Kurban Bajrami, mblidhet kryesia KMSH-së

Me rastin e Kurban Bajramit, kryesia e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë së bashku me myftinjtë e rretheve kanë mbajtur të mërkurën mbledhjen e rastit. Në këtë mbledhje, të drejtuar nga Kryetari H. Selim Muça, është diskutuar në lidhje me projektet e KMSH-së me rastin e Kurban Bajramit.

Në fjalën e tij, kreu i institucionit, H. Selim Muça ka përshëndetur punën dhe angazhimin serioz të myftinjve dhe ka kërkuar prej tyre që gjatë Kurban Bajramit të shtojnë përpjekjet për të promovuar vlerat e larta të Islamit dhe dobinë e madhe të këtij obligimi me një solidarizim kaq të lartë social. Nga ana tjetër, Kryetari Muça u kërkoi drejtuesve në rrethe që ta organizojnë sa më bukur festën e Kurban Bajramit, duke sjellë një atmosferë festive në interes të shoqërisë ku ata jetojnë e veprojnë në rrethet e tyre.

Më pas edhe kancelari i KMSH-së z. Ali Zaimi ka folur në lidhje me shpërndarjen e Kurbaneve, të cilat sivjet do të jenë disa mijëra pako, që do të sigurohen nga prerja e kurbaneve të donatorëve nga vendi dhe bota. Paketat do të jenë për të gjitha myftinjtë e vendit, të ndara në raport me popullsinë e rrethit ku ndodhet secila myftini. Në fund, myftinjtë pjesëmarrës kanë diskutuar dhe janë informuar në lidhje me hapat e procesit për ndërtimin e xhamisë së Namazgjasë dhe gjendjen e mbi 300 haxhinjve të që ndodhen në vendet e shenjta, të udhëhequr nga KMSH për herë të parë këto 20 vjet demokraci.

You must be logged in to post a comment Login