Kukës, simpozium për vlerat e Haxhit dhe Kurbanit

“Haxhi, Kurbani dhe vlerat e tyre universale”, kjo është tema e simpoziumit të mbajtur të martën në Kukës. Simpoziumi në fjalë vjen në kuadër të aktiviteteve në lidhje me Haxhin dhe Kurbanin.

 Aktiviteti i mbajtur në sallën e Pallatit të Kulturës të qytetit, ka filluar me këndimin e një pjesë kur’anore dhe më pas simpoziumin e ka hapur myftiu i rrethit Kukës z. Islam Hoxha, i cili ka folur në lidhje me vlerat e Haxhit dhe Kurbanit. Drejtori i Kulturës në KMSH z. Genti Kruja ka qenë edhe moderatori i simpoziumit, i cili ka përshëndetur simpoziumin dhe ka folur në lidhje me vlerat universale të Haxhit dhe Kurbanit.

 Në këtë simpozium kanë pasur kumtesat e tyre z. Ylli Gurra, kryetar i Këshillit të Përgjithshëm dhe z. Elvis Naçi, drejtor i Thirrjes në Islam në KMSH, të cilët kanë folur rreth Haxhit, vizitës në vendet e shenjta, bindshmërisë dhe përgjigjes ndaj thirrjes së Allahut Mëshirues për të qenë atje, si pjesë e pandarë e kornizës së të qenit mysliman, si dhe për mirësitë e Kurbanit. Aktiviteti është përshëndetur edhe nga Myftiu i rrethit Pukë z. Gëzim Kopani.

 “Haxhi dëshmon unitetin e myslimanëve, njerëzve të besimit e të bindjes ndaj Krijuesit, dëshmon pandashmërinë dhe praktikimin e këtij besimi në çdo cep të globit në gjurmët e pahumbura të Krenarisë së njerëzimit, Hz. Muhamedit (a.s.), si një kongres mbarëbotëror me delegatë të përkushtuar që vijnë nga çdo cep i botës.

Ndërsa Kurbani dëshmon që ky komunitet, kjo bashkësi e përkushtuar në besim, po në unitet është e gatshme për sakrificë në shërbim të Zotit, të lirisë, të paqes dhe drejtësisë sociale, të solidarizimit mbarëshoqëror dhe të qëllimit për të përfituar nga i Madhi Zot (xh.sh.) mirësitë në të dy jetët” – kanë qenë këto disa nga mesazhet e këtij simpoziumi.

Simpoziumi është ndjekur edhe nga mediet lokale të rrethit, si dhe pas këtij aktivitetit për të pranishmit është shpërndarë edhe revista “Haxhi dhe Kurbani”, botim special i KMSH-së në lidhje me obligimet islame të Haxhit dhe Kurbanit.

 Ky aktivitet u organizua nga Komuniteti Mysliman  i Shqipërisë në bashkëpunim me Myftininë Kukës. /Drita Islame/

You must be logged in to post a comment Login