Le të jetojmë

35e3e1aceaf5f83c12f1a9a6ab8b19e2Nga Nuredin NAZARKO

Njeriu është një qenie komplekse dhe e mistershme, thellësinë e së cilës e njeh vetëm Projektuesi i saj. Njeriu si qenie humane ka nevojë për ushqim që i përshtatet natyrës së tij, në mënyrë që të arrihet ekuilibrimi dhe harmonia midis asaj që është më e lartë dhe asaj që është më e ulët. Për të ushqyer trupin, njeriut i duhet të punojë, të fitojë para dhe të mira materiale dhe t’i shpenzojë, për të mbajtur gjallë përmasën e tij fizike. Ky është një ligj natyror të cilin nuk mund ta ndryshojmë dot, edhe sikur ushqimet e zakonshme t’i përkthejmë në pilula vitaminoze. Kësisoj, për sa kohë nuk i kemi mbyllur sytë, ushqimi fizik do të jetë i pandashëm për t’i dhënë energji përmasës fizike, në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive që burojnë nga të qenët njeri.

Po kaq i rëndësishëm, madje shumë më tepër i rëndësishëm, është dhe ushqimi i anës shpirtërore. Ushqimi i kësaj përmase është ushqyerja e vetë jetës, pasi jeta është jetë në sajë të përmbajtjes shpirtërore. Në rast se njeriu jep shpirt, a mundet të vazhdojë jetën? Kjo përmasë, në sajë të së cilës kemi statusin njeri, është e panjohur esencialisht, por ne nuk na kërkohet të njohim esencën e saj. Ajo çfarë kërkohet prej nesh, është ushqyerja e kësaj përmase, në mënyrë që të mos vdesim duke qenë ende gjallë. Ushqyerja e kësaj përmase nuk mund të jetë e natyrës fizike. Përderisa nuk mund të ushqejmë me bukë e ujë shpirtin, atëherë me çfarë ta ushqejmë? A është ushqyerja e saj domosdoshmëri e vazhdueshme apo vetëm kur nuk kemi rrugëdalje tjetër i drejtohemi metafizikës?

Ushqyerja e shpirtit është domosdoshmëri e vazhdueshme, ashtu siç është domosdoshmëri të jetosh jetën në çdo çast të saj dhe jo vetëm në çaste të caktuara.

Për të jetuar jetën, njeriu ka gjithë potencialin e nevojshëm, por varet se kush e përdor sipas rendit natyror këtë potencial e kush jo. Rrugët dhe mundësitë për t’u ushqyer shpirtërisht janë të panumërta, edhe pse përbashkohen në një rrugë të vetme. Ndër këto ushqime ka diferencime, pasi jo të gjitha kanë të njëjtën vlerë, të njëjtën peshë dhe rëndësi në hapësirën që zënë në rrugën e jetës. Por, që këto ushqime të japin efektet e shumëdëshiruara, duhet të bazohen katërcipërisht te sinqeriteti dhe drejtësia. Pa këtë bazament, asgjë e mirë në dukje nuk vlen, sado që të kesh sakrifikuar.

Një nga mundësitë për t’u ushqyer shpirtërisht, është vizita një herë në vit e një mysafiri të rëndësishëm, pasi ai na sjell si dhuratë mundësinë për t’u ngjitur në sferat e larta të metafizikës dhe për të përjetuar realisht procesin e të jetuarit. Ky mysafir i shtrenjtë na mëson se ç’është shenjtëria e jetës, na mëson se në çfarë lartësish mund të ngjitet njeriu kur kupton shenjtërinë e saj. Ky mysafir na tregon se çfarë force dhe energjie mban njeriu brenda vetes dhe se çfarë mundësish ka njeriu për të gjetur rrugën e jetës. Nuk është e nevojshme ta emërtojmë këtë mik, pasi të gjithë e njohin, edhe ata që e duan, edhe ata që nuk e duan. Ky është mysafiri që gjatë kohës që qëndron me ne, na kërkon që për hir të Atij që e ka dërguar si emisar të së shenjtës, të privojmë vetveten nga disa ushqime fizike, nga agimi në perëndim. Ky privim është i domosdoshëm, pasi në kohën e vizitës së tij, përmasa shpirtërore e njeriut duhet të dominojë fuqishëm jetën e tij, sepse kur trupi dobësohet, fuqizohet shpirti. Por, nuk duhet të mendojmë se me rëndësi është vetëm të privohemi nga ushqimet fizike dhe ja u krye detyra, misioni i kërkuar. Ky mysafir, i cili kërkon të na mbulojë me mirësitë e tij, privimin nga ushqimet fizike e bashkëshoqëron me sakrificën për t’u kredhur në skutat e qenies sonë, që askush veç nesh dhe Atij që na ka dhënë jetën, nuk e di se ç’mund të mbajnë. Ky mysafir na kërkon pikërisht shkundjen e pluhurit dhe rrjetave të merimangës që kanë zënë vend në këto skuta dhe pastrimin e tyre me ujin e urtësisë dhe sakrificës së pastrimit, gjë e cila është tmerrësisht e vështirë në një kohë tjetër. Kërkesa për t’u privuar nga ushqimet fizike është më së pari metafizike, sepse e tillë është dhe natyra e mysafirit, që nuk ka për qëllim të dëmtojë qenien njerëzore, duke i kërkuar të privohet.

Nëpërmjet privimit, mësojmë ç’është jeta dhe si duhet të jetohet ajo, që të jetë jetë e begatë. Nëpërmjet privimit mësojmë se ç’është sakrifica e të mposhturit të vetvetes nga dashuria për pafundësi. Nëpërmjet privimit mësojmë se çfarë vlere ka shenjtëria e jetës dhe se ç’marrëzi është ta zbresësh atë që është e paçmuar, në nivele të paimagjinueshme të nënshtrimit ndaj trupores. Prandaj, nuk duhet të jemi aspak të dekurajuar përballë sakrificës për t’u privuar nga ushqimi fizik, edhe në kushte jo të favorshme atmosferike, pasi ajo çfarë përjetohet është e njohur vetëm nga përjetuesi dhe është e paimagjinueshme nga ata që janë të privuar nga ky përjetim metafizik. Asnjë vështirësi nuk duhet të na dekurajojë dhe frikësojë, përballë faktit që kemi filluar të jetojmë, sepse njeriu nuk duhet të frikësohet nga vdekja, por nga fakti që kurrë nuk ka jetuar. Dhe ky mysafir na largon ndjesinë e të mosjetuarit dhe na fuqizon dashurinë për më të epërmen jetë.

Le të fillojmë të jetojmë…

You must be logged in to post a comment Login