Kura

Y. Alan

Ndërsa ecte përmes parkut për në spital, ai vështronte me kënaqësi të veçantë se si rrezet e diellit të mëngjesit depërtonin nëpër degët e pemëve deri poshtë në tokë te petalet e luleve. Ai ishte duke shkuar në spital për një operacion dhe ecte ngadalë, i vetëdijshëm për dhimbjen e tij. Një mendim i erdhi natyrshëm në mendje. A do t’i shikonte këto gjëra të bukura sërish? Megjithatë, tani për tani, ai ende mund të shikonte me ëndje dhe kënaqësi, dhe këtë bëri. Sa e bukur ishte jeta?!

Në recepsionin e spitalit, ai u prit nga mjeku, i cili e prezantoi me një infermiere, e cila e shoqëroi në repart duke i treguar dhomën dhe shtratin e tij. Ai ndjeu se ishte duke iu nënshtruar procedurave rutinë, pa dyshim. Vështroi ambientin përreth me nervozizmin e dikujt që është gati t’i nënshtrohet operacionit të tij të parë. Një veshje spitali e bardhë priste që të vishej nga ai. U zhvesh krejtësisht prapa perdeve të mbyllura që rrethonin shtratin dhe veshi bluzën e bardhë. Kalimi nga veshja e përditshme me shumë pjesë në një të vetme të bardhë i solli në mendje një kufomë të veshur me qefin. Afërsia e botës së përtejme erdhi papritur vrullshëm dhe ai mendonte: “Ka aq shumë ngjarje në jetën tonë të përditshme saqë kjo na bën të pavëmendshëm ndaj vdekjes dhe botës tjetër”.

Anestezisti dhe infermierët që po e transportonin në një krevat-barelë për në sallën e operacionit, dukej se pothuajse nuk ishin fare të vetëdijshëm për të. Ata bisedonin kryesisht me njëri-tjetrin dhe feja nuk ishte asfare pjesë e bisedës së tyre. Ata po bënin punën e tyre në mënyrë rutinë. Ai nuk po ndjente ndonjë miqësi apo ngrohtësi ndaj tyre. Steriliteti klinik dhe të gjitha pajisjet e mjekësisë moderne rreth tij, i kujtuan më shumë terr sesa dritë, ftohtësi sesa ngrohtësi, pesimizëm sesa shpresë, vdekje sesa jetë. E ndjeu veten si të huaj në këtë botë, një jashtëtokësor, pasi shumë herë ishte ndjerë i tillë edhe në mesin e njerëzve në rrugë, në autobus apo në treg.

Lënda anestetike që iu administrua ishte shumë efektive, sepse duhet të kishte humbur ndjenjat vetëm pas disa sekondash…

U zgjua për ta gjetur veten përsëri në një dhomë të atij pavijoni dhe me dhimbje sikur të ishte shtypur nga një barrë e madhe. Duhet të ketë marrë fund gjithçka, mendonte disi i habitur. Çfarëdo që ishte e nevojshme të hiqej duhet të jetë hequr tashmë. Ndjeu sikur i ishte dhënë një jetë e re. Ndërsa po vinte në vete, dëgjonte pacientë të tjerë të ankoheshin për dhimbjet e tyre: “O Zot, nuk mund të duroj dot. O Zot, më ndihmo!” Pse duhet të jetë kështu? Pse vallë nuk e kuptojmë nevojën tonë, dobësinë tonë përpara Zotit, derisa vuajtja jonë të jetë ekstreme? Të trokasësh në mënyrë urgjente në derën e mëshirës së Tij kur përjetojmë vështirësi, ndërsa nuk e falënderojmë atë kur jemi me shëndet të mirë, kjo është diçka tipike njerëzore.Ai ishte çliruar nga një sëmundje trupore. Aftësia e kirurgut kishte larguar shkakun lokal të dhimbjes së tij. Shumë bukur. Por, ah sikur të kishte qoftë edhe një mjek të vetëm aq të shquar saqë të mund të kuronte plagët, dhimbjet dhe vuajtjet e shpirtit të tij, i cili mund të largonte tumoret e mëkateve të tij!Pasi la spitalin, ai u kthye në shtëpi, ku jetoi i vetëm për disa kohë. Ai mori lajmin për vdekjen e gjyshes. Që nga ai moment nuk do të ishte më në gjendje ta shihte atë përsëri dhe të puthte duart e saj siç bënte në ditët e festave, nuk do ta dëgjonte më të lutej me përgjërim ndaj Zotit pas faljes së sabahut, të përmendte emrat e të gjithë të afërmve të saj, një nga një, duke u lutur me lot të sinqertë për mirëqenien e secilit prej tyre.Një nga një të gjithë të dashurit e tij do të ndaheshin nga ai. Kjo ishte e sigurt, duke jetuar në vetmi ishte mirë dhe gjëja e duhur. Ajo e ndihmoi të ndjente afërsinë e një miku të vërtetë. Familja, miqtë dhe kolegët mund të jenë një ngushëllim kohë pas kohe, por ata gjithashtu kthehen në pjesë të rutinës dhe zakonit. Ndoshta, për këtë arsye, njerëzit me një mendje serioze kanë ndjerë gjithmonë nevojën për t’u tërhequr nga bota për një periudhë të shkurtër. Një njeri i famshëm, i cili vuajti shumë në epokën e tij ishte tejet i frikësuar nga jeta që ishte bërë rutinë dhe tjetërsuar nga dora e njeriut dhe nga humbja e asaj që kishte mbetur e pandryshuar, e egër brenda tij, prandaj ai zgjodhi të shkonte në mal i vetmuar dhe të qëndronte në shoqërinë e Zotit të vet Mëshirëplotë, që dinte sekretet më të thella të zemrës së tij.Jeta e tij dhe jeta e të dashurve të tij ishin shumë të shkurtra; ose ai do të largohej prej tyre, ose ata do të largoheshin prej tij, ndarja ishte e sigurt. Ai kishte vënë re në pasqyrë që flokët e bardhë kishin filluar të dukeshin në kokën e tij. Plakja dhe vdekja… Pavarësisht nga flokët e bardhë, ai e ndjeu veten fëmijë, madje as edhe adoleshent. Të përjetoje realitetin e pleqërisë dhe vdekjes është diçka krejt e ndryshme nga ajo që paraqitet nëpër libra dhe filma. Disa të vërteta mund të kuptohen vetëm me kalimin e kohës dhe duke i përjetuar ato drejtpërdrejt. Ato nuk mund të kuptohen përmes fjalëve ose imazheve rreth tyre, sado elokuente ose reale të duken.Ai përvidhej në valët e emocioneve të forta, disa herë duke menduar se ishte shumë larg prej Tij, në raste të tjera ndjente që Ai ishte shumë afër. Dritare të reja ishin hapur në mendjen e tij, pse ai besonte atë që besonte, pse kishte thënë atë që kishte thënë, pse kishte jetuar atë jetë që kishte jetuar. Atij iu kujtuan këto fjalë të një libri të mbushur me dritë: “Ne do të kërkojmë të shesim veten tonë dhe pasurinë tonë (të cilat ishin vetëm një amanet për ne) tek Allahu, në këmbim të Parajsës, në mbretërinë e lumturisë së përjetshme dhe për kënaqësinë e Tij, i cili është një qëllim vlerën e së cilës asnjë mendje nuk mund ta masë”. A është kjo një ujdi e tillë aq e rëndë saqë shumica e njerëzve nuk e shesin? Jo, në të vërtetë nuk është. Rrethi i gjërave të lejuara është i gjerë mjaftueshëm për të gjetur lehtësim dhe kënaqësi në këtë jetë. Nuk ka asnjë nevojë që të futesh në rrethin e të ndaluarës. Adhurimet e detyrueshme nuk janë as shumë e as të rënda. Të jesh një rob i Zotit është një gradë e tillë nderi, kënaqësia e së cilës zor se mund të shprehet me fjalë. Ndërsa detyra jonë është që të veprojmë për hir të Allahut, për të dhënë dhe për të marrë për hir të Tij dhe për të lëvizur brenda rrethit të së lejuarës dhe ligjit të Tij, në mënyrë që të mund të arrijmë paqen me vetveten.Paqe e mendjes, shpirtit dhe zemrës… Paqja e ndjerë në vena përmes lehtësisë së papërshkrueshme të respektimit të kufijve, të së lejuarës. Kush e di se sa shumë njerëz janë duke e kërkuar këtë paqe? Sa të tillë janë të ngopur me mënyrat e paligjshme, të cilët kohë pas kohe ngrihen kundër mëkateve të tyre, por zhyten përsëri në to, pasi nuk gjejnë mbështetje dhe bien në depresion…Duke kërkuar nëpër një album fotografish, ai rrëshqiti në kujtimet e vjetra. Aventura e jetës së tij ishte e mbuluar nga pluhuri i viteve. Keqardhje e mos mbajtjes së pafajësisë me të cilën ai kishte lindur, e cila sa vinte e rritej ndërsa kthente faqet. Si mund të pastrohen aq shumë mëkate, kaq shumë plagë shpirtërore si mund të shërohen?Sa herë që ndjehej i pafuqishëm, ai do të kthehej në librin e tij të lutjeve dhe të lexonte prej tij. Atë po bënte edhe tani. Pas disa fjalish e gjeti veten duke qarë me ngashërim. Ai kishte menduar pas operacionit: “Sikur të kishte një mjek të shquar të certifikuar nga Shëruesi që mund të kuronte sëmundjet dhe vuajtjet e shpirtit tim?!” Tashmë iu duk sikur mjeku ishte në këmbë disa hapa përpara tij: “O Zoti im! Paqja dhe shpëtimi yt qoftë mbi zotërinë tonë Muhamedin, të zgjedhurin Tënd! Në ndjekjen e shembullit të tij është shërimi dhe ilaçi i zemrave, tërësia dhe kurimi i trupit, drita dhe shkëlqimi i syve”. 

Përktheu: Erion Sukaj

/Revista ‘Drita Islame’, prill 2017/

You must be logged in to post a comment Login