Kurban Bajrami (Poezi)

-POEZI-

Behauddin GASHI

Foto Ilustruese

Kurban Barjami

U ngrit Kurban Bajrami, kjo festë e bekuar,
mbi sakrificën sublime të profetit Ibrahim.
Ai, për hir të All-llahut, Zot i Madhëruar,
djalin deshi t’bëjë kurban, pa më t’voglin hezitim…

Ibrahimi vuri thikën mbi qafën e Ismailit
dhe dora s’iu drodh tek e tërhoqi fort.
Bota u mbush me ngjyra, aromë të trëndafilit,
një bindje e këtillë s’mund të sillte mort…

Tek u tregua kulmi i bindjes dhe i besnikërisë,
kur u shfaq shpirti i nënshtrimit dhe i dashurisë,
pasi u zbatua urdhri i All-llahut, Zot i gjithësisë,
u zëvendësua djali me dashin, nga Xhennet i përjetësisë…

E zëvendësoi Zoti flijimin e njeriut, me të një kafshe,
e zëvendësoi flijimin e Ismailit me të një dashi.
S’kishte ndodhur gjer atëherë diçka e ngjashme,
s’kishte parë bota diç më të hatashme…

S’ishte parë ndonjëherë e atillë dashuri,
s’kishte dëgjuar bota për të, kurrë.
Ky është Islami, udhëheqje për çdo shoqëri,
që gruan e ngriti lart dhe burrin, e bëri, burrë…

Dashuria e Ibrahimit dhe Ismailit, si vesë e sabahut,
duhet t’i shërbejë të gjithëve në këtë botë.
Njeriu duhet të sakrifikojë më të shtrenjtën për hir të All-llahut,
njeriu duhet të kuptojë se pa Fe, është i kotë!…

Kuptimi i sakrificës dhe i flisë në Islam,
nuk qëndron në derdhjen e gjakut të një kafshe.
Qëllimi është të ngrihet si m’i forti istikam,
akti i bindjes më të thellë, më të pangjashme…

Tek All-llahu nuk arrin as mishi dhe as gjaku,
i kurbanëve që vijnë prej Zotit e theren për hir të Tij.
Tek Ai arrin bindja njerëzore, që qiellin përflaku,
tek qafën drejt thikës bindshëm zgjati, një axhami…

E sot, kur gjaku i kurbanëve mbush rrugët tona,
kur bota drithëron nën thirrjet e tekbirit.
Le të na i flladisë zemrat gjer ku shkon jehona,
dashuria e babait, nënshtrimi i të birit!…

E sot, le t’i hedhim sytë matanë hundës sonë,
e sot, le të shikojmë atë që na rri pranë.
E sot, le të dëgjojmë zërin që ushton,
e sot, le të kridhemi mëshirës së paanë!…

O dorë e plagosur që zgjatesh pikëlluar,
o shpirtra që vajtoni, o sy që derdhni lot.
Mosni kështu, për Zotin, qeshuni të gëzuar,
nuk mundem t’ju duroj, jo më edhe sot!…

Sot është Bajram, festë e myslimanit
e ti besimtar, çastin me mall e prite.
Shtrirja e dorës, përulja, veset e shejtanit,
të mos jenë mes nesh, jo dhe kësaj dite!…

Çelini ndjenjat, zemrat ndër kafaze,
zgjidhini shpirtrat që i mbani peng.
Anija e Besimit çan nëpër tallaze,
shkretëtira e skamjes atë kurrë s’e tremb!…

Ndajini, pra, kurbanët, ndajini në tri pjes’,
jepuni të tjerëve, sepse për vehte e keni…
Në Ditën e Gjykimit do të ecni serbes,
kur përpara syve të gjallë do t’i gjeni!…

E, mbi të gjitha, do të shihni All-llahun,
teksa në Xhennet ju pret përjetësia.
Dhe ashtu si nata që mezi pret sabahun,
le të na përmallojë të gjithëve, një gjë: Dashuria!

You must be logged in to post a comment Login