke për të përftuar atë çfarë gjithmonë ke përftuar”… Pra nëse në vazhdimësi do bësh të njëjtën gjë, në vazhdimësi do marrësh të njëjtat rezultate…

Rezultatet do të ndryshojnë pozitivisht vetëm nëse – me lejen e Allahut të Madhëruar – do të veprosh korrekt me sistemin ligjor universal të jetës, gjë që do të vijë vetëm pasi ta njohësh mirëfilli këtë sistem. Përndryshe, nëse nuk e respekton dhe për më tepër nëse e neglizhon atë, në vazhdimësi pritet të të ngjajnë të njëjtat rezultate, sigurisht negative.

Së treti: Këto ligje e ndërgjegjësojnë njeriun që të kuptojë faktin se rrugëtimi drejt trofeut, zë fill kur kuptohet drejt thënia e Allahut të Lartësuar:

 “Çdo njeri le të shikojë se çka përgatitur për të nesërmen!”[3]; duke u vetëdijesuar prej këtu njeriu se ai vetë po e përgatit të nesërmen e tij, ai vetë është përgjegjës për atë çfarë i ngjet. Kuptim, pas të cilit, duhet nxituar të përcaktohet pa vonesë vizioni, objektivat dhe projektet që aspirohet të përmbushen, pasi kronometri i jetës nuk rresht së numëruari, natyrisht gjithnjë në zbritje.

Sondazhet shkencore kanë vërtetuar se: “Vetëm 5% e njerëzve e bëjnë atë që ndodh, 15% e tyre janë spektatorë të asaj që ndodh dhe 80% e tyre nuk e dinë se çfarë ndodh”.

Lipset që ti të jesh prej 5% -shes, prej atyre që e bëjnë atë që ndodh. Ti je ai që ke shumë në dorë lidhur me fatin tënd, ti je aktori kryesor i skenarit të ardhmërisë tënde… jeta jote e përditshme është pa dyshim një produkt i yti… jeta jonë e përditshme është vepër e duarve tona…

Me fjalë të tjera kush arrin të bëjë vepra të mira, le ta falënderojë Allahun e Madhëruar që i dha sukses, ndërsa kush bën punë të këqija, le të mos qortojë askënd përveç vetes së tij, mos të justifikohet as me smirën, as me magjinë, as me babanë, as me gjyshin, as me shoqërinë, as me ambientin, as me drejtorin në punë, as me shtetin, as me presidentin dhe as me asgjë tjetër… Të gjitha këto s’janë veçse justifikime boshe… Nëse nuk mundesh të arrish atë që do që të arrish, ti vetë je shkaku… Dhe kjo vlen për çdo gjë në jetën tënde… Gjithë sa të ngjan në jetë ti je ai që e ke bërë… Pra kërkohet që ti vetë të jesh lojtari që luan në fushën tënde, të jesh ti vetë ai që e vendos rolin dhe objektivin tënd.

Njohja e drejtë e funksionimit të këtyre ligjeve është kriter për transformimin rrënjësor të jetës sonë…

[1] (Kur’ani, Rum: 30).

[2] (Kur’ani, Fet’h: 23).

[3] (Kur’ani, Hashër: 18).

Nga Altin Torba

/Revista Drita Islame, Qershor 2013/

You must be logged in to post a comment Login