KRYETARI I KMSH-SË SKENDER BRUÇAJ URON FITËR BAJRAMIN

 

Bismil-lahi Rrahmani Rrahim!

Me emrin e Allahut, të Gjithmëshirshmit, Mëshirëplotit!

Të nderuar besimtarë shqiptarë, kudo që ndodheni!

Më lejoni që në këto çaste të gëzuara të festës se Fitër Bajramit, këtij momenti të gëzimit dhe të lehtësimit shpirtëror, t’ju përcjell urimet e mia më të sinqerta dhe të përzemërta, për një jetë sa më të lumtur, për  shëndet dhe mirësi, për sukses në çdo sferë të jetës; me shpresën e madhe, që Zoti të na ketë falur mëkatet tona dhe të ketë pranuar adhurimet dhe sakrificën tonë.

Ne përcollëm me përmallim Muajin e Bekuar të Ramazanit, një mysafir i shtrenjtë, por që vetëm një herë në vit vjen. Na zbukuron me ngjyrat e tij të bukura dhe pastaj largohet pasi të ketë zbatuar detyrën. Kështu sot me gëzim të natyrshëm po i urojmë mirëseardhjen Fitër Bajramit.

Të gjithë besimtaret myslimanë mbartin në zemrat e tyre shpresën se Zoti i Madhëruar na ka pranuar agjërimin, namazet, lutjet dhe duatë, leximet e Kur’anit, si dhe netët e kaluara me adhurim e përkushtim vetëm për hir të Tij.

Bajrami është simbol i paqes, i gëzimit, i harmonisë, i qetësisë shpirtërore, moment i lartësimit të Allahut dhe koha e shpresës së arritjes së kënaqësisë së Krijuesit, që është edhe qëllimi final për çdo besimtar.

Duke përfituar nga përkujdesja e veçantë hyjnore, që Zoti i madh ka ndaj nesh në ditët e Bajramit, unë i lutem Atij dhe ju ftoj edhe ju t’i lutemi së bashku për më shumë paqe, begati gëzim e harmoni, për shuarjen e luftërave dhe konflikteve anë e mbanë globit.

I lutem gjithashtu Allahut t’i mbushë zemrat tona me ndjenja të dashurisë, dhembshurisë, respektit dhe mirënjohjes.

O Zoti ynë! Jepi begati, mirësi, paqe e qetësi shoqërisë sonë dhe atdheut tonë Shqipërisë, e bashkë me të mbarë njerëzisë.

Gëzuar e përshumvjet Fitër Bajramin.

Zoti e begatoftë çdo ditë tuajën.

Amin!

You must be logged in to post a comment Login