Liderët e politikës shqiptar urojnë myslimanët për Ramazan

Në ditën e parë të muajit të Ramazanit, liderët e politikës shqiptare kanë uruar besimtarët mysliman për një agjërim të mbarë e të pranueshëm. Përmes rrjeteve sociale facebook e twitter ata kanë vlerësuar sakrificën e myslimanëve në këtë muaj të madhërueshëm.

Sali Berisha

Të dashur miq, sot fillon muaji i madhnushëm i agjërimit, në të cilin besimtarët sakrifikojnë me qëllim pastrimin e shpirtit për besimin tek Zoti dhe vlerat më të larta njerëzore dhe hyjnore. Me këtë rast unë uroj të gjithë besimtarët myslimanë që këto ditë përvëluese dhe netë të nxehta të agjërojnë që sakrifica e tyre të pranohet nga krijuesi i gjithësisë dhe të sjellë paqe, të mira e mbarësi në familjet e tyre si dhe për mbarë shqiptarët.
Uroj që Zoti t’i përkëdhelë Shqipërinë dhe shqiptarët me mëshirën dhe dashurinë e tij!

Jozefina Topalli

Të dashur miq,
Me nisjen e muajit të madhërueshëm të Ramazanit dëshiroj më gjithë zemër t’u uroj të gjithë besimtarëve shqiptarë kudo që ndodhen, agjërim të mbarë e të pranuar. Ky është muaji që na mëson të ndajmë zemrën, mirësinë, dashurinë me të tjerët. Është muaji i devotshmërisë ndaj Zotit. Ritet e këtij muaji janë shenjë e tolerancës, drejtësisë, dinjitetit e përkushtimit. Agjerimi i trupit është ushqim për shpirtin. Sakrifica fisnike e të gjithë besimtarëve ardhtë si mbarësi për familjet e tyre!

Edi Rama

Me Lindën në iftarin e shtruar nga Komuniteti Mysliman. I uroj lehtësi çdo besimtari e mbarësi gjithë komunitetit

 

You must be logged in to post a comment Login