Kryetari i KMSH-së pret Nuncin e ri Apostolik në Shqipëri

Kryetari i Komunitetit Mysliman, H. Skender Bruçaj priti në selinë e KMSH-së Nuncin e ri Apostolik në Shqipëri, z. Charles John Brown, të cilit i uroi mirëseardhjen dhe suksese në detyrën e re.

Kryetari Bruçaj e njohu z. Brown me institucionin e KMSH-së, rolin dhe kontributin që ky institucion ka dhënë për shoqërinë shqiptare.

Nunci i ri Apostolik në Shqipëri falënderoi kreun e KMSH-së për pritjen dhe u shpreh se ishte mjaft i impresionuar nga sjellja dhe mikpritja në Shqipëri.

Ndër vendet që kishte vizituar në Shqipëri, ai veçoi xhaminë e Et’hem Beut, si një objekt kulti me një bukuri të rrallë. Ndër të tjera z. Brown vlerësoi edhe tolerancën fetare në Shqipëri. Ai vlerësoi punën dhe angazhimin e treguar nga KMSH në raport me bashkësitë e tjera fetare dhe ruajtjen e këtij aseti të çmuar.

Kreu i KMSH-së shprehu angazhimin për të bashkëpunuar me të gjithë organizmat të cilat i shërbejnë mbarëvajtjes së harmonisë dhe tolerancës ndërfetare, si dhe ndikojnë pozitivisht në kohezionin social të Shqipërisë dhe rajonit.

11 korrik 2017

You must be logged in to post a comment Login