Kreu i KMSH-së, takime në Gjirokastër, Delvinë dhe Sarandë

Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Skender Bruçaj, ka zhvilluar një sërë vizitash në myftinitë e rretheve Gjirokastër, Delvinë dhe Sarandë.

Gjatë vizitës në Gjirokastër Kreu i KMSH-së është takuar më myftiun Armand Islami, ku ka diskutuar rreth problematikave të ndryshme, mbi mbarëvajtjen e punëve në këtë myftini, si dhe realizimin e disa projekteve për restaurimin godinës se ish-medresesë, rregullimin dhe restaurimet e dyqaneve vakëf në zonën e pazarit, etj.

Kryetari Bruçaj ka vizituar dhe parë nga afër gjendjen e disa xhamive dhe vakëfeve, të cilat kanë probleme pronësie dhe kanë degraduar si pasojë e mungesës së ndërhyrjeve restauruese, si xhamia e Dunavatit të Sipërm dhe xhamia e Meçitës.

Vizita në qytetin e Gjirkastrës është mbyllur me një takim pune me imamët e qytetit dhe të zonave përreth.

Ndërsa në Delvinë, gjatë takimit me myftiun Bledar Ali dhe imamët e këtij qyteti, Kryetari Bruçaj është njohur me aktivitetet e fundit të myftinisë, si dhe ka vizituar një pjesë të vakëfeve që Komuniteti Mysliman ka dhe administron në këtë rrreth, si kompleksin e rrallë të Xhermëhallës dhe kompleksin e xhamisë së Gjinaleksit.

Në xhaminë e Gjinaleksit, z. Bruçaj është njohur nga afër me ecurinë e punimeve për restaurimin e saj nga përgjegjësi i punimeve, Enver Samuri.

Aktualisht në këtë xhami po bëhet zbritja e çatisë, nga ku ka ardhur edhe problemi kryesor i depërtimit të ujërave, po bëhet sistemimi i inerteve të mbledhura gjatë shekujve rreth xhamisë dhe sistemi i drenazhimit.

Projekti në fjalë, i cili synon restaurimin e parë të plotë të kësaj xhamie, financohet nga Komuniteti Mysliman dhe punimet pritet të zgjasin rreth shtatë muaj.

Ndërkohë edhe në Sarandë z. Bruçaj është takuar me myftiun e zonës, z. Bledar Mullaj dhe me imamët e këtij qyteti, ku kanë folur rreth problematikave të ndryshme. Ai është njohur nga afër me gjendjen e xhamive dhe është interesuar për vënien në efiçencë të pronave vakëf të qytetit bregdetar.

Në këto vizita Kryetari Bruçaj shoqërohej nga Drejtori i Marrëdhënieve me Publikun dhe Median, z. Agron Hoxha, Drejtori i Burimeve Njerëzore, z. Uran Kalej dhe Përgjegjësi i Departamentit të Shkencave Islame në Universitetin Bedër, Dr. Genti Kruja.

12 prill 2017

You must be logged in to post a comment Login