Kujdes… filloi shkolla

Sa herë që mbaron viti shkollor, prindërit njihen me rezultatet përfundimtare të fëmijëve të tyre në mësime. Disa gëzohen me arritjet e tyre, ndërsa të tjerë zhgënjehen pa masë për shkak të notave të ulëta. Ka prej prindërve që vetëm në këtë kohë interesohen për t’u njohur me ecurinë e fëmijëve në shkollë dhe u kërkojnë llogari atyre se, pse nuk u përpoqën më tepër, në mënyrë që të dilnin më mirë. Gjithashtu, kjo është koha kur shumë nxënës japin premtime boshe, duke shprehur gatishmërinë se gjatë vitit vijues, do t’i përmirësojnë notat, nuk do t’i kushtojnë shumë kohë televizorit, telefonit, kompjuterit, daljes me shokë e shoqe e kështu me radhë, ndërsa përgjatë 9 muajve të procesit mësimor, i rikthehen prapë avazit të vjetër, ku librat dhe të lexuarit nuk janë në plan të parë. 
Sërish erdhi shtatori, muaji ku nxënësit ritakohen me librat dhe mësuesit; muaji, ku secili prind duhet të reflektojë me veten në lidhje me rëndësinë e arsimimit të fëmijës së tij, i cili mund të shërbejë si një çelës kyç, që mund t’i hapë shumë dyer në jetë. Shtatori është koha kur çdo fëmijë, me seriozitetin më të madh, duhet të vendosë që t’i përkushtohet dijes, kryerjes së detyrave shkollore, bindjes ndaj mësuesve e respektit ndaj tyre. Shtatori është gjithashtu muaji kur çdo mësues duhet të lidhë pakt me veten për t’i shërbyer nxënësve pa kursim në dhënien e dijes së dobishme. Shtatori gjithashtu është muaji, ku mijëra filiza të njomë takohen për herë të parë me librin dhe janë të panjohur me të dhe me rëndësinë që ai ka. Nëse ai do t’u prezantohet atyre nga ana e mësuesve dhe prindërve si një litar pas të cilit duhet të kapen dhe asnjëherë të mos shkëputen, atëherë edhe ata do ta mbajnë fort e do të qëndrojnë të lidhur me të përgjatë gjithë kohës. E nëse vlera e librave dhe e të lexuarit nuk u përcillet atyre që në moshë të vogël, atëherë libri për ta do të jetë diçka e padëshiruar dhe një shok jo i mirë, me të cilin duhet të kalojnë pak orë çdo ditë kur janë në shkollë dhe që kur kthehen në shtëpi e flakin në një qoshe të saj për t’mos ia parë më “surratin” deri të nesërmen, e kështu do të vazhdojë përgjatë gjithë vitit. 
Libri i librave, Kur’ani Famëlartë, nisi me të parën fjalë “Lexo”, argument i cili e ngriti në piedestal leximin dhe dijen. Ishte ky i pari urdhër që mbërriti për profetin Muhamed, paqja e Zotit qoftë mbi të, që nuk dinte shkrim e këndim. Kjo thirrje, në të njëjtën kohë, vlen për këdo që dëshiron të lartësohet në jetën e kësaj bote dhe në tjetrën. Në çdo mexhlis dhe kuvend, të dijshmit janë ata që kuvendojnë dhe ligjërojnë, ndërsa të tjerët i dëgjojnë. Mësuesi është ai që jep mësim në klasën e tij; pedagogu në universitet në auditorin e tij para studentëve, hoxha në xhami para xhematit e kështu më radhë. Dija dhe arsimimi janë krenari dhe një armë shumë e fortë, plumbat e së cilës të shpëtojnë në shumë rrethana dhe situata të vështira, me të cilat mund të përballesh në jetë. Dija dhe urtësia që përfiton prej saj ta zgjidhin gjuhën kur duhet të flasë dhe ta kyçin atëherë kur duhet të qëndrojë e heshtur. Dija është veshja më e mirë që mund të ketë dikush, e cila sfidon çdo lloj veshje të gardërobës, e cilësdo markë qoftë. Ajo është veshja që nuk del kurrë nga moda; është ajo që do të donte çdokush ta vishte, por ajo është një pasuri e paçmueshme, të cilën, për fat të keq, e posedon vetëm një pakicë. Dija është një yll në ballë që ndriçon gjithë jetën. 
Edhe pse jetojmë në një kohë dhe në një shoqëri në të cilën rrethohemi nga individë që kanë arritur pozita të larta, jo falë arsimimit dhe edukimit të tyre profesional, gjithsesi kjo nuk duhet të ndryshojë këndvështrimin tonë ndaj rëndësisë së edukimit profesional të fëmijëve tanë; edhe pse në ditët e sotme dëgjojmë se dëftesat dhe diplomat blihen me para, pasi paraja mund të blejë kartonin, por jo edhe dijen e akumuluar në tru, e cila duket nga larg e nga afër si një kurorë mbi kokën e atij që e mban.
Po të krahasojmë veten me gjeneratat e hershme, do të vërejmë se jemi shumë larg prej tyre në raport me arsimin dhe dijen. Prej tyre kishte që shkonin deri në fund të botës për të marrë dijen e dobishme me të cilën i shërbyen vendit të tyre. Prej të parëve tanë të mirë, kishte që shpenzonin gjithë pasurinë për shkollimin e tyre dhe të fëmijëve të tyre, ndërsa sot prioritetet e njerëzve kanë ndryshuar. Sot, sa prej nesh shpenzojmë që fëmijët tanë të marrin edukimin e duhur, atë që do t’i vlejë gjithë jetën? Sa prej të ardhurave tona vjetore ia kushtojmë arsimimit tonë dhe të fëmijëve tanë? Sahabet e Profetit a.s dhe ata që i pasuan, ushqeheshin me dije, ndërsa trupin e ushqenin aq sa kishte nevojë, sa për ta mbajtur gjallë. Kur i hedh një sy statistikave dhe të dhënave të nxjerra nga INSTAT-i apo të tjera institucione në lidhje me shpenzimet e shqiptarëve, konstaton se arsimimi renditet ndër të fundit dhe kjo është shqetësuese pa masë dhe është një kambanë alarmi, e cila bie çdo ditë për veshë që dëgjojnë, për sy që shohin të sotmen dhe për mendje që projektojnë të ardhmen. 
Ne të gjithë themi se fëmijët janë e ardhmja jonë, dhe vërtet ashtu është, por si do të jetë kjo e ardhme, mund ta shohim që tani. Sa të kënaqur jemi më fëmijët tanë? Sa të arsimuar dhe të dijshëm janë ata? Sa krenarë jemi ne për ta dhe ata për veten? Sa e duan shkollën dhe sa me qejf zgjohen çdo mëngjes për të vajtur atje? Sa rrinë mbi libra dhe sa i shfletojnë? Sa interes tregojnë për to? Pyetjet s’kanë mbarim … po përgjigjet e tyre sa optimizëm na japin? 
Sistemi i kaluar në vendin tonë kishte shumë të meta në shumë drejtime, por një nga anët më pozitive ishte arsimi. Në atë kohë nuk mund të gjeje fëmijë që nuk kishin kryer të paktën arsimin bazë, ndërsa sot, për fat të keq, në rrugët e Shqipërisë mund të takosh me qindra të rinj e të reja të pashkolluar ose me dy-tre klasë shkollë, që nuk janë në gjendje të shkruajnë as emrin e tyre dhe kjo është fatkeqësi, si për familjen, ashtu edhe për shoqërinë dhe të ardhmen e këtyre individëve. Një shoqëri e paarsimuar do të thotë një shoqëri pa një të ardhme dhe një komb pa shpresë, prandaj në këtë fillimvit shkollor, le t’i nxisim fëmijët tanë që ta duan shkollën dhe librat dhe le t’i kontrollojmë përditë në ecurinë e tyre mësimore dhe jo vetëm kur ftohemi për të marrë pjesë në mbledhjet e prindërve. Le të mundohemi të krijojmë një ekuilibër dhe një trinom të shëndoshë: prindër – nxënës – mësues, ku të informohemi në mënyrë periodike të vazhdueshme me gjithçka ndodh me fëmijët tanë, që të jemi në kohë për të gjetur zgjidhje sa herë që shfaqet një problem i çfarëdoshëm. 
Urime viti i ri shkollor dhe suksese të gjithëve!
Qani Sulku

/Revista ‘Drita Islame’ – Shtator 2017/

You must be logged in to post a comment Login