Kujtime Ramazani

20150601_121716“Selamu alejkum!” – dëgjohet zëri i ngrohtë prapa derës së apartamentit të vogël te nëntëkatëshet në qendër të Tiranës. “Alejkum selam!” – i përgjigjem, dhe ajo më hap derën menjëherë e më përqafon me ngrohtësinë e një nëne të përmalluar për të dashurit e saj. Sapo hyj brenda, nuk mund të mos mrekullohem me orenditë dhe suveniret e moçme karakteristike të stilit osman, që zbukurojnë anekënd shtëpizën e saj. Rehatohem në minderin me jastëkë të qëndisur me dorë të njërës nga odat e shtruara me qilima tradicionalë e sixhade motivesh floreale të harlisura dhe kundroj me ëndje kornizat me kaligrafi arabe dhe sure kur’anore nga një qoshk. Mandej mbaj frymën tek sodis bukurinë e suvenireve artistike orientale, si tespijet kokërrmëdha, të kristalta, për zbukurim dhe të tjera, me rruaza më të lehta, prej druri, tabakanë prej bakri të praruar, të gdhendur me motive arabeskash dhe dy kupa elegante në të e shumë të tjera, – të vendosura gjithkund në bufenë bojë arre, të lyer me llak, në parvazet e brendshme me mbulesa bardhëlluese, ojna-ojna, të penxhereve shumëkanatëshe, mbuluar gjer në mes prej një palë perdesh tyli të kohës së dikurshme, zbukuruar me bedena dantellash të thurura me grep. E gjithë kjo panoramë e shtëpisë së saj tradicionale shqiptare, më përngjan me një mozaik artistik ku shpërfaqet natyrshëm magjia e hershme e kulturës orientale e ngjizur me traditën shqiptare. Ulur këmbëkryq, mbi dyshemenë e drunjtë, rrufis kafenë e nxehtë në sofrën e shtruar enkas për mua. Nuk ka se si t’i shpëtosh adeteve tipike shqiptare të mikpritjes dhe sajdisjes së mysafirit në shtëpinë e saj. Edhe pse në moshë të thyer, me shkathtësinë karakteristike prej çupëline, ajo nxiton të bëjë të gjitha qerasjet e nevojshme, përkundër lutjes sime që të rrijë ulur e t’i shërbej unë, kësaj zonje të naltë, si më e re që jam.

Jemi në prag të muajit të begatë të Ramazanit dhe gjendem në shtëpinë e Nëna Netit (Hiqmetes), të cilës dua t’i shkëpus disa kujtime nga eksperienca e saj me agjërimin, që kur ishte fëmijë e deri më sot. Ramazani i këtij viti shënon 26 vjetorin e agjërimit për Nëna Netin, siç jemi mësuar ta thërrasim të gjithë, që në vitet e fakultetit apo edhe në qendrat e para fetare që u hapën në Tiranën e pas ’90-tës, ku fëmijë e adoleshentë të të gjitha shtresave mblidheshin përtë ndjekur kurse fetare dhe shkencore, ndërsa Nëna Neti angazhohej dhe u shërbente me një zell të paparë gjatë iftareve që organizoheshin në oborret e këtyre qendrave.

Bashkë me një ndihmëskuzhiniere, Nëna Neti përgatiste ushqim për 400-500 fëmijë të kurseve, dhe kujton se, edhe duke qenë agjërueshëm, ajo nuk e ndjente lodhjen, mjaft që të kënaqeshin e ngopeshin fëmijët që agjëronin për herë të parë.

“I pyesja: A u kënaqët, a u ngopët, zemrat e teta Netit? Mos më gënjeni, për Allah, se Allahu dëgjon, Allahu shikon. Myslimani jo vetëm që duhet të bëjë vepra të mira, por edhe nuk duhet të gënjejë, prandaj më thoni të vërtetën!” Ata përgjigjeshin: “Të lumshin duart, u kënaqëm, u ngopëm. Ta shpërbleftë Allahu!” – Unë fluturoja nga gëzimi, kur kënaqeshin ata, më shumë kënaqesha unë kur ngopeshin ata, ngopej zemra ime” – më tregon teksa vë dorën në zemër.

Për shkak të një jete të trazuar e të vuajtur, ajo nuk pati fatin të ndërtonte një jetë familjare siç ëndërron çdo vajzë e re. Ajo mbeti e njohur si Nëna Neti ose Teta Neti.

Teksa flasim shtruar, mbështetur në palat e kindeve të minderit në odën e miqve, ajo më rrëfen historinë e jetës së saj, përpara viteve ’90 e tëhu. Më tregon me dhimbje për vuajtjet e familjes së shpërngulur me forcë nga qeveria e atëhershme, për skamjen, kusuret dhe intrigat e sigurimit të sistemit komunist ndaj familjeve myslimane tiranase, që kishin trashëguar plaçkë e pasuri nga të parët e tyre bejlerë e shejhlerë.

“Ai sistem nuk kursente asgjë, madje as të drejtën e njeriut për të besuar tek i Madhërishmi” – kujton ajo dhe sytë i mjegullohen në çast.

“Atëherë ishte shumë e vështirë ta deklaroje besimin dhe të deklaroje që agjëroje ishte fatale. Kishte raste që njerëzit i hiqnin nga puna. Unë kam agjëruar që fëmijë, sepse prindërit e mi kanë qenë shumë fetarë, shumë besimtarë dhe agjëronin çdo vit. Unë agjëroja me mamanë. Ajo bënte ndonjë gjë të mirë dhe ma prishte mendjen se isha e vogël e më thoshte: “Nesër do të bëj gjëra të mira. Agjëro, bijë e nënës, se të shikon Allahu, të dëgjon Allahu dhe do të kesh shumë mbarësi në jetën tënde. Do shkosh mirë me mësime, do të dojë shoqëria, do kesh shëndet. Mamaja më donte shumë, dhe pse ishim në kushte të vështira prapë agjëronte. Nuk e ka lënë asnjëherë agjërimin deri sa mbylli sytë në ’97-tën.”

Nëna Neti është ndër të parat gra besimtare, që kur u rihap feja në Shqipëri në 90-tën. “Neve na thërrisnin ‘Nënat e Islamit’ – thotë ajo duke përmbajtur lotët.” Në vitin 1989 ajo ka agjëruar për herë të parë të plotë dhe me përkushtim muajin e Ramazanit. Njohjen dhe kontaktet e para me teologë myslimanë ia dedikon një misionari arab me emrin Abdulatif dhe gruas së tij Suha, prej të cilëve ka marrë mësimet dhe ligjëratat e para të Islamit, ku dhe u angazhua më pas si vullnetare.

Më tej ajo kujton momentin kur është njohur me të: “Unë ende pa e vënë shaminë, njëherë kisha përgatitur një ëmbëlsirë që po e çoja për ta pjekur në furrë, se nuk kishim mjete në atë kohë. Ishim shumë vajza dhe gra dhe ishte fati im që më ndaloi një vëlla mysliman arab. Sikur më zgjodhi Allahu prej ‘tufës’. Por kjo nuk është rastësi, është argument i Allahut. Deshi Allahu, që ma dha këtë mundësi, sepse unë isha e predispozuar për të tëra. Unë doja, si ajo puna e shkrepëses, vetëm sa të ndizesha dhe Allahu ma solli ndezjen”.

Në ato vite Nëna Neti bëhej shumë me motrat myslimane, siç i quan ajo misionaret e para arabe dhe kujton me nostalgji iftaret e atyre kohëve të rikthimit të Islamit. “Iftarin e organizonim shumë bukur. Njëra sillte byrekun, njëra supën, njëra qoftet, njëra sallatën, njëra frutat dhe bëhesh një tryezë shumë e bukur, një iftar i mrekullueshëm. Edhe kur vija e lodhur nga puna, menjëherë merrja e thollja bakllavanë dhe e çoja te motrat myslimane. Nuk ndjenim lodhje. Gëzimi shpirtëror që ne ndjenim ishte i madh. Mendoj se ato momente nuk mund të përsëriten më.”

Që atëherë e deri sot, pas 26 vitesh, ajo nuk e ka lënë asnjëherë agjërimin. Edhe pse tashmë në moshë të thyer, ajo po e pret me gëzim ardhjen e këtij muaji të uruar. Për të agjërimi në këtë stinë të nxehtë nuk është i pamundur dhe as i vështirë. Sipas saj, mjafton nijeti i sinqertë për Allahun dhe Ai e bën atë të lehtë për besimtarët duke e shpërblyer shumëfish, pa hesap këtë sakrificë sublime.

Ditët dhe netët e Ramazanit Nëna Neti i kalon me lexim Kur’ani dhe adhurim. Gjatë ditës asaj i pëlqen ta shfrytëzojë kohën për të lexuar Kur’an dhe literaturë islame, mbrëmjeve ajo fal teravitë në xhaminë e Medresesë ose te Xhura, ndërsa netët i kalon duke u falur dhe duke u lutur për të dashurit e saj e mbarë besimtarët. Dhjetëditëshin e fundit të Ramazanit ajo e kalon më shumë në xhami se në shtëpi, ku puqet me motra të tjera besimtare me të cilat ndan shijen dhe kënaqësinë e adhurimit.

Për mua, përveçse një besimtare e devotshme, mikpritëse bujare, oratore e aftë, dhe pse jo intelektuale e brezit të saj, Nëna Neti është dhe do të mbetet një grua e rrallë, të cilën pata shansin ta njihja që në fakultet, një zonjë e fisme, nobël, siç i quan ajo të tjerët, e dalluar me virtyte të larta dhe cilësi shembullore. Me pak fjalë, një gur i çmuar në mesin e besimtarëve, një flori, – siç e quante e ëma, Erveheja (rahmet pastë), të cilës i shërbeu me gjithë shpirt sa qe gjallë. Allahu xh.sh. ia shtoftë jetën dhe e shpërbleftë me mirësitë e Tij të pafundme në këtë botë dhe në Ahiret!

Përgatiti: Esmeralda Çaça

/Revista Drita Islame – Qershor 2015/

You must be logged in to post a comment Login