Kryetari i KMSH-së pret presidentin e Fondacionit Arsimor “Gülistan”

Brucaj & ArslanKryetari i Komunitetit Mysliman, z. Skender Bruçaj, priti në një takim presidentin e Fondacionit Arsimor “Gülistan”, z. Yakup Arslan.

Kryetari Bruçaj falënderoi z. Arslan për vizitën dhe çmoi lart kontributin e çmuar të fondacionit “Gulistan” në drejtim të arsimimit dhe edukimit të fëmijëve dhe të rinjve shqiptarë.

“Ju vlerësoj për punën tuaj në shërbim të arsimit dhe sidomos për kontributin që tregoni në njohjen dhe shkëmbimin e vlerave kulturore të përbashkëta”, u shpreh z. Bruçaj.

Në vijim z. Bruçaj e njohu z. Arslan me institucionin e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, zhvillimet e ndërmarra në fusha të ndryshme, sidomos në infrastrukturën e arsimit, nëpërmjet medreseve dhe Universitetit Bedër, si dhe aktivitete të tjera të shtrira në fusha të ndryshme.

Z. Arslan nga ana e tij falënderoi z. Bruçaj për pritjen e ngrohtë e të përzemërt. Ai u shpreh entuziast për kontributin që Komuniteti Mysliman ka dhënë dhe vazhdon të japë si për komunitetin e besimtarëve, ashtu edhe për shoqërinë shqiptare në tërësi.

Z. Arslan shoqërohej në këtë vizitë nga zv/presidenti i fondacionit, z. Abdullah Fistik.

Fondacioni “Gulistan” është kompani arsimore, që operon kolegjet turke në Shqipëri që nga viti 1993. Shkollat e operuara nga ky fondacion ndodhen në Tiranë, Durrës dhe Shkodër. Misioni i këtyre shkollave është që të ofrojnë një arsimim dhe edukim cilësor në mënyrë që çdo nxënës në përfundim të ciklit arsimor të jetë një qytetar i ri, me dëshirën dhe vullnetin për të kontribuar në zhvillimin e Shqipërisë.

10 Mars 2015

You must be logged in to post a comment Login