Kudsi në epokën e artë të administrimit osman

Jerusalem

Qyteti i Shenjtë

Qyteti i Kudsit (Jerusalemit), për arsye që lidhen me momente të rëndësishme të misioneve profetike të Ibrahimit, Isait dhe Muhamedit a.s., njihet nga të tria fetë monoteiste (Islami, Krishterimi dhe Hebraizmi) si një qytet me vlera shumë të rëndësishme shpirtërore.

Në vitin 1516 përcaktimi i Zotit, ishte që pushteti administrativ mbi këtë qytet, të kalonte nga memlukët myslimanë tek osmanët, gjithashtu myslimanë. Këta të fundit u kujdesën për katër shekuj me radhë, që këto vlera jo vetëm të ruheshin, të mirëmbaheshin dhe miradministroheshin, por edhe kujdestaria mbi to, të shpërndahej sipas asaj që u takonte institucioneve fetare përfaqësuese të komuniteteve të ndryshme fetare që jetonin aty. Në këtë mënyrë osmanët zbatonin urdhëresat kuranore dhe porositë e Profetit Muhamed a.s., i cili porosiste drejtësi dhe urtësi në lidhje me të drejtat e jomyslimanëve që jetojnë brenda shtetit mysliman, por edhe kontribuonin në ruajtjen e rendit dhe stabilitetit në rajon. Edhe pse në realitetin e sotëm do të dukej pak e pabesueshme, Jerusalemi së bashku me rrethinat e tij, falë kësaj mënyre administrative dhe qeverisëse u bë shembull mbase unik në botë, i bashkëjetesës dhe tolerancës së kërkuar e të lejuar ndërfetare.

Përvoja në më të shumtën e herëve e hidhur e këtyre kohëve të fundit, ka treguar se pa një zgjidhje përfundimtare të mosmarrëveshjeve lidhur me të drejtat e arsyeshme të komuniteteve fetare mbi vlerat shpirtërore të qytetit të Jerusalemit dhe rrethinave të tij, as që mund të bëhet fjalë për zgjidhjen përfundimtare të çështjes palestineze, e cila kohët e fundit duket se ka hyrë në rrugë pa krye, së paku sipas mënyrave dhe formave me të cilat pala më e fortë me ndërmjetësuesit ndërkombëtar po përpiqen t’i japin zgjidhje këtij problemi.

Diskutimi i gjerë për gjetjen e një politike të drejtë qeverisëse për një administrim sa më të drejtë të gjitha vlerave të Jerusalemit, nga ana e njerëzve që e popullojnë atë, po shoqërohet ku fuqishëm e ku më dobët, qoftë nga ana e perëndimorëve, qoftë nga e palestinezëve, madje qoftë edhe nga ana e vetë izraelitëve, nga zëra që bëjnë fjalë për të marrë mësime nga përvoja e administrimit osman të tokave të shenjta, si e vetmja mënyrë zgjidhje, tani për tani më optimalja, e këtij problemi.

Në një raport të Kombeve të Bashkuara me titull “The Holy Places” (Tokat e Shenjta), të datës 8 prill 1949, vend të konsiderueshëm i kushtohej një dekreti të posaçëm perandorak i vitit 1757, i cili dekretonte formën e administrimit të tokave të shenjta, atëherë pjesë e perandorisë, pasi po atë vit kishte lindur një mosmarrëveshje e fortë ndërmjet ortodoksëve dhe katolikëve që jetonin në Jerusalem dhe rrethinat e tij.

Drejtësi e dokumentuar

Forma e drejtë e administrimit osman buronte vetëm nga konsekuenca kuranore e drejtuesve të këtij shteti. Çështjet me karakter fetar të komuniteteve të ndryshme të këtij qyteti, zgjidheshin me interesimin e drejtpërdrejtë të vetë sulltanit, i cili mbahej në dijeni të çdo zhvillimi në tokat e shenjta nga administratorët lokalë.

Fillimi i pushtetit administrativ osman në tokat e shenjta filloi me hyrjen e Sulltan Selimit në Jerusalem. Në hyrje të qytetit sulltani u prit nga Patriarku i Kishës Armene Serkis III dhe Patriarku i Kishës Greke Attalia.. Patrikët që në takimin e parë, e vunë në dijeni Sulltan Selimin me marrëveshjet që ekzistonin ndërmjet tyre dhe kalifit Omer r.a. që në vitet e para të vendosjes së pushtetit islam në këto toka, marrëveshje të cilat ishin respektuar edhe më vonë nga ana e sundimtarëve të tjerë mysliman para tij. Mes të tjerash, Sulltan Selimi u njoh edhe me dokumentin sipas të cilit Kalifi Omer r.a. i njihte Patriarkanës Armene të drejtën të kishte nën vartësi Kishën Kopte dhe Kishën Etiopiane. Përveç kësaj, në duart e klerikëve armenë dhe grekë gjendej edhe një dokument nëpërmjet të cilit Omeri r.a. gjithashtu, ndalonte me ligj shndërrimin e Kishës së Ringjalljes në xhami. Këto të drejta (privilegje) të krishterët i kanë gëzuar edhe më vonë e në vazhdim, pas ardhjes së sundimtarëve të tjerë myslimanë në qytet. Nisur nga të gjitha këto, Sulltan Selimi, lëshoi një dekret nëpërmjet të cilit i shpallte të pacenueshme të gjitha të drejtat që gëzonin deri atëherë komunitetet fetare greke dhe armene.

Rendi i vendeve të shenjta

Shteti Osman e kishte kuptuar se ky qytet ishte shumë i rëndësishëm edhe për jomyslimanët. Për këtë arsye, për t’i prerë rrugën mosmarrëveshjeve e madje edhe konflikteve të përgjakshme, vendosi që të mos bënte ndryshime rrënjësore në ndarjen e deriatëhershme të kujdestarisë së komuniteteve fetare mbi vendet e shenjta. Në kuadër të kësaj, Sulltan Selimi ligjëroi me dekrete të veçanta kujdestarinë e grekëve dhe armenëve mbi ato vende që sipas tyre konsideroheshin të shenjta. P.sh. kujdestaria mbi Shpellat e Ringjalljes dhe Betlehemit, e drejta për të pasur në vartësi Kishat Etiopiane, Kopte dhe Sirjane, kujdestaria mbi derën veriore të Kishës së Ringjalljes etj. i kaloi armenëve, të cilët ishin të lirë të ushtronin besimin e tyre. Përveç kësaj, Patriarku armen kishte të drejtën e emërimit dhe shkarkimit të kuadrit të vet fetar, të drejtën e administrimit të pasurive të kishës, etj.

I njëjti dekret me të drejta të ngjashme iu dha edhe grekëve, të cilëve iu la nën kujdestari vende të shenjta si: Kisha e Helenës, Kisha Shën Dhimitrit, Varri i Mejremit (Marisë) etj.

Vlen të theksojmë se e gjithë pasuria e tundshme dhe e patundshme e të krishterëve, u shpall e paprekshme dhe iu la nën administrim vetë atyre. Përveç kësaj, murgjit grekë nuk iu nënshtroheshin detyrimeve fiskale në hyrje të Jerusalemit dhe në portet arabe.

Roli ndërmjetësues në konfliktet në mes të krishterëve

Në dekretin e vitit 1517 ndërmjet të tjerash thuhet se askush nuk e gëzon të drejtën e ndërhyrjes në punët e brendshme të komuniteteve të krishtera. Në këtë dekret bëhet fjalë gjithashtu edhe për masat administrative dhe ligjore që do të ndërmerren ndaj kujtdo që do të guxojë ta bëjë këtë. Po në të njëjtin dekret ndalohet suprimimi dhe shfuqizimi i të drejtave të dhëna. Historia ka treguar se të gjithë sulltanët e kanë zbatuar me përpikëri këtë dekret.

Një nga pikat më të nxehta të marrëdhënieve të sekteve kristiane ishte konflikti ndërmjet grekëve ortodoksë dhe armenëve gregorianë, në lidhje me Kishën e Ringjalljes dhe vartësinë e Kishave Etiopiane, Kopte dhe Sirjane.

Kisha e Ringjalljes është ndërtuar nga Perandori Kostandin, në vitin 335, në vendin që sipas të krishterëve, pranohet se është kryqëzuar Isai a.s.. Administrata osmane, duke mbajtur parasysh rëndësinë e madhe të kësaj kishe për të gjithë të krishterët dhe si rrjedhojë për stabilitetin e brendshëm në rajon, vendosi që kujdestarinë e derës së anës veriore të kësaj kishe, t’ua lerë armenëve, atë të anës jugore grekëve, ndërsa ana e Derës së Madhe t’u lihej në kujdestari frankëve, duke mos harruar këtu se kisha ortodokse greke kishte përparësi në administrimin e punëve të kësaj kishe.

Në fillim ndërmjet këtyre tri kishave nuk pati ndonjë problem, por më vonë lindi problemi se cila prej tyre do të organizonte dhe ndiqte punimet për meremetimin e saj dhe rindërtimin e disa vendeve të saj. Që në fillim u duk se kjo mosmarrëveshje do të pasohej në të ardhmen me përplasje ndoshta shumë të ashpra, ndërmjet këtyre tri kishave për rritjen e influencave te të krishterët në rajon e më gjerë. Për këtë arsye problemi që u shfaq kërkonte një zgjidhje të shpejtë dhe afatgjatë.

Për këtë qëllim u formua një komision i përbërë prej dijetarëve islam, klerikëve dhe personaliteteve greke dhe armene, i cili pasi dëgjoi me kujdes të dyja palët, vendosi që me meremetimin dhe ndërtimin e kishës të merrej ekskluzivisht kisha greke. Kështu, në këtë mënyrë, duke bërë edhe hartimet e nevojshme ligjore, kjo e drejtë që iu njoh kishës greke u mbrojt me ligj dhe bëri të mundur zgjidhjen më optimale të këtij problemi.

Kjo klimë harmonie dhe miradministrimi në tokat e shenjta zgjati deri në shekujt 18 dhe 19, atëherë kur shtetet perëndimore filluan të ndërhynin në punën e brendshme të perandorisë osmane, duke bërë kështu që problemi i vendeve të shenjta të fillonte të zmadhohej dhe të merrte përmasa të rrezikshme.

Në këtë mënyrë, nuk mund të mohohet ndikimi herë pozitiv e në më të shumtën e herëve negativ, i presioneve të shteteve europiane, mbi format e zgjidhjes që ndërmori administrata osmane në shekullin e fundit të ekzistencës së saj fizike, për zgjidhjen e konflikteve ndërmjet ortodoksëve, katolikëve dhe gregorianëve. Megjithatë nuk mund të mohohet puna dhe kontributi i madh që dha kjo perandori në sigurimin e të drejtave të komuniteteve fetare në të mirë të paqes dhe sigurisë aq shumë të kërkuar në tokat e shenjta.

/Drita Islame/ 

You must be logged in to post a comment Login