Kryetari Bruçaj vlerëson me Certifikata Mirënjohje nxënësit e medreseve  

Kreu i KMSH-së Skender Bruçaj vlerëson nxënësit e Medreseve fitues në olimpiada e konkurse kombëtare dhe ndërkombëtare.

 

ZK1A0046

Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Skender Bruçaj, ka vlerësuar me Certifikata Mirënjohje 12 nxënës të medreseve shqiptare për përfaqësimin dinjitoz të Shqipërisë dhe Medreseve në kompeticione, konkurse dhe olimpiada kombëtare dhe ndërkombëtare për vitin 2015, ku dhe kanë fituar  çmime mjaft të rëndësishme.

Në një takim me nxënësit në selinë e KMSH-së, Kryetari Bruçaj shprehu mirënjohjen e veçantë për nxënësit të cilët korrën sukses në konkurset dhe olimpiadat ku ata morën pjesë si dhe vlerësoi punën e palodhur të stafit pedagogjik të medreseve, teksa e cilësoi atë si mision fisnik i cili përgatit brezat e së ardhmes.

Ai vlerësoi kontributin e tyre dhe i siguroi mbështetjen e Komunitetit Mysliman në çdo hap të tyre në fushën e arsimit dhe të karrierës, por edhe në çdo aspekt të jetës.

“Nuk besoj se kam pasur mysafirë më të këndshëm dhe më ta dashur për mua se sa ju. Ju përgëzoj dhe uroj për arritjet tuaja dhe njëkohësisht ndihem krenar, pasi ju nuk nderuat vetëm veten tuaj, Medresenë dhe Komunitetin Mysliman, por ajo çka është më e rëndësishmja ju nderuat vendin, Shqipërinë tonë të dashur, teksa ngritët me dinjitet flamurin shqiptar dhe flamurin e fitores në konkurset ku morët pjesë”, nënvizoi kryetari Bruçaj.

Kryetari i KMSH-së shtoi më tej se shkolla është vendi i mësimit, i edukimit dhe i skalitjes së virtyteve dhe cilësive më të mira të nevojshme për jetën. Mbi këtë filozofi e me këtë vizion Komuniteti Mysliman ka hapur 7 medrese në qytete të ndryshme të vendit, të cilat janë shembulli më i mirë, gjë që tregon rëndësinë që Komuniteti Mysliman i jep arsimit dhe edukimit të brezave të rinj.

Në përfundim z. Bruçaj dhe Drejtori i Arsimit në KMSH z. Astrit Zharri u shpërndanë nxënësve fitues Certifikatat e Mirënjohjes. Të pranishëm në takim ishin edhe drejtues dhe stafi pedagogjik i Medreseve.

Medresetë e Shqipërisë kanë përfaqësuar vendin tonë çdo vit, në shumë konkurse ndërkombëtare mbi fusha të ndryshme të shkencave, ku dhe kanë fituar çmime të para, të dyta dhe të treta. Edhe në olimpiadat të ndryshme kombëtare ata kanë arritur rezultate mjaft të shkëlqyera.

Pak ditë më parë Komuniteti Mysliman organizoi Olimpiadën e lëndëve fetare ku nxënësit treguan një nivel të lartë përgatitjeje.

Ndërkohë Presidenti i Republikës z. Bujar Nishani më 17 mars të këtij viti dekoroi Medresenë e Tiranës me Titullin “Për merita të veçanta civile” me motivacion: “Si një  shkollë e arsimit fetar në Shqipëri, e cila duke u bërë pjesë e arsimit tonë, përgatiti për disa dhjetëvjeçarë në një nivel të lartë një plejadë teologësh myslimanë, të cilët luajtën një rol parësor në ripërtëritjen e moralit tonë kombëtar”.

 

PROJEKTET KU NXËNËSIT E MEDRESEVE KANË MARRË PJESË DHE CMIMET PËRKATËSE PËR VITIN 2015

MEDALJE ARGJENDI NË GJEORGJI

Në olimpiadën shkencore IYIPO, e cila u organizua në Gjeorgji, Medreseja e Kavajës “H. Ali Korça” mori pjesë me projektin mbi pastrimin e mjedisit nga mbetjet. Në këtë olimpiadë Medreseja e Kavajës u përfaqësua nga nxënësit Esmir Keci dhe Xhevit Dushku të cilët u vlerësuan me medalje Argjendi.

 

MEDALJE BRONZI NË SHBA

Nxënësit e Medresesë së Kavajës “Hafiz Ali Korça”, Adi Hajrullaj dhe Albi Marqeshi së bashku me mësuesin e tyre M. Salih Ergun fituan medalje bronzi në Olimpiadën Ndërkombëtare të Projekteve Inxhinierike e Mjedisore për energji botërore të qëndrueshme (I-SËEEEP 2015) të organizuar në Texas, SHBA. Projekti i nxënësve të Medresesë konsistonte në heqjen e fenolit në vajin e ullirit me anë të përzierjes së gjetheve të ullirit dhe farave të lulediellit. Kjo metodë krijonte një mënyrë më të mirë filtrimi dhe vaj shumë më cilësor.

MEDALJE BRONZI NË RUMANI

Medreseja e Beratit me anë të nxënësve të saj Ernedo Selami dhe Bruno Plaku, shoqëruar me mësuesin e informatikës z. Gentjan Lami morën pjesë në konkursin ndërkombëtar të InfoMatrix. Ata konkuruan në fushën e programimit me anë të një aplikacioni për celularë duke fituar medalje bronzi. InfoMatrix është një konkurs ndërkombëtar në fushën e informatikës. Në konkurs morën pjesë 357 projekte nga 51 shtete.

MEDALJE BRONZI NË RUMANI

Nxënësi i medresesë së Tiranës Rigels Kurushi, mori pjesë në konkursin ndërkombëtar InfoMatrix i organizuar në Rumani. Ndër 357 projektet dhe 51 shtete pjesëmarrëse, ai fitoi medalje Bronzi. Projekti bënte pjesë në kategorinë e filmave me metrazh të shkurtër. “Poisoned Elixir” (Eliksiri i helmuar) ishte filmi nëpërmjet të cilit arriti të marrë medaljen e Bronzit. Morali i këtij filmi i cili u pëlqye jashtë mase nga juria Rumune, ishte: “Të vjedhësh, do të thotë të ëmbëlsosh veten me helm”.

ÇERTIFIKATË SUKSESI NË SHBA

Në datat 7 Maj – 11 maj 2015 në Houston, Texas të SHBA-ve, u zhvillua Olimpiada Ndërkombëtare e Projekteve Inxhinierie e Mjedisore për energji botërore të qëndrueshme (I-SËEEEP 2015) ku u paraqitën mbi 427 projekte të 70 vendeve të ndryshme të botës. Medreseja e Tiranës “H. M. Dashi” u përfaqësua nga nxënëset Elona Lushi dhe Joana Muçogllava. Në përfundim të programit nxënëset e medresesë së Tiranës morën çertifikatë suksesi.

ÇMIM TË PARË DHE TË TRETË NË OLIMPIADËN KOMBËTARE TË LETËRSISË

Medreseja e Durrësit “Musatafa Varoshi” ka fituar dy çmime në Olimpiadën Kombëtare të Letërsisë të organizuar nga Ministria e Arsimit të Shqipërisë. Kjo shkollë është përfaqësuar nga nxësëset Riada Mema dhe Elinda Gjonomadhi të cilat kanë zënë përkatësisht vendin e parë dhe të tretë.

ÇMIM TË TRETË NË OLIMPIADËN KOMBËTARE  TË BIOLOGJISË

Medreseja “Haxhi Sheh Shamia” në Shkodër, ka fituar çmim të tretë në Olimpiadën Kombëtare të Biologjisë të organizuar nga Ministria e Arsimit të Shqipërisë. Medreseja e Shkodrës u përfaqësua nga nxënësja Griselda Cani.

 

DSC_0574  DSC_0603 ZK1A0003DSC_0584 ZK1A0021 ZK1A0041  ZK1A0057

 

You must be logged in to post a comment Login